Studeniçani i mbërthyer në pikëllim pas tragjedisë

Drejtësia nuk do t’i kthejë të vdekurit, por duhet të kryhen procedurat dhe të zbulohet se çfarë ka ndodhur, që pasagjerë të tjerë të mos pësojnë aksidente të tilla, thotë Fati Iseini, i afërm i disa prej viktimave të aksidentit në Bullgari të cilët janë nga komuna e Studeniçanit, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ai thekson se hetimi nuk do të zvogëlojë humbjen e tyre, nuk do t’i kthejë të vdekurit, megjithatë duhet të zbulohet se çfarë ka ndodhur, ku ka dështuar zinxhiri i kontrollit.

“Drejtësia. Për ne nuk ka ndonjë dallim. Nëse nesër do të zbulohet ose jo se çfarë ka ndodhur, nuk do të ndryshojë asgjë për ne. Nuk do të kthejë njerëzit tanë. Por të gjitha procedurat duhet të kryhen, me prokurorë dhe strukturat e tjera gjyqësore këtu dhe në Bullgari, për të zbuluar se çfarë ka ndodhur, në mënyrë që pasagjerë të tjerë të mos pësojnë nga aksidente të tilla”, tha ai.

“Përndryshe, e dini, dhimbja është shumë e fortë. Nuk mundesh… Nuk ka fjalë për ta përshkruar këtë,” shtoi Iseini.

Lidhur me pyetjen për aksidentin e autobusit në afërsi të Pernikut mbrëmë dhe aksidentin në afërsi të Llaskarcë tre vjet më parë ku humbën jetën 15 persona, ai nuk ka një përgjigje definitive, por thotë se është e qartë se diçka ka ndodhur dhe zinxhiri kontrollit është prishur diku.

“Nuk e kemi idenë se çfarë ka ndodhur. A ka elemente korruptive në aplikimin dhe regjistrimin e plotë e kompanive dhe autobusëve dhe në fakt kryerjen e kontrollit teknik të autobusëve para se të lejohen të lëvizin. Diçka ka ndodhur. Dhe i gjithë ky zinxhir padyshim është këput diku”, tha Iseini.

Iseini thotë se të afërmit e tij janë gëzuar shumë dhe kishin ndarë foto nga ekskursioni në Stamboll. Më së shumti Anisa 14-vjeçe.

“Unë jam kushëri i parë e katër anëtarëve të familjes që kanë vdekur, më e vogla është Anisa Iseini. Ajo ishte 14 vjeçe. Nëna e saj Fikrije Iseni, ishte 37 vjeçe, daja ynë Hamdi Iseini dhe Majide Iseini, gruaja e Hamdiut”, tha Fatiu.

Ai tregon se 12 ose 14 nga të vdekurit kishin lidhje familjare, të gjithë kanë pas lidhje farefisnore. Për shembull, Anisa ishte me dy tezet me fëmijët e tyre dhe të gjithë kishin lidhje familjare.

“Për herë të fundit kemi kontaktuar pardje, një ditë më parë se nisen për në Maqedoni. Na dërguan shumë foto. Veçanërisht Anisa ishte shumë aktive në telefonin e saj dhe nuk mund ta përshkruajë këtë, të gjithë momentin. E dini, e kisha si bijën time, e dini, jetonim në të njëjtën shtëpi dhe është shumë e vështirë”, shpjegonte Fati Iseni duke iu dridhur zëri.

Tha se të afërmit dhe miqtë vijnë pa ndalë, për të shprehur ngushëllime për humbjen tragjike.

Azem Sadiku, kryetar i Komunës së Studeniçanit thotë se sipas informatave që disponojnë më shumë se 20 persona, pjesëmarrës në aksidentin tragjik janë nga ajo komunë. Numri i viktimave nga Studeniçani është rreth 17 të vdekur si dhe 4 të lënduar.

“Jemi në kontakt me familjet, është tragjedi e madhe, dhimbje e madhe për familjet, për të afërmit dhe për ne si komunë. I njihnim njerëzit, janë momente të vështira. Po përpiqemi të jemi pranë tyre, t’ua lehtësojmë dhimbjen, ta ndajmë dhimbjen së bashku”, thotë Sadiku.

Ai shton se sot në një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit komunal janë organizuar për mënyrën si t’u ndihmojnë familjeve brenda mundësive.

“Nuk ka asgjë në këtë botë që mund të kompensojë humbjen e tyre.” Megjithatë, më e rëndësishmja në këto momente është përfundimi i procedurës për identifikimin e viktimave, e cila bëhet me analizë të ADN-së. Kur të përfundojë do t’u shprehim nderimet tona të fundit viktimave. Te ne është traditë të nderohen familjet, e quajmë “saber”. Është dhimbje e madhe, Zoti u dhëntë forcë ta kalojnë këtë”, tha kryetari i komunës, duke shtuar se kjo që ndodhi ishte një humbje shumë e madhe për të gjithë vendin e veçanërisht për familjet e tyre.

“Kemi rast në fshatin Moranë, humbën 10 anëtarë të familjes, nënë me katër fëmijë dhe një grua tjetër nënë me dy fëmijë dhe dy mbesat e tyre. E kemi rastin në Studeniçan, një mësuese jona në SHF Naim Frashëri e humbi jetën bashkë me bijën e saj 14 vjeçe. Kemi kolegun tonë ofiqar, i cili punonte në shërbimin për evidencë amë, me bashkëshorten e tij. Tre anëtarë nga një familje prej Koliçanit të Poshtëm të cilët gjithashtu e humbën jetën. Nga shtatë të mbijetuarit, katër janë nga fshati Koliçan i Poshtëm”, i numëronte Sadiku viktimat duke mos besuar s vetë.

Thekson se tani gjëja më e rëndësishme është procesi të shkon deri në fund, të zbardhet rasti, saktë të zbulohet shkaku për të cilin ka ndodhur zjarr aq i madh pas përplasjes.

“Të mësojmë nëse vërtetë kanë mbajtur material të tillë të ndezshëm i cili përnjëherë i ka djegur të gjithë në këtë ngjarje fatale në autobus atë ditë kobzi”, shtoi kryetari i komunës. Ai i siguron qytetarët që si përfaqësues i komunës përpiqet të jetë sa më afër familjeve dhe t’i informojë për procesin e identifikimit të viktimave, për procesin e sjelljes së viktimave dhe të të lënduarve.

“Dhimbje e madhe, tragjedi e madhe, dhasht Zoti të mos përsëritet”, tha Sadiku.

Aksidenti që ndodhi në Bullgari është dhimbje e madhe dhe e rëndë edhe për Ozer Usenin 76 vjeç. Ai është njëri nga familjarët më të moshuar të viktimave që u dogjën për së gjalli në autobusin e “Besa Trans”.

“Nuk mund të qetësohemi. Ka ndodhur, por ç’të bëjmë. Zoti ka thënë ashtu. Kjo nuk shlyhet, çfarë është e shkruar nga Zoti, ashtu bëhet. Jemi familje e madhe”, thotë Useni dhe merr frymë thellë për shkak se e ka vështirë të flet.

“Nuk është puna vetëm të shpallet ditë zie. Duhet edhe shteti të përmblidhet. Por … në gjithë jetën time nuk mbaj mend dhimbje të këtillë. Ne jemi nga gjenerata e parë në fshat, 700 vite jemi këtu. Jemi banorë autokton. Nëna ime vdiq në moshën 100 vjeçe, tani, para 6 muajsh. Nuk mbaj mend diçka të këtillë”, sqaron ai.

Useni thotë që dhimbja është aq e madhe sa edhe hoxha nuk mund t’i ngushëllojë mjaftueshëm banorët e Studeniçanit.

“Hoxha na ngushëllon, mirëpo s’ka, çfarë të thotë. Qaj sa të duash, fol sa të duash, kjo është. Tërë fshati vjen për ngushëllime, por kot është”, tha Useni.

Loading...
loading...











Loading…


loading…