Shkrimtarit nga Struga, Resul Shabani i botohet në maqedonisht romani

Lexuesit maqedonas tani kanë mundësinë të takohen me versionin e ri të romanit “Dashuria e kapitenit”, me kurreshtjen e posaçme për faktin se ai paraqitet në kontekstin aktual të zhvillimit të romanit bashkëkokohor dhe inicon lexim të ri të veprës

Shkup, 16 nëntor – Këtyre ditëve është botuar maqedonisht romani i mirënjohur “Dashuria e kapitenit” i poetit, prozatorit, dramaturgut dhe përkthyesit Resul Shabani. Ky roman fillimisht është botuar për herë të parë në gjuhën shqipe para 35 viteve, nga shtëpia botuese “Flak e Vëllazërimit” në Shkup, dhe është ribotuar në vitin 1992 dhe 2004. në versionin maqedonisht ky është botimi i dytë.
Krtika letrare e ka vlerësuar këtë roman si një prurje mjaft origjinale në prozën bashkëkohore. Është thënë se në romanin e tij “Dashuria e Kapitenit”, Resul Shabani përshkruan portin e Liqenit të bukur, urtësinë e profesorit dhe kapitenit, pajtonin dhe pajtonxhiun Gano, tavernën buzë Liqenit të Haxhi Eminit bashkë me sheshin e qytetit dhe urën në mes, që janë pikat kryesore të ngjarjeve të këtij romani, që është thurrur si një varg prej nga dalin fjalët e naratorit të talentuar dhe përshkrimit të profesor Naimit, kapitenit Talit, kafexhisë Karagjozit, kamarieres Morena, hebraikes së bukur Berta- gruaja e Karagjozit si dhe agjentit policor të Gestapos, Gentit, majorit nazizst si dhe ndonjë personazhi sporadik të romanit.

Romani “Dashuria e Kapitenit” është mirëpritur edhe nga kritika letrare maqedonase.

“Një vend të rëndësishëm në opusin e shkrimtarit Resul Shabani, zë edhe romani “Dashuria e kapitenit”, i cili shënjon linjat karakteristike të profilizimit krijues të këtj autori .
Lexuesit maqedonas tani kanë mundësinë të takohet me versionin e ri të romanit “Dashuria e kapitenit”, me kurreshtjen e posaçme për faktin se ai paraqitet në kontekstin aktual të zhvillimit të romanit bashkëkokohor, që inicon lexim të ri të veprës, analazë dhe interpretim nga aspekti i definimit të qartë në kierarkinë e vlerave. Mbi të gjitha  bëhet fjalë për vepër e cila etablimin e vet po e dëshmon në nivelin  e të arriturave më të reja në këtë zhanër, si temë, strukturë dhe si realizim estetik.
Niansat e asaj që do të ndodhin në roman, si dramë të ngjarjeve, paralajmërohen në kuadër të rrjedhës kryesore, që në fillim të kësaj vepre.
….
Fabula e romanit, në pjesën kryesore të saj, zhvillohet në një hark të shkurtër kohor në formë të kohës së dendësuar e cila ngjizet përmes reminishencave të bartësve të linjës narrative. Dendësimi i kohës në roman, është veçoria kryesore e Resul Shabanit dhe ajo duhet interpretuar si shenjë dalluese stilistike, sipas modelit të krijimit të romanit modern.StrugaLajm

Në romanin e Resul Shabanit personazhet janë autentikë, me mvetësitë e tyre karakterologjike, siç janë profesori dhe kapiteni, por edhe personazhet tjerë të dhënë në një plan-skicë, siç është, bie fjala bashkëshortja e kapietinit. Pa dyshim që kapiteni është kundërthenia më e veçantë në të gjitha këto ngjarje, të cilat, në planin global, në thelb, gjithashtu nuk janë  gjithaq larg këtij cilësimi. Kapiteni është katalizator i vaçant i ngjarjeve në të cilat është i denuar të përballojë gjithçka dhe vetëdijshëm të futet në ato rreziqe, deri në vdekjen e tij, i bindur se duhet të mbetet vertikalisht para sfidave, para rrufesë,  siç është edhe lisi i lartë në pyll, duke e reduktuar filozofinë jetësore në një sentencë, qenësore për karakterin e tij: ” ikja s’është asgjë tjetër, përpos dobësi”. Së këndejmi ai edhe nuk mundet ta kuptojë mikun e tij, profesorin, i cili, nga ana e tij, largimin e spjegon si nevojë e patjetërsueshme që nuk ka alternativë.
Është fakt se tërë romani fabulën e tij e shtrin përmes përpjekjes për ndarje e cila vazhdimisht shtyhet për t’u rrëfyer tregimi, i cili po thuajse nuk ka një përfundim të prerë, siç është edhe jeta përgjithësisht. Kapiteni në një rast thotë: “Jeta më ka mësuar në ndarje” , por ai megjithatë insiston që ajo ndarje  me mikun të mos ndodhë tani dhe në atë mënyrë. Në këtë dramë, faktikisht, ka largim nga vetë jeta (vrasja e kapitenit dhe zonjës Berta), por edhe atëherë shumë çështje ngelin të hapura, madje edhe shumë më shumë pas aktit të tillë, që e konfirmon të vërtetën se kjo vepër ka shtri një rrëfim shumështresor –  me ngatërrimet dhe rrugëzgjidhjet e veta”. (Vele Smilevski, pjesë nga pasthënia e romanit)

Për krijimtarinë origjinale dhe për përkthimet, Resul Shabani  ka marrë disa çmime:”Çmim shtetëror për kontributin në njohjen reciproke të kulturave Nëna Tereze”,  “Çmim *Mjeshtër i përkthimit*” (SHSHM dhe SHPLM); “Çmim *Kurora poetike*” në Festivalin “Netët Korçare të Poezisë”; “Çmim *Abdylazis Islami*” – për përkthimin shqip të librit poetik “Hijet e Atdheut” të poetit Rade Siljan; “Mirënjohje për kontributin në veprimtarinë e festivalit *Këngë Jeho*”(Strugë); “Mirënjohje për kontributin në dramaturgjinë dhe teatrin shqiptar” (Teatri Amerikan-shqiptar); “Çmim shtetëror *11 tetori*” – për kontribut të theksuar në lëmin e letërsisë dhe kulturës, etj. Së fundi ka përkthyer, nga shqip në maqedonisht dhe anasjelltas, antologjinë e poetëve të Akademisë të Kosovës të shkencave dhe të Arteve dhe Akademisë Maqedonase të shkencave dhe Arteve, për të cilën Qyteti i Shkupit, e ka nderuar me çmimin “13 Nëntorit” për vitin 2018.

Romanin “Dashuria e kapitenit” e botoi shtëpia botuese “DIJALOG” në Shkup, kurse përkthimi është nga vet autori.


Loading...
loading...