TA PYESIM MUSËN

Nga Xhabir AHMETI

Më në fund, pas njëqind e sa vjetësh, kishin vendosur të jenë bashkë. Do t’i lënë ato marri të imta që e ndanin dhe e përçanin katundin. Krejt punët i kishin drejtuar e në radhë vinte bashkimi. Më në fund. Nuk ka më kurrfarë dyshimi, u kishte thënë Musa, ja të bëhemi e të mbetemi bashkë, ja s’ka tjetër!

Mjaft ishte më “ja me Ukën ja me Cukën”. S’ka më. Bashkë do të jemi. Dhe, pikë. Do të dilni të gjithë në sallën e shtëpisë së kulturës e do t’u vëmë një pikë të madhe përçarjeve e mosmarrëveshjeve. U përhap fjala shpejt në katund vesh më vesh e derë më derë dhe nuk u dëgjua asnjë zë kundër këtij vendimi që do ta merrnin.

Nejse. U mblodhën një ditë të bukur të gjithë burrat e katundit në sallë të shtëpisë së kulturës ta bëjnë kuvendin e ta marrin vendimin, se në log nuk donte Musa të mblidhen, ngase kuvendet në log ishin prapambeturi. E dinin të gjithë se kështu kishte thënë Musa, megjithatë njëri tha:

– A e pyetët Musën?

– Si bëhet mos ta pyesim Musën?! E pyetëm, si jo! Për këtë tubim historik mos ta pyesim, a bëhet? u përgjigj anëtari i kryesisë së partisë më të madhe, që kishte ardhur në tubim jo për të bërë ndonjë presion, por për shkak të kulturës politike.

– Epo mirë, pra, tha anëtari i kryesisë së partisë më të madhe.

Brenda, ku ishin mbledhur burrat, krejt muret ishin zbukuruar me portrete të Bardhylit, Teutës, Skënderbeut, Gjin Bua Shpatës, Dervish Carës, Hasan Prishtinës, Gjergj Fishtës, Abdyl Frashërit, Jeronim De Radës edhe të do tjerëve. Ngado që të rrokte syri shpërndahej një atmosferë serioze festive. Bashkimi, do të vijë! Se kështu u kishte thënë Musa. Po dorën në zemër edhe katundarët e donin bashkimin.

I pari në tubim foli kryetari i degës së partisë, pas tij foli kryeplaku e me rend foli edhe më i mençmi i katundit e do të tjerë.

Musa ka thënë, vëllezër, e dua bashkimin! jehoi zëri i të parit të degës së partisë. A jeni për PO, a jeni kundra? A jeni për bashkim, ashtu siç ka thënë Musa?

Kurrkush nuk kundërshtoi, nuk u dëgjua asnjë zë, nuk u dha asnjë shenjë se ka ndonjë problem. Pas kësaj heshtjeje të shkurtë bubulloi salla nga një POOOO kolektive.

– A votojmë, vëllezër si ka thënë Musa?

– Pooooo!

Nuk pat asnjë reagim njëherë ama… atëherë në njërën nga dritaret hapura të sallës se ç’u fut një sorrë e re si pula qorre e cila duket se po i bënte provat e fluturimit të parë. Nga frika e turmës ku u gjet, sorra shkonte e prekte herë tavanin e herë futej ndër njerëz, po kurrsesi s’ia dilte ta gjejë dritaren e të ikë nga rrëmuja. Mu në atë çast i pari i degës po pyeste, si e do rendi në këto tubime historike:StrugaLajm

– Edhe një herë po ju pyes: mos ka dikush ta thotë ndonjë fjalë, apo të gjithë jemi në rregull, për së mbari?

Heshtje.

Pastaj njëri që quhej Keqë, një burrë me mjekër, e me një dhëmb floriri, pa e ngritur gishtin fare, iu drejtua burrit që i printe tubimit historik:

– O i pari i këtij tubimi, sorra! Sorra, bre burrë!

Kryetari i degës që i printe tubimit veç bëri me dorë një herë, demek që mos u tall.

Edhe një katundar nga publiku reagoi:StrugaLajm

– Sorra!

– Çka?! bërtiti kryetari i degës.

– Sorra, sorra!, – i përsëdytën fjalët edhe disa të tjerë.

– Mos u tallni se jemi në një tubim historik, o njerëz!

– Me të vërtetë sorra! ndërhyri sekretari i degës së komunës që ishte lart në skenë pas kryetarit të degës së partisë.

– Sorra nuk është shenjë e mirë! tha kryetari i degës. Dhe, sa i tha këto fjalë rreth dritareve nga jashtë u mblodh një plim i madh sorrash që u afroheshin dritareve me krrokama në të cilat hetohej nervoza e shpezëve. Ato ishin mbledhur ta mbrojnë zogun e tyre.

– Po Musa?… pyeti dikush në ato momente kur filloi të ndjehej paniku.

Musën e kërkuan me sy andej e këndej. Musën s’e pa kush aty.

A s’e pyetët Musën çfarë është kjo punë me sorrat?

Askush s’u përgjigj, sepse Musën s’ishte në sallë.

Plimi i sorrave sa vinte e shtohej. Kuptohet kjo mjaftoi që të krijohet tollovia.

Rrëmujë.

Në atë rrëmujë krejt portretet ranë poshtë. I shkelën njerëzit. Pas kësaj i pari ia bëri bisht shefi i sigurimit. Pas tij ia mbathi anëtari i kryesisë së partisë, një nga një iki e gjithë paria. I fundit nga të mëdhenjtë iku kryetari i degës e me të edhe kryeplaku duke u përvjedhur nëpër njerëz.

Pas tyre mbetën në heshtje do katundarë midis portreteve të shkelura të njerëzve që e kanë bërë historinë tonë. Atëherë edhe sorra e gjeti dritaren dhe doli. E u qetësua edhe plimi i sorrave. Mbeti pa u marrë vendimi historik.

U shkel kështu edhe bashkimi.

Pas disa vjetësh u mblodh prapë paria ta mbajë tubimin për bashkim në katund. Tash kishte ardhur i pari i partisë më të madhe t’i prijë tubimit. Ai pyeti:

– A t’ia nisim punës për bashkimin?

– Ta pyesim Musën! – tha një katundar që kishte hyrë i paftuar në sallë.


Loading...
loading...