Ridefinimi në Maqedoni tashmë ka filluar

Ndonëse pak është dëgjuar dhe më shumë është satanizuar e demonizuar, dalja në skenë e Lëvizjes BESA e ngriti temën e emrit në rrafsh tjetër. BESA tha se kjo temë nuk i përket asnjë partie e asnjë etnie në veçanti, por se është çështje që i tangon të gjithë qytetarët e këtij vendi ose të gjithë shtetasit e tij, sepse nesër të gjithë ata do të identifikohen me emrin e ri të shtetit

Nga Zeqirija IBRAHIMI

Kur në vitin 2015, bashkë me disa shokë, dolëm me propozimin se Maqedonia është një vend i definuar keq dhe se ato definicione të gabuara për ndërtimin e shtetit janë arsyeja që ky vend nuk arrin ta marrë veten, andaj është bërë i detyrueshëm një definim i ri (ose një RIDEFINIM), përveç politikanëve injorantë, por edhe dinakë, ishte edhe një numër i të a.q. “analistë” e “opinionistë”, rëndom me “kontratë në vepër”, që desh na hëngrën me akuzën se po kërkojmë luftë, federalizim e gjepura të tjera, duke e satanizuar kështu idenë mbase më fisnike dhe më dobiprurëse për këtë vend.

Sidoqoftë, sipas maksimës se koha është melhemi më i mirë për gjërat e pashpjegueshme, këto ditë në Maqedoni, përveç reformave në tre sistemet themelore, si ai i shërbimeve të inteligjencës, drejtësisë dhe administratës, sigurisht tema kryesore dhe më e paevitueshme është zgjidhja e kontestit të emrit të këtij vendi, gjithë kjo për arsye të integrimit të tij në NATO dhe përgatitjes për integrim në BE. Dhe, nëse definicioni i emrit të ri nuk është ridefinim, nuk di çka mund të jetë ridefinimi. Nejse, ka kohë dhe njerëzit do ta kuptojnë edhe pjesën tjetër të idesë sonë. Kjo botë nuk do të ishte kaq e bukur sikur të mos ishin edhe injorantët dhe të ligët. Në saje të tyre krijohet dallimi.

RIEMËRTIMI OSE RIDEFINIMI I EMRIT TË SHTETIT

Ashtu siç tashmë e dinë të gjithë në këtë vend, që nga viti 1991 Maqedonia përballet me një problem substancial për të – kontestimi i emrit kushtetues të shtetit nga fqinji jugor dhe pranimi i saj në OKB me referencën “Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë”. Nejse, ka edhe të tillë që këtë problem e kanë marrë vesh në vitin 2004, siç është kryetari i partisë shqiptare në pushtet, por prandaj kjo botë është kaq e bukur.

Që nga pranimi i këtij shteti në OKB me referencën e sipërthënë, ajo vazhdon ende të negociojë me Greqinë me ndërmjetësim të OKB-së. Siç e dimë, në samitin e NATO-s në Bukuresht, të mbajtur më 2008, Maqedonia mbeti jashtë kësaj aleance vetëm për shkak se nuk e ka të zgjidhur problemin e emrit të shtetit. Dhe, këto negociata, që kanë vazhduar më shumë se dy dekada, tashmë kanë arritur kah fundi. Madje, duket se edhe krejt përpjekjet për rrëzimin e regjimit të kaluar VMRO-BDI dhe vendosjen e pushtetit të ri të LSDM-së ishin të lidhura pikërisht me temën e emrin.

Duke dashur ta mbyllë harkun ushtarak, por edhe politik, si dhe që t’i pengojë ndikimet e ndryshme lindore, që e rrezikojnë jo vetëm stabilitetin e këtij vendi, por edhe të mbarë rajonit, Aleanca Veri-Atlantike dëshiron që Maqedonia përfundimisht të futet nën këtë ombrellë dhe të mbyllet kufiri i NATO-së në këtë rajon të trazuar. Për këtë arsye diplomatë të shumtë evropianë dhe, sidomos, amerikanë janë të përkushtuar që Maqedonia ta zgjidhë problemin e emrit të shtetit dhe kështu të përmbushet detyrimi i integrimit në NATO. Me fjalë të tjera, kërkesa është që këtij shteti t’i gjendet një emër i pranueshëm edhe për Greqinë dhe komunitetin ndërkombëtar ose, shprehur ndryshe, të ridefinohet emri dhe Maqedonia të bëhet vend anëtar i NATO-s.

PROBLEMET

Megjithatë, sado që në shikim të parë kjo temë duket si ndonjë problem i zgjidhshëm lehtë – kërkohet një emër, fakti që është negociuar më shumë se 20 vjet dhe nuk është gjetur zgjidhje, flet se ka ndërlikime të llojllojta, që e pamundësojnë atë. Për palën greke emri “Maqedoni” nënkupton apetite ose ambicie territoriale të fqinjit të saj verior drejt Greqisë, sepse ajo pjesën e saj veriore e quan pikërisht “Maqedoni”. Por, sikur të mos mjaftonte kjo, grekët kërkojnë që emri i shtetit të ketë vetëm kuptim gjeografik dhe një atribut që e përcakton se për cilën Maqedoni është fjala, madje ata kërkojnë që edhe emri i kombit të njihet sipas emrit të ri të shtetit, ndërsa kjo të përçohet edhe në emërtimin e gjuhës. Dhe, këtu sharra ka hasur në gozhdë.

Maqedonasit nacionalistë, të përfaqësuar veçmas në VMRO-DPMNE, ndonëse kanë thënë se mund të dakordohen për ndonjë emër me përkufizim gjeografik, janë deklaruar se nuk janë fare dakord që ky ndryshim ta prekë edhe identitetin etnik dhe gjuhësor. Dhe, mbase kjo ka qenë arsyeja që u bë ndryshimi i qeverisë dhe që partia maqedonase, që deri dje ishte në pushtet, në këto zgjedhje kaloi si mos më keq. Në Maqedoni diçka po zihet…

Në të vërtetë, tema e emrit mbase ishte edhe arsyeja që iu bë aq shumë presion partive shqiptare të futen në qeveri, qoftë edhe pa asnjë kusht në interes të shqiptarëve të Maqedonisë dhe, ç’është e vërteta, partia shqiptare që nuk pranoi të rreshtohej në këtë qeveri (L. Besa) me kushtet e vendosura nga të tjerët, duke synuar kështu mbrojtjen e interesave shqiptare, e pagoi këtë çmim në zgjedhjet lokale, kur gjithë aparati shtetëror u përdor kundër saj.StrugaLajm

Një problem tjetër që pakkush nga shqiptarët e ka vënë re në Maqedoni është përzierja e identiteteve. Nëpër dokumente zyrtare dhe nëpër institucione ndërkombëtare të gjithë shtetasit e Maqedonisë (rrjedhimisht, edhe shqiptarët dhe të tjerët) njihen si “macedonian” (maqedonas), ndërsa edhe kur është fjala për etninë më të madhe në këtë vend, përsëri e kemi emërtimin “macedonian”. Kjo i bie që të gjithë shtetasit e Maqedonisë janë maqedonas për nga shtetësia, ndërsa maqedonasit etnikë janë maqedonas edhe për nga etnia. Por, kjo është diskriminuese për etnitë e tjera, sepse nuk ka asnjë distinksion që e dallon identitetin etnik prej atij shtetëror të maqedonasve etnikë. Për këtë arsye duhet të bëhet një ridefinim edhe i identiteteve etnike dhe i identitetit shtetëror. Edhe pse, duhet theksuar, as maqedonasit vetë nuk janë unikë se çka nënkupton identiteti etnik “maqedonas”: sipas VMRO-DPMNE-së, maqedonasit janë pasardhës të maqedonasve antikë të sllavizuar, ndërsa sipas LSDM-së ata janë vetëm sllavë. Por, të gjithë ata janë në ujdi se secili që jeton në Maqedoni duhet të jetë “maqedonas” për nga shtetësia.

SHQIPTARËT DHE RIDEFINIMI

Përveç vendosmërisë blanco të të gjithë shqiptarëve dhe subjekteve politike shqiptare të Maqedonisë për anëtarësimin në NATO, këtu duke pasur parasysh edhe nevojën panshqiptare që të jenë të mbrojtur nga forca antishqiptare lindore, e vërteta është se partitë shqiptare në Maqedoni nuk kanë dhënë gati asnjë ofertë në lidhje me problemin e emrit dhe, madje, shpesh janë sjellë me indiferencë sikur emri i shtetit të jetë interes vetëm i etnisë maqedonase. BDI-ja, përkitazi me problemin e emrit, herë është sjellë si autsajder i ardhur nga Marsi, që nuk e di se ka një problem të tillë në këtë vend (si ajo përgjigja e kryetarit të saj se këtë problem e ka marrë vesh më 2004) e herë ka dashur të aktrojë zhvatjen ndaj maqedonasve, duke bërë kontakte të drejtpërdrejta me grekët në Athinë, por kurrë asnjëherë nuk u dëgjua një propozim i saj se çfarë mendon ajo përkitazi me këtë temë. Ka qenë komike paraqitja e kryetarit të kësaj partie njëherë në TV, kur shpjegonte se “Nikolla më ka thënë ‘si të vjen ty nëse dikush do me ta ndërru emrin?’”, duke shprehur injorancën e tij sikur kjo temë ka të bëjë me një njeri, një parti ose një etni. Nga ana tjetër, PDSH-ja gati se nuk ka thënë asgjë për këtë temë, pos përsëritjes së refrenit “jemi për NATO” dhe një gafi se “këtë temë le ta zgjidhin maqedonasit”, që e ka thënë dikur kryetari i kësaj partie.

Ndonëse pak është dëgjuar dhe më shumë është satanizuar e demonizuar, dalja në skenë e Lëvizjes BESA e ngriti temën e emrit në rrafsh tjetër. BESA tha se kjo temë nuk i përket asnjë partie e asnjë etnie në veçanti, por se është çështje që i tangon të gjithë qytetarët e këtij vendi ose të gjithë shtetasit e tij, sepse nesër të gjithë ata do të identifikohen me emrin e ri të shtetit. Dhe, në frymë të ridefinimit, BESA kishte kërkuar deetnizim të shtetit – atë që kryeministri mundohet ta shesë sot si model qytetar, por duke e mbuluar kështu shtetin monoetnik – dhe ndërtimin e një shteti të përbashkët që nuk ka lidhje specifike me asnjërën etni ose që është neutral ndaj të gjitha atyre. Diçka si koncepti amerikan ose zviceran, pa nënkuptuar këtu edhe rregullimin e brendshëm shtetëror, por vetëm identitetin e përbashkët mbietnik shtetëror. Ose, edhe më afër dhe më saktë, si Kosova, ku emri i shtetit nuk asosocon në asnjërën etni dhe ku identiteti shtetëror është i përbashkët për të gjitha etnitë. Në të vërtetë, propozimi i BESËS ka qenë që emri i ri i shtetit, si edhe simbolet e tij, të mos kenë lidhje me asnjërën etni në mënyrë specifike, madje as të mos aludojnë në ato, që kështu të mund të ndërtohet një identitet i përbashkët shtetëror dhe, kështu, shqiptarët dhe etnitë e tjera ta gjejnë veten të përfaqësuar në atë identitet. Por, BESA ka qenë dhe mbetet në qëndrimin se ky ridefinim ose riemërtim i shtetit të mos e prekë etninë maqedonase (sido që ta perceptojnë ata veten), sepse fundja askush nuk ka të drejtë askujt t’ia mohojë të drejtën ta ndjejë dhe perceptojë veten si pjesëtar i një etnie të caktuar. Në këtë mënyrë shteti mund të kishte një emër neutral, si “Kosova”, identiteti shtetëror në bazë të atij emri do të ishte si “kosovarë” (që është vetëm identitet shtetëror dhe joetnik), ndërsa brenda tij do të kishim maqedonas dhe gjuhë maqedonase, shqiptarë dhe gjuhë shqipe, turq dhe gjuhë turke e kështu me radhë.

Me këtë propozim ne do të bënim dy zgjidhje: në planin global do ta ndihmonim inkuadrimin në NATO, ndërsa në plan të brendshëm do ta ridefinonim shtetin që të jetë i pranueshëm për të gjithë dhe jodiskriminues ndaj asnjë etnie, madje i gatshëm për t’i shuar fërkimet etnike, që e kanë lëkundur jo pak herë kohezionin e brendshëm ndëretnik në vend.

RIDEFINIMI TASHMË KA FILLUAR

Sido që të bëhet, do të duhej që shqiptarët e Maqedonisë ta kenë versionin dhe ofertën e tyre për emrin e shtetit, sepse ajo zgjidhje e nënkupton edhe identitetin e përbashkët shtetëror dhe shtetin e pasaportave të tyre. Dhe, sado që ziliqarët, injorantët dhe të a.q. analistë mund ta mohojnë, kjo që ndodhë në Maqedoni, as më shumë e as më pak, është vetëm RIDEFINIM. Dhe, autorit të këtij teksti (edhe si përfaqësues i subjektit që e promovon këtë koncept) i vjen mirë që megjithatë – pa marrë parasysh se kjo nuk njihet si mirënjohje për BESËN – RIDEFINIMI tashmë ka filluar. Natyrisht, na vjen keq që në vend se kjo të bëhej me dashamirësi dhe në interes të kohezionit të brendshëm ndëretnik, në vend se vetë maqedonasit dhe partitë e tyre ta inicionin këtë dhe në vend se partitë e tjera shqiptare ta kishin idenë se për çka është fjala dhe cili duhet të jetë synimi, kjo po bëhet më shumë me kërkesë të ndërkombëtarëve. Por, edhe kjo e ka një të mirë – të gjithë ata ndërkombëtarë, që – duke mos e kuptuar – e kishin djallëzuar konceptin e RIDEFINIMIT, tashmë janë bindur se vetëm RIDEFINIMI i definicioneve të gabuara për Maqedoninë mund ta bëjë këtë vend të integruar dhe të prosperuar. Populli do të thoshte “Më mirë vonë se kurrë!”.

Dhe, ky RIDEFINIM jam i sigurt se do të vazhdojë edhe në sfera të tjera të shtetndërtimit. Alternativë tjetër nuk ka. Vetëm një Maqedoni e ridefinuar është projeksioni i një Maqedonie të pranuar nga të gjithë dhe të gatshme për t’u ballafaquar me sfidat që i sjell e ardhmja. (koha.mk)

(Autori është nënkryetar i Lëvizjes BESA)

In : Aktuale

Loading...
loading...