Si u bë shqipja 20% ?

Shkruan: MUHAMED HALILI

Ditëve të fundit krahas mundësisë për ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut nga disa parti opozitare shqiptare u aktualizua edhe ndryshimi edhe i pozitës kushtetuese të gjuhës shqipe.

Një qëndrim të tillë partitë politike shqiptare nuk e mbajtën me rastin e ndryshimeve kushtetuese për nënshkrimin e Marrëveshtjes së Prespës në vitin 2017 me arsyetimin se ndryshimet kanë një objektiv të caktuar : anëtarsimin në NATO dhe BE.

Edhe kësaj rradhe ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë janë kusht evropian për fillimin e bisedimeve me kaptinën 23 (sipas metodologjisë së vjetër) « Gjyqësori dhe të drejtat themelore » por si duket kësaj rradhe pasi shtohen gjasat për zgjedhje të parakohëshme parlamentare një liderit të një partie opozitare i ra ndër mend « Platforma e përbashkët e partive shqiuptare » dhe mospërfllja e deritashme e saj.

Në vitin 2001 unë isha sekretar i përgjithshsëm i PPD-së, bashkëhartues i shumë platformave politike dhe bashkëbisedues aktiv me të dërguarit e BE-së dhe SHBA dhe zavendësministër i jashtëm në MPJ dhe ky është versioni im origjinal i ngjarjeve.

Me paraqitjen e krizës në vitin 2001 u paraqitën edhe dilemat se si duhet zgjidhur ajo. Që t’i ikë internacionalizimit të mëtejmë të kërkesave shqiptare presidenti Trajkovski doli me propozim se forcat politike legjitime në Maqedoni kanë aftësinë e tyre që të gjejnë zgjidhje të problemeve me nisjen e një dialogu i cili do të mund të zhvillohet në Kuvendin e Maqedonisë në komisionin për integrime evro-atlantike ose në tryeza të rrumbullakta të cilat do të bëheshin nën patronatin e tij.

Në fillim këtë propozim e kundërshtoi PPD e cila në dokumentin e titulluar ” Kornizë për negociata për çështjet e hapura të shqiptarëve në Maqedoni” opinionin e patë informuar se “…PPD insiston që bisedimet maqedono-shqiptare të kenë karakter negocues dhe përveç palëve në bisedime të merr pjesë edhe faktori ndërkombëtar (EU, OSBE, NATO dhe SHBA). PPD konsideron se forum për diskutime nuk mund të jetë Komisioni për integrime evro-atlantike në Kuvendin e Maqedonisë e aq më pak Tryeza e rrumbullakët e inicuar nga ana e kryetarit Trajkovski, pa rend dite të përcaktuar që më parë, pa pjesmarrje të faktorit ndërkombëtar dhe pa status të definuar të pjesmarrësve në bisedime…” (Arkivi i PPD-së) .StrugaLajm

Përkundër këtij qëndrimi të PPD-së ajo qe e detyruar të merr pjesë në Tryezat e kryetarit Trajkovski nga presioni që asaj ia bënë faktorë ndërkombëtarë me kërcënim të izolimit të saj nga skena politike. Dëshmi e përmbajtjes së Komunikatës së PPD-së janë edhe konstatimet e mëvonshme të kryetarit të saj Imer Imeri i cili shprehet si vijon:”…Unë në fillim kur pashë se sa cekët duhet të shkonin në zgjidhjet politike, nuk u pajtova në asnjë mënyrë dhe i injorova, në disa takime nuk shkova. Faktori ndërkombëtar bënte presion që të shkonim në takim, pa marrë parasysh se ç’farë do të arrihej dhe ne në disa takime shkuam, në disa nuk shkuam…” (Intervistë Menaj 2004).

Ashtu siç raportonin mediat në gjuhën maqedonishte të asaj kohe si tv A1, gazetat “Vecer”, “Dnevnik” liderët shqiptarë Imer Imeri dhe Arbën Xhaferi nuk kanë marrur pjesë në tryezat e organizuara nga kryetari Trajkovski pas takimit të parë më 9 korrik 2001 si protestë për mospranimin e kërkesave politike shqiptare nga liderët e partive politike maqedonase të cilët në tryezë kishin rënë për ndryshime kozmetike kushtetutare duke mos i hyrë esencës së zgjidhjes së problemit.
Në takimin e fundit në nivel të liderëve të katër partive politike VMRO-DPMNE, LSDM,PDSH dhe PPD ku kanë marrur pjese edhe Solana dhe Robertson më 26 dhe 27 korrik 2001 palët bashkëbiseduese kanë ardhur në përfundim se një dialog politik maqedono-shqiptar pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve ka qenë i pamundur. Edhepse parimisht palët janë pajtuar që bisedimet të rinisin më 28 korrik në Tetovë ato e kanë ndruar për shkaqe sigurie destinacionin e tyre për në Ohër, në vilën Biljana, rezidencë e kryetarit të Republikës.

Në takimin e parë që u mbajtë më 9 korrik 2001 në bisedimet e udhëhequra nga Trajkovski ku kanë qenë të pranishme katër partitë më të mëdha politike si VMRO-DPMNE, PDSH, LSDM dhe PPD pjesmarrës kanë qenë kryetari Imer Imeri . Dokumenti bazë ka qenë ai i shkruar nga eksperti francez Badinter në bashkëpunim me ekspertët maqedonas. PPD dhe PDSH kanë prezentuar dokumentin e tyre të përbashkët ku është kërkuar që Maqedonia të jetë shtet binacional me gjuhë shqipe të barabartë me maqedonishten, përfaqsim proporcional të shqiptarëve në institucionet e shtetit, me krijimin e institucionit të nënkryetarit të shtetit me të drejtë vetoe për çështje të rëndësishme nacionale, me polici lokale që do të reflektojë përbërjen nacionale të popullatës.StrugaLajm

Përfaqsuesit e partive politike maqedonase i kanë hudhur poshtë këto kërkesa përderisa për përfaqsuesit e PPD-së dhe PDSH-së platforma e ekspertëve maqedonas dhe e Badinter-it ka qenë e papranueshme.
Më 10 korrik përfaqsuesve të partive politike në Tryezën e Trajkovskit u bashkangjiten lehtësuesi amerikan Pardew, ai i BE-së Leotar, përfaqsuesi i OSBE-së për minoritete Maks Van der Shtul dhe përfaqsuesi i NATO-s në Shkup Peter Feith.
Më 9 korrik në orët e vona, diku kah ora 20.00h në restoranin “Uranija” e pata ftuar në darkë familjarisht ambasadorin francez François Terral. Më vonë një telefonatë dikush ambasadorit ia vuri në die se lehtësuesi i BE-së François Leotard ka arritur në Shkup dhe ka shprehur dëshirë të na bashkangjitet në darkë. Pasi e shpreha kënaqësine time që ai të jetë pjesë e tryezës, ai erdhi dhe deri vonë në mesnatë mes tjerash këmbyem mendime për krizën politike dhe kërkesat shqiptare. Ky takim spontan i dha lehtësuesit Leotard pasqyrë të qartë se çka ndodh dhe me cilat sfida do të ndeshet më vonë gjatë misionit të tij.

Pasi të dy palët nuk i pranuan platformat e njëri tjetrit e me qëllim të sinkronizimit të qëndrimeve përfaqsuesit ndërkombëtarë ditëve që vijnë ndarazi bëjnë takime me ekspertë të partive politike në bisedime dhe nga negociatorët shqiptarë arrijnë kompromisin që të hiqet dorë nga kërkesa për nënkryetar të shtetit me të drejtë të vetos për çështje që preknin identitetin kombëtar shqiptar si dhe për statusin e popullit konstituent të shqiptarëve. Grupin e ekspertëve të PPD dhe PDSH e përbënin Naser Zyberi dhe Xhevdet Nasufi, ndërsa ky i fundit ishte edhe nënkryetar qeverie.
Tekstin e përmirsuar dhe të korrigjuar të dytë lehtësuesit ua dorëzojnë partive politike më 16 korrik 2001.

Më 17 korrik 2001 televizioni A1 informon se të dërguarit special të BE dhe SHBA Leotar dhe Perdju e dorëzuan versionin e fundit të platformës së tyre për ndryshime kushtetutare. “…Sipas propozimeve të tyre gjuha shqipe e merr statusin e gjuhës së dytë zyrtare. Propozim-zgjidhja e re për çështjen e gjuhës, i cili praktikisht do të thotë shpallje e gjuhës shqipe për gjuhë të dytë zyrtare, e solli dialogun në krizë.
Propozimi që mbrëmë e dhanë Leotar dhe Perdju është i papranueshëm për VMRO-DPMNE dhe LSDM. Kryetari Boris Trajkovski me bisedat telefonike me disa shtetarë botëror u ka sqaruar se ajo çka e ofrojnë lehtësuesit Leotar dhe Perdju faktikisht do të thotë federalizim i shtetit, se është jashtë kornizës së dialogut bazë e të cilit janë propozimet e Badinter.

Draft versionin e fundit mediumet maqedonase si dhe intelektualët e politizuan në paskajshmëri si problematik dhe një mbështetje e hapët e lehtësuesve Leotar dhe Perdju kërkesave shqiptare si një dështim të platformës Badinter mbështetur fuqishëm nga partitë politike maqedonase dhe si një mundësi shkatrimi të shtetit. Premieri Georgievski shkoi edhe më tej në kualifikimet duke deklaruar se kjo platformë është ofruar në “stilin e kaubojve” nga ana e përfaqsuesve Leotar dhe Perdju. Kjo ka qenë data më kritike e vazhdimit të bisedimeve maqedono-shqiptare në vitin 2001.

Shtatëmbëdhjet vite më vonë ambasadori Pardew boton librin e tij “Krijuesit e paqës: lidershipi amerikan dhe fundi i gjenocidit në Ballkan” ( Peacemakers: American Leadership and the End of Genocide in the Balkans) ku një kaptinë ia përkushton edhe nënshkrimit të Marrëveshtjes së Ohrit. Sipas tij si kusht për tu arritur paqa në Maqedoni kanë qenë dy kushte: statusi plotësisht i barabartë i gjuhës shqipe me maqedonishten dhe fuksionimi i policisë lokale si dhe disa probleme sekundare siç ka qenë edhe Preambula e Kushtetutës.

Një kokëdhimbje të posaçme ka shkaktuar statusi zyrtar i gjuhës shqipe për të cilin edhe vetë Pardew ka pasur dilema se a duhet të jetë ashtu dhe për të cilin pala maqedonase as që ka dashur të diskutojë.
Kthesa në bisedime është bërë, shkruan Pardew, (që e dëshmon edhe Imer Imeri në intervistë e që edhe ambasadori francez Terral ma pat thënë në Luksemburg) më 16 korrik 2001 në ditën e festimit të pavarësisë franceze kur pas kritikave të ashpra drejtuar Arben Xhaferit nga ana e Pardew se shqiptarët kanë parashtruar kërkesa joreale ky i fundit ka pranuar të bëjë lëshime dhe pranojë pozicion më të dobët të gjuhës shqipe dhe të tërhiqet nga kërkesa për kontroll të tërësishëm të policisë lokale.
“Shqiptarët pranuan draft-tekst me të cilin shqipja bëhet gjuhë e dytë zyrtare por jo të niveli të njejtë. I thashë Xhaferit se poqese më jep garanca se të gjithë liderët shqiptarë do ta pranojnë propozimin, do t’ia ofrojmë kryetarit si shansë më të mirë për marrëveshtje. Disa orë më vonë Xhaferi u paraqitë me garanca….megjithatë për shqiptarët statusi i gjuhës së tyre ishte prioritet parësor…” ( Pardew, 2018).

Më 29 korrik 2001 liderët shqiptarë Imer Imeri dhe Arbën Xhaferi tentojnë ta bindin kryetarin Trajkovski që ta pranojë statusin e barabartë zyrtar të shqipes me maqedonishten si kusht për çarmatimin e UÇK-së por ai e refuzon këtë. Në mbrëmje të 29 korrikut pala shqiptare pranon kompromisin që GJUHA SHQIPE TË KETË STATUSIN E GJUHËS ZYRTARE POR QË NË TEKSTIN E MARRËVESHTJES MOS QËNDROJ SINTAGMA “GJUHA SHQIPE” (por 20%). Më 31 korrik 2001 të dy palët e pranojnë kompromisin e gjuhës por Georgievski kërcënon me lëshimin e bisedimeve.
Pas kësaj date më tepër angazhime kanë pasur ekspertët se sa politikanët. Leotar në intervistën e tij për Dojçe Vele (2004)në maqedonisht falenderues për ndihmë juridike i është Badinter-it të njohur, Pardew e lëvdon për talentin e saj eksperten LAUREL MIREL e cila para se të angazhohet në Maqedoni ka punuar në kushtetutën e Bosnjës në Dejton e më vonë në Kushtetutën e Kosovës, por esenca është se baza themelore për Marrëveshtjen ka qenë Deklarata për status të barabartë të shqiptarëve në Maqedoni e Grupit parlamentar të PPD-së e përforcuar me një pjesë të platformës së PDSH ku parashihej krijimi i institucionit të nënkryetarit të shtetit me të drejta të vetos për çështje kombëtare.


Loading...
loading...