Profesorë universitarë dyshohen të përfshirë në aferën e diplomave falso?!
Në rastin e diplomave falso të lëshuara nga Fakultetit Pedagogjik në Shkup gjatë viteve të fundit dyshohen se janë të përfshirë edhe profesorë universitar.
Siç mësohet nga burime jozyrtare, në rrjetin e lëshimit të vërtetimeve false për gjoja kryerjen e fakultetit, përveç të dyshuarit kryesor si referent i punësuar, dyshohen një apo më shumë profesorë që kanë qenë “sekserë” apo ndihmues në realizimin e këtyre qëllimeve. Për realizimin e këtyre qëllimeve janë përfituar qindra mijëra euro, por edhe benefite të tjera. Gjithë loja ka qenë e organizuar mirë, duke fshehur gjurmë, por hetimet e MPB-së ende vazhdojnë.
Sipas portalit hulumtues Prizma, zyrtarët e Fakultetit Pedagogjik sqaruan se tek ish referenti, 50-vjeçari me inicialet Z.K., u zbuluan 16 dosje të dyshimta për të cilat është njoftuar edhe Policia Financiare. Sipas të dhënave policore, falsifikatori i dyshuar – referenti, diplomat apo vërtetimet false ia kishte përgatitur disa policëve dhe mësimdhënësve të punësuar në disa shkolla.
Prizma shkruan se hetimet vazhdojnë dhe se fakulteti ka kontrolluar të gjitha vërtetimet e lëshuara nga vitit 2008 e deri më sot, duke konstatuar se 206 prej tyre janë të dyshimta. Ndërkaq deri tani për 30 vërtetime është konstatuar se janë të falsifikuara.
Referenti i dyshuar u largua nga detyra dhe Fakulteti në vitin 2011, si rezultat të mosparaqitjes në punë. Zyrtarët e Fakultetit Pedagogjik gjithashtu sqaruan se hetimet kundër Z.K. dhe një tjetër ish punonjës i Fakultetit, të cilit i është shqiptuar një dënim me heqje lirie, janë nisur në bazë të informatave që i siguroi fakulteti për nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.