Sela në Strugë,Kasami në Tetovë

Përderisa tek Aleanca për Shqiptarët, Zijadin Sela, është shumë afër konfirmimit, tek Lëvizja BESA burime të sigurta partiake thonë se nëse Dega e Tetovës do ta ketë si propozim të vetëm kandidaturën e kryetarit Kasami, atëherë i njëjtë edhe do kandidohet. Nga ana tjetër, BDI do të garojë me figura të larta partiake, duke tentuar ti mbaj komunat e mëdha tek shqiptarët

Partitë politike shqiptare momentalisht janë në fazën më sensitive për gjetjen e kandidaturave sa më adekuate për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 15 tetor të këtij viti, shkruan gazeta KOHA. Këto zgjedhje po shihen si test për të konfirmuar mbështetjen që patën në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar si PDSH dhe Lëvizja BESA, ndërsa BDI dhe Aleanca për Shqiptarët kanë synime të rrisin numrin e votave në zgjedhjet lokale. Risi në këtë garë do të jetë ajo që dy kryetarë partish do të sfidojnë BDI-në në dy qytete. Zijdain Sela i Aleancës për Shqiptarët dhe Bilall Kasami i Lëvizjes BESA me gjasë mund ti prijnë garës – njëri në Strugë dhe tjetri në Tetovë.

Përderisa tek ASH, Sela është shumë afër konfirmimit, tek Lëvizja BESA burime të sigurta partiak thonë se nëse Dega e Tetovës do ta ketë si propozim të vetëm kandidaturën e kryetarit Kasami, e njëjta do të shqyrtohet seriozisht në parti dhe do të miratohet. Nga ana tjetër, përderisa në këtë parti në shumicën prej komunave përfliten disa kandidatë, ndërsa në Komunën e Tetovës nuk ka pasur ndonjë zë serioz për kandidat përveç Kasamit, jep të kuptojë se kandidatura për këtë qytet ndër më të rëndësishmit tek shqiptarët në Maqedoni është e rezervuar për kryetarin e BESËS.

Nëse do të dalin vetë kryetarët e dy partive, ka zëra se ASH me Lëvizjen BESA janë më shumë afër të ndihmojnë njëra-tjetrën në rrethine dytë zgjedhor jo vetëm në Strugë, por dhe në Tetovë edhe në komunat tjera si në Çair dhe Likovë, ku BESA ka pretendime të mëdha. Kjo, pasi ASH edhe pse është në koalicion me BDI-në në Qeveri, përveç Kërçovës kur tashmë dihet se partia e Selës nuk do të dalë me kandidat, por do të përkrah Fatmir Deharin, në komunat tjera nuk ka shenja se do të kenë bashkëpunim. BDI, siç ka raportuat kohë më parë gazeta KOHA, do të delë më figura të forta partiake, duke mos përjashtuar as persona tjerë të afërt me këtë parti e që kanë ndikim në elektorat. Zakonisht, BDI kur bëhet fjalë për gjetjen e kandidaturave – ka një përvojë të theksuar dhe dinë të godasin në moment të fundit duke i lexuar dhe kandidaturat e partive rivale. Kështu që, në Tetovë ka shumë mundësi që në garë të jetë përsëri Teuta Arifi, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që garës t’i kthehet edhe Hazbi Lika, ish-kryetari Tetovës dhe tani zëvendëskryeministër për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Përveç këtyre dyve, kandidaturë më serioze brenda BDI përflitet edhe Ibrahim Dehari, biznesmen dhe profesor universitar. Në Tearcë, në BDI për kandidat flitet të jetë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu. Në Çair do të jetë një kandidaturë tjetër që nuk identifikohet shumë më degën e kësaj partie – ai i zëvendësministrit të Arsimit, Visar Ganiu. Në Saraj, kandidat më serioz është Bashkim Ahmeti, ish-ministër i Ekologjisë në Qeverinë teknike, ndërsa në Likovë – kandidat më serioz janë Lirim Shabani, por që nuk përjashtohet mundësia e kthimit në garë të nënkryetarit të partisë Sadulla Duraku, ministër aktual i Ekologjisë. Në Likovë, BDI mund të surprizojë dhe me ndonjërin nga punonjësit e saj që mund të vijë nga fshati Mateç – fshati i dyti më i madh pas Sllupçanit në këtë Komunë. Në Vrapçishtë ka më shumë gjasa të kandidohet për një mandat të tretë Bajram Kadrija. Në Gostivar përsëri do të jetë nënkryetari i partisë Nevzad Bejta, ashtu sikurse në Dibër – kryetari aktual Ruzhdi Lata, kurse Kërçovës dihet tashmë që do ti prijë përsëri Fatmir Dehari.StrugaLajm

Në Strugë, kandidati më serioz i BDI-së tani për tani është ish-kryetari i kësaj komune, Ramiz Merko, njeriu më me ndikim që flitet se mund ta kthejë Strugën nën Qeverisje të BDI-së. Megjithatë, në BDI në fund të fundit – pas analizave të brendshme – figurat e forta do të kandidohen aty ku kanë gjasa më reale të shkojnë në rreth të dytë e diku të fitojnë që në rrethine parë, siç ka ndodhur rëndom në disa palë zgjedhje nga viti i largët 2002. Aleanca për Shqiptarët ka disa ditë që ka marrë ketë emër dhe zyrtarisht nga Gjykata e Tetovës, ku tash e tutje nuk do të kemi më LR-PDSH. Por Aleancës për Shqiptarët nuk pritet ti bashkëngjite RDK e Vesel Memedit dhe as kryetari I UNITETIT, Gëzim Ostreni, por tek partia e këtij të fundit – nënkryetari Zylfi Adili dhe shumica e strukturave partiake do të kalojë në ASH, kur Adili deri në fund të javës tjetër pritet të merr post të lartë partiak, ndërsa ai aktualisht është emëruar Sekretar shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë.

Megjithatë, Adili flitet të jetë kandidat i mundshëm për kryetar komune në Studeniçan. Sa i përket emrave, përveç Strugës që dihet se do të kandidojë kryetari Sela, në Gostivar edhe pse kohëve të fundit ka pasur zëra se do të jetë Halil Snopçe, gazeta KOHA referuar burimeve anonime në këtë parti merre vesh se në fund – megjithatë garës do ti prijë Arben Taravari, ministri aktual i Shëndetësisë. Kjo, për faktin se ASH synon ti fitojë katër komunat kryesore në Perëndim të vendit: Strugën Dibrën Gostivarin dhe Vrapçishtën, ndërsa Taravari shihet si më duhuri të shkojë në rreth të dytë ngaqë rivaliteti do jetë i ashpër me BDI-në dhe BESËN. Nga ana tjetër, nga BDI kanë Nevzad Bejtën, po ashtu një figurë me jo pak suksese në Gostivar dhe me mbështetje të gjerë partiake. ASH synim kryesor ka dhe Dibrën, edhe atë me mjekun e njohur Arben nga i cili presin sigurt të kalojë në rreth të dytë. Në Çair, ASH me gjasë do të garojë me kryetarin e Degës, Faruk Abdiu, ndërsa në Tetovë – emri që përflitet, por që ende është larg nominimit – është ai i biznesmenit Hasan Hajrullahu. Bazuar edhe në votat në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe pritshmëritë në opinion, Lëvizja BESA do ta sfidojë më se seriozisht BDI-në pothuajse në të gjitha komunat shqiptare, por që më synim janë Tetova, Çairi, Likova, Haraçina dhe Saraji. Përveç Kasamit në Tetovë, kandidat është edhe kryetari i Degës, Arif Selmani, ndërsa në Tearcë përflitet Amir Elezi dhe në Haraçinë, Ali Ismaili. Në Çair, përveç anëtarit të Kryesisë, Kastriot Rexhepi, në garë është edhe Bekim Sali, mjek i njohur në këtë komunë dhe kryetari Degës së kësaj partie. Lëvizja BESA në Likovë kandidat do të ketë Shaban Zendelin, me të cilin pretendimet janë të mëdha se do të shkojë në rreth të dytë, bile se do të dalë edhe i pari, meqë atij së fundmi i ka dhënë përkrahje edhe Murtezan Ismaili nga fshati Llojan, i cili ishte në garë të ngushtë në zgjedhjet e kaluara me Sadullla Durakun nga BDI. Murtezani dhe Zendeli prej kohës janë miq të vjetër dhe kjo dyshe, nga shumë anëtarë të BESËS llogaritet se do ta fitojë sigurt këtë komunë – një bastion BDI-së prej vitit 2002 e këndej. Nga ana tjetër, PDSH synim ka Tetovën, edhe atë me deputetin dhe nënkryetarin Bardhyl Dauti, ndërsa do të ketë kandidat edhe në të gjitha komunat tjera, kurse synim ka të mbaje edhe Studeniçanin me kryetarin aktual, Azem Sadiku. PDSH llogaritet si kyçe në rreth të dytë se kujt do ti ofrojnë mbështetje, ndërsa në këtë parti e përjashtojnë bashkëpunimin atë vetëm me Aleancën për Shqiptarët.

 

In : Aktuale

Loading...
loading...