Që kur lind foshnja në Maqedoni, bën mirë të jetë me partinë e duhur… 

Që kur lind foshnja në Maqedoni, bën mirë të jetë me partinë e duhur, ndryshe e ka punën problem me regjistrimin në çerdhe, me provimet në shkollë e padyshim edhe me gjetjen e një vendi pune. Politika po shemb kultin e diplomës, të diturisë

Nga Dr.Arben TARAVARI

Në ditët e sotme albumi fotografik i shoqërisë është i rëndë, me kontraste të forta, me rekorde uljesh dhe ngritjesh të gabuara, të cilat i kalojmë të gjitha në kurrizin tonë. Kështu pjesa më e madhe e popullit jeton në varfëri, ata mendohen se si do të përballojnë nevojat elementare të jetesës.

Papunësia është në kulminacionin e saj. Imagjinoni njerëz që nuk kanë rroga, që kur në fund të muajit shteti ju sjellë fakturën për drita dhe ujë dhe nga ana tjetër nuk ju jep asnjë mundësi për të punuar, këta njerëz bëjnë shumicën e Maqedonisë. Ligji është i ashpër me të papunësuarit që nuk paguajnë energjinë, pa asnjë diskutim ju shkëput dritat duke mos pyetur që të pabindurit ndaj ligjit thjesht nuk kanë asnjë mundësi për të paguar! Ligji nga ana tjetër, pra po i njëjti ligj i pamëshirshëm me të vobektit, është tolerantë dhe romantik madje me krimet e rënda, si janë vrasjet e fëmijëve për shembull, që nga të tilla i kthen si aksidente dhe dënon njësoj atë që ka vrarë një njeri me atë që nuk ka paguar fakturat e energjisë…

Shtet me humor të zi! Ai i kërkon llogari shtetasve të tij, ndërkohë që janë shtetasit që duhet të bëjnë një të tillë. Por këtu tek ne është inversi, e kundërta. Flasim se jetojmë në demokraci e pluralizëm por nuk më duket aspak ashtu. A mund të quhet ky një shtet social kur fëmijët kanë ftohtë nëpër shkolla sepse shteti nuk ka të ardhura të mjaftueshme ndërkohë që një pjesë e mirë e qeveritarëve kanë të ardhura personale që mund të ndërtojnë shkolla nga fillimi!

Si është e mundur që në të njëjtin shtet ku shumica jeton thjesht Keq, një pjesë e familjarëve të qeveritarëve janë “bossa” që sa vjen dhe ju shtohen 0-t(zerot) në llogaritë e tyre?! Shëndetësia që tashmë njeh vetëm pacient që flasin maqedonisht, pasi tabelat në gjuhën shqipe janë fshirë në mënyrë demonstrative, shëndetësia jeton në shekullin e 20. S’ka pajisje adekuate, ka zona të tëra që nuk kanë qendra shëndetësore konsultative apo ambulanca, me pak fjalë nëse ke lindur në fshatin apo lagjen e gabuar, ke 70-80% mundësi të vdesësh nga inflamacioni i një apendiksiti akut se sa një person tjetër i cili ka lindur në një vend më me fat. Pagesat e mjekëve janë të ulta krahasuar me ato që i ofron tregu i huaj dhe ndaj eksodi i tyre po e arrin kulminacionin në 10 vitet e fundit.StrugaLajm

Duke vazhduar së shfletuari këtë album ku është fotografuar jeta e secilit nga ne, shikon se si në qytete ka më shumë pluhur e skamje dhe se si çdo gjë sa vjen dhe monopolizohet nga politika. Që kur lind foshnja në Maqedoni, bën mirë të jetë me partinë e duhur, ndryshe e ka punën problem me regjistrimin në çerdhe, me provimet në shkollë e padyshim edhe me gjetjen e një vendi pune. Politika po shemb kultin e diplomës, të diturisë. Ajo po zhvlerëson mundin e gjithë atyre burrave dhe grave që kanë zgjedhur të jenë mësimdhënës dhe profesorë, pasi nuk është aspak nota e këtyre zotërinjve që të fut në punë, por është miratimi i partisë që fut dhe nxjerr nga puna cilin të dojë, kur të dojë!

Foto të errëta këto të cilat fiksojnë shoqërinë tonë në 2018-ën, duhet dritë, ndryshe në mes errësirës do zhdukemi të gjithë!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

In : Aktuale

Loading...
loading...