Shqipëria të kushtozojë Maqedoninë me votë për në Nato

Një vit më pas “Platformës së përbashkët” dhe 7 muaj pas qeverisë së përbashkët në Shkup, nuk kemi të realizuar as kërkesën e parë dhe as kërkesën e dytë. Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ndoqi metodën e njohur të të gjithë paraardhësve të tij, që i futën partitë politike shqiptare të zihen me njëri-tjetrin për postet qeveritare dhe të harrojnë platformën dhe kërkesat e saj kryesore dhe jetike

Nga Shaban MURATI

Në 7 janar u mbush një vit nga shpallja e “Platformës së Përbashkët” të partive politike shqiptare lidhur me pjesëmarrjen e tyre në qeverinë e Maqedonisë. Pranimi i kësaj platforme nga kryeministri Zoran Zaev i dha fund krizës qeveritare dhe lejoi atë të formonte qeverinë, e cila po vazhdon të funksionojë, megjithëse kryeministri i Maqedonisë luajti blofin dhe, pas kapërcimit të lumit të krizës me kalin shqiptar, përdori shprehjen e famshme shqiptare kur kalon lumin. Partitë politike shqiptare, që marrin pjesë në koalicionin qeveritar në Shkup, harruan dy çështjet kryesore, që përmban “Platforma e Përbashkët”, e nënshkruar prej tyre për kushtet e hyrjes në qeveri dhe konkretisht:

– Arritja e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën.StrugaLajm

– Zbatimi i përpiktë i parimit të multi-etnicitetit në Kushtetutën e RM, ku shqiptarët njihen si popullsi shtetformuese.

Arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se “gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë”.StrugaLajm

Një vit më pas “Platformës së përbashkët” dhe 7 muaj pas qeverisë së përbashkët në Shkup, nuk kemi të realizuar as kërkesën e parë dhe as kërkesën e dytë. Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ndoqi metodën e njohur të të gjithë paraardhësve të tij, që i futën partitë politike shqiptare të zihen me njëri-tjetrin për postet qeveritare dhe të harrojnë platformën dhe kërkesat e saj kryesore dhe jetike. Në kohën që kryeministri i Maqedonisë nuk ndërmori realizimin e premtimeve, që u bëri partive politike shqiptare, në sajë të të cilave u bë kryeministër, ai përkundrazi u bëri lëshime të mëdha dy shteteve fqinj të Maqedonisë, që nuk patën asnjë kontribut në zgjidhjen e krizës qeveritare dhe në ardhjen e tij në pushtet. Lëshimi i parë iu bë Bullgarisë, ku kryeministri Zaev me shpejtësi nënshkroi në 1 gusht 2017 Traktatin e Miqësisë me Bullgarinë, traktat i cili kishte mbetur në frigorifer prej 10 vitesh dhe kryeministri pranoi që Shkupi të heqë dorë nga historia dhe nga personalitetet bullgare, të cilët Maqedonia kishte 26 vjet, që i keqpërdoronte. Lëshimi i dytë i madh dhe më i rëndësishëm iu bë Greqisë lidhur me emrin, ku sipas burimeve diplomatike kryeministri Zaev ka pranuar formulën greke për emrin e shtetit të vet. Këtë zhvillim të ri e paralajmëroi edhe kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras në 5 janar, kur deklaroi se, “Greqia ka një dritare oportuniteti në 2018-ën të zgjidhë çështjen e emrit me Shkupin”. Lëshimi i Shkupit ndaj Greqisë çliron rrugën nga bllokimi, që Greqia i ka bërë anëtarësimit të Maqedonisë në NATO qysh nga viti 2008 në samitin atlantik të Bukureshtit. Lëshimi ndaj Bullgarisë hap rrugën për heqjen e kërcënimit bullgar të bllokimit të Maqedonisë në BE, nëse nuk plotëson kërkesat bullgare për historinë dhe për emrin. Tani duket se Maqedonia e ka rrugën të hapur për anëtarësim në NATO, pasi plotësoi kushtet, që i patën vendosur asaj edhe Greqia, edhe Bullgaria. Por, kryeministri i Maqedonisë nuk ka plotësuar ende kushtet e partive politike shqiptare të “Platformës së përbashkët” në bazë të të cilave ai qëndron si kryeministër. Sepse pa pjesëmarrjen e partive politike shqiptare në qeveri, ai rrëzohet që të nesërmen. Mirëpo balanca e fajit për mosplotësimin e kushteve të “Platformës shqiptare” nuk anon aq shumë tek Zaevi, se sa tek partitë politike shqiptare, që janë familjarizuar me injorimet kombëtare të qeverive maqedonase. Vazhdon të ndodhë ajo që ka ndodhur gjatë 26 viteve me partitë politike shqiptare, që tregohen revolucionare para se të hyjnë në qeveri dhe kur bëhen pjesë e qeverisë e lenë revolucionarizmin në shtëpi.

“Platformën e përbashkët” të partive politike shqiptare në Maqedoni e ka përkrahur fuqishëm edhe Shqipëria. Shqipëria ishte edhe një nga faktorët e zgjidhjes së krizës qeveritare në Maqedoni vitin e kaluar. Në qoftë se partitë politike shqiptare neglizhojnë kërkesa të tilla jetike si statusi shtetformues dhe statusi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni është detyrë e shtetit shqiptar që të jetësojë mandatin kushtetuese për realizimin e të drejtave të popullit shqiptar në Maqedoni. Ndaj në situatën që po zhvillohet në Maqedoni mendoj se Shqipëria nuk duhet të tolerojë më politikën e blofit të kryeministrit maqedonas ndaj “Platformës shqiptare”. Së pari, qeveria maqedonase ka një borxh të madh historik të pashlyer ndaj partive politike shqiptare për krijimin dhe ekzistencën e Maqedonisë. Së dyti, qeveria e Zaevit ka një borxh të pashlyer edhe ndaj partive politike shqiptare, edhe ndaj Shqipërisë, që e bënë kryeministër. As partitë politike shqiptare dhe as Shqipëria nuk mund të justifikohen se e dhanë ndihmën për kapërcimin e krizës qeveritare maqedonase, sepse ia kërkoi faktori perëndimor. Vërtet që faktori perëndimor e kërkoi ndihmën për kapërcimin e krizës, por faktori perëndimor kurrë nuk ka tha se nuk duhet të kërkoni gjë. Janë dy gjëra të ndara: këshilla për të ndihmuar zgjidhjen e krizës dhe aftësia e shtetit shqiptar për të kërkuar të drejtat e statusit shtetformues për popullin shqiptar në Maqedoni dhe të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, që të sanksionohen në Kushtetutë.

Nëse Shqipëria e dha falas ndihmën për zgjidhjen e krizës qeveritare në Maqedoni dhe për ardhjen në pushtet të Zaevit, nuk mundet kurrsesi ta japë falas votën për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Asnjë logjikë diplomatike, politike, historike, kombëtare dhe e së drejtës ndërkombëtare nuk mund të pranojë që Shqipëria ta japë votën e saj për Maqedoninë në NATO pa zbatimin e normave ndërkombëtare për barazinë midis dy popujve maqedonas dhe shqiptar, të cilët përbëjnë Maqedoninë. Shqipëria duhet ta kushtëzojë votën e saj për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO me plotësimin e kërkesave të “Platformës shqiptare” për statusin shtetformues dhe për statusin shqipes si gjuhë zyrtare e vendit. Shkupi e ka të lehtë t’i realizojë, sepse vetë kryeministri Zaev e pranoi “Platformën Shqiptare” kur formoi qeverinë. Por nëse shteti shqiptar hesht për këto kërkesa, qeveria maqedonase do të justifikohet përpara popullit shqiptar në Maqedoni se vetë Shqipëria nuk po i kërkon. Tirana nuk duhet të harrojë për asnjë moment se çështja e shqiptarëve të Maqedonisë është pas pavarësisë së Kosovës, prioriteti numër një i çështjes së pazgjidhur shqiptare në Ballkan dhe ai prioritet duhet të jetë në themel të platformës së politikës së jashtme dhe të diplomacisë së Shqipërisë. Që në vitin 2012 i kam sugjeruar shtetit shqiptar nevojën e përdorimit të kartës së votës shqiptare për Maqedoninë në NATO. “Kjo kërkon një nivel të lartë kuptimi dhe përdorimi të kartave diplomatike të arta si njohja e emrit apo vota për pranimin e Maqedonisë në NATO, të cilat duhet thënë se janë trajtuar nga Shqipëria jo në shkallën, që kërkon interesi shtetëror dhe kombëtar, duke anashkaluar interesat tona kombëtare në Maqedoni”. (Libri “Shqiptarët e Maqedonisë – prioriteti i çështjes shqiptare”, Tiranë, 2016, fq. 268).

Karta e artë diplomatike e votës për Maqedoninë në NATO nuk duhet të zhvleftësohet nga sindromat infantile të të ashtuquajturit “moderim dhe konstruktivitet në Ballkan”, një alibi e mjerë e kompleksit të inferioritetit, që ka karakterizuar diplomacinë shqiptare të periudhës postkomuniste. Ashtu si njeriu, edhe shteti mund të bëhet krimb, nëse nuk ankohet kur i shkelin interesat. Tirana duhet të nxjerrë pak mësim nga rreshtorja që po i bën Shqipërisë për 26 vjet me radhë Greqia, e cila hapur ka kërkuar dhe po kërkon cedimin në sovranitetin dhe në integritetin shtetëror të Shqipërisë në këmbim të votës së saj për në BE. Ndërsa Shqipëria, duke vënë kushtet e Platformës, nuk i ndërhyn Maqedonisë as në sovranitet dhe as në integritet. Ndaj vota e Shqipërisë për Maqedoninë në NATO nuk duhet të shkojë falas dhe të ndihmojë përsëri qeverinë e Zaevit të kalojë lumin e anëtarësimit me kalin shqiptar, pas të cilit të jeni të sigurt se do të marrim shpërblim fjalinë e famshme të proverbit shqiptar të mosmirënjohjes pas kapërcimit të lumit të anëtarësimit në NATO.


Loading...
loading...