Historia ndryshe
“…Në muajin dhjetor të vitit 1921, një natë, Mustafa Kruja me Ramiz Dacin dhe me Zija Dibrën i venë në hotel Pandeli Evangjelit, që kryesonte qeverinë që kishte ardhur në fuqi pasi ra kabineti i Iljaz Vrionit dhe, me armë në dorë, e urdhërojnë të japë dorëheqjen, të cilën xha Pandeliu e dha për të mos derdhur gjak.
Këshilli i Naltë i Regjencës, këtë dhunim të paligjshëm e pranoi dhe formoi kabinetin nën kryesinë e Hasan bej Prishtinës. Mbi këtë ngjarje, gjithë nëpunësit e shtetit e lënë punën, duke dhënë dorëheqjen, si shenjë proteste për qeverinë e paligjshme të Hasan Prishtinës.
Ahmed Bej Zogolli me Meleq Frashërin, të cilët ndodheshin në Mirditë për veprime ushtarake, me një ushtri pjesërisht të formuar prej batalioneve të reja dhe pjesërisht prej vullnetarëve të Mirditës e të Dibrës, duke pasur edhe mbështetjen morale të nacionalistëve të intelektualëve, e zbritën qeverinë e Hasan Prishtinës dhe vunë qeverinë e Pandeli Evangjelit, që kishte dhënë dorëheqjen prej kërcënimeve të bame.
Kur u mblodh Parlamenti, autori i këtij Libri (Mehdi Frashëri) që ishte deputet i Elbasanit, çeli një bisedë dhe një kritikë të rreptë mbi dhunimin e bërë nga ana Mustafa Krujës dhe të shokëve të tij mbi Pandeli Evangjelin dhe të mbyllurit të syrit të Këshillit të Naltë, sidomos të Aqif Pashës e të imzot Bumçit, që ndodheshin në Tiranë e që miratuan qeverinë e Hasan Prishtinës, si fryt i frikësimit të bërë mbi Pandeli Evangjelin….”
(Fragment nga libri PROBLEMET SHQIPTARE i Mehdi Frashërit, botoi Plejada, Tiranë, 2006)