Semafori dhe Shqiptari

Çdokush frikohej nga shqiptari edhe ai që nuk kishte takuar kurrë një qenie me këtë identitet. Vet emri përhapte frikë dhe urrejtje të paparë. Propaganda serbe kështu mallkoi, djallëzoi dhe i armiqësoi shqiptarët me gjithë botën

Nga Shaqir Islami

Vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar – fill pas vdekjes së Titos – e nisi vazhdimin projekti i lënë më gjysmë të ndërtimit të Serbisë së Madhe dhe të Megalo Greqisë. Sa herë që nisin të zhvillohen këto dy projekte – me një lehtësi të padurueshme aktivizohet tema e Shqipërisë së Madhe nga vet “patriotët e flakët dhe nacionalistët shqiptarë”. Gjithmonë ka funksionuar kështu, sa më shumë që përtypet mes shqiptarëve ideja e Shqipërisë së madhe,” aq më shumë tkurret atdheu ynë” – kështu thoshte ndjerë pastë vjershëtori i Dukagjinit Ali Podrrimja, me nofkën e famshmemes miqve të afërm, si ‘AliTaliani’. Lexojani vjershat në librin që kullon gjak nga atdhedashuria “Tkurrja e Atdheut”

Propaganda kundër çdo gjëje shqiptare nisi në universitetin e Prishtinës më tetëdhjetë e njëshin e famshëm, mu atëherë kur shqiptarët e mbarë Jugosllavisë qenë në majën e zhvillimit, të arsimimit dhe të mirëqenies! Prishtina qe, Meka e Shqiptarëve! ‘Pa prit e pa kujtu’, nisën” demonstratat dhe protesta e studentëve” dhe ne u etiketuam si kundërrevolucionarë, djallëzorë, zullumqarë dhe shkatërrues së paqes dhe rrënues të shtetit që quhej Jugosllavi. Dhe hop, të gjithë popujt u shndërruan në armiq tanë. Të gjithë na fajësonin si shkatërrues dhe zullumqarë.

Në këto binarë u menaxhua mendimi i publikut të brendshëm dhe ai ndërkombëtarë kundër çdo gjëje shqiptare. Të gjithëve na futën në një thes, të gjithë ndjeheshim fajtorë për atë që ndodhte! Shqiptarët ‘jo-mirënjohës’ në Jugosllavi u shfaqën si armiq të brendshëm dhe djallëzor të shtetit që gëzonte të gjitha simpatitë si në Perëndim ashtu dhe në Lindje të globit.

Makineria e sofistikuar Serbe e propagandës u vunë lëvizje kundër shqiptarëve në mbarë shtetin e Jugosllavisë. Monopoli komunist i mediave të shtypit, TV’-së dhe Radios u vunë në shërbim të propagandës Serbe. Dhe për shqiptarët e dobët dhe fukara çdo gjë u përmbys dhe nisi të shkojë në të s’amës. Të gjithë popujt dhe grupet shoqërore në atë shtet ishin dushmanë të shqiptarëve, ndërsa ne qemë më fukaratë dhe më të paditurit e atij shteti. Me një fjalë ishim më të dobëtit. Nacionalistët shqiptarë u vunë në shërbim të makinerisë së fuqishme propagandistike Serbe. Shqiptarët talleshin, përbuzeshin, rriheshin, burgoseshin, hetoheshin, … me një fjalë i ishin nënshtruar një dhune fizike dhe psikologjike të paparë në hapësirat euro-atlantike. Barcoletat vlonin dhe zienin në komunikimin me masën në sferën publike, operacionet psikologjike falsifikonin tregime si me tema qesharake aq edhe frikësuese; dhe tregimet djallëzore ndaj shqiptarëve jo-falënderues por zullumqarë pushtonin faqet dhe lajmet elektronike në çdo cep të atij shteti. Çdokush frikohej nga shqiptari edhe ai që nuk kishte takuar kurrë një qenie me këtë identitet. Vet emri përhapte frikë dhe urrejtje të paparë. Propaganda serbe kështu mallkoi, djallëzoi dhe i armiqësoi shqiptarët me gjithë botën. Pra, i shpërfytyroi nga çdo vlerë njerëzore dhe ua veshi shqiptarëve imazhin e shejtanit zullumqarë.StrugaLajm

Më shumë se një shekull, shqiptari është temë e kësaj propagande të egër. Kjo temë daton dhe më herët, diku pas pjesës së dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë. Një propagandë sistematike është kujdesur që një popull fisnik, bujar dhe sojli ta shndërrojë në një konglomerat të çnjerëzuar, të djallëzuar, të pavlerë dhe zullumqarë. Synimi kryesor është që egjithë bota të na ketë frikë dhe të na përbuzë si sojin më të dehumanizuar në Ballkan. Dhjetëvjeçarin e fundit teknologjia e komunikimit e ka sofistikuar këtë sipërmarrje propagandistike aq shumë, sa që edhe vet shqiptarët janë aktorë të çnjerëzimit të vetvetes.

Propaganda aq shumë është zhvilluar dhe përparuar falë teknologjisë së komunikimit dhe natyrisht se, është i maskuar mes nesh si nacionalizmi dhe patriotizmi shqiptar. Dhe të gjitha idetë dhe temat e shkombëtarizimit të shqiptarëve burojnë nga “nacionalistët shqiptarë”. Sot, mes nesh është vështirë ta ndash patriotin nga tradhtari. Propaganda e ka mjegulluar aq shumë këtë kufi sa që tradhtarët mbarojnë me përmendore nëpër sheshe, ndërsa patriotët shlyhen me vizë të kuqe si tradhtarë.StrugaLajm

S’do shumë mend se, ideja e krijimit të “Shqipërisë së madhe” është prodhim i propagandës antishqiptare. Ky është thelbi i copëtimit dhe shkombëtarizimit tonë. Shumë tema gjuhësore, fetare, politike, kulturore, ekonomike, shoqërore dhe historike janë prodhime të propagandës zhbërës të identitetit Shqiptar. Dhe për fat të keq këto tema rrënuese të traditave, vlerave dhe besimeve tona, tashmë burojnë nga mediat, qarqet akademike, universitare, gazetareske, artistike, fetare dhe eksperte brenda sojit tonë. Ne nuk kemi nevojë për armik! Na vet jemi armiq të vetvetes! Dhe kjo dukuri funksionon si një makinë e përsosur për shkombëtarizimin e identitetit tonë Shqiptar.

Shqiptarët janë një popull që ka konsumuar dhe konsumon propagandën si narkomanët. Lirisht mund të thuhet se jena vartës të propagandës. Dhe kjo dukuri vazhdon, sot e kësaj dite.

Ky është një tregim shumë i dhimbshëm për një popull që shkombëtarizohet më së shumti nga patriotët, nacionalistët, akademikët, intelektualët, gazetarët, artistët, … të cilët shtiren si bijtë e vet – përkundrazi janë argatë të vet djallit!

Kërkoj falje, nga lexuesit e shkrimeve të mia … për pak e harrova barcoletën shumëpërfolur e tetëdhjetave të shekullit të kaluar. Ja, kështu dëfreheshin dhe bënin humor popujt sllavë në ato kohëra komunizmi me humor të prodhuar enkas nga zyrat e propagandës Serbe: shtrohej pyetja se: Çfarë dallimi ka mes semaforit dhe Shqiptarit ?

Përgjigja ishte: Asnjë dallim nuk ka mes tyre, përveçse që të dytë punojnë 24 orë në javë! Shqiptarët ishin të detyruar të punojnë pa orar pune në një shtet komunist, ku shumë pak punohej dhe sidomos fëmijët nuk guxonin të punojnë ligj. Vetëm për shqiptarët e nëpërkëmbur nuk vlente as ligji as ideologjia komuniste. Jashtë botës së propagandës, shqiptarët ende punojnë si semaforë dhe sot e kanë shkelur botën euro-atlantike me punë dhe nder – dhe natyrisht që ka edhe nga ata që pasurohen me më pak nder. Por, prania e kurbetçinjve në trojet tona na thotë qartë se, mirëqenia vjen me punë si semafori dhe jo me pallavra propagandistike.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

In : Aktuale

Loading...
loading...