Të huajt na i marrin punëtorët

Një pjesë e menaxherëve të kompanive më të mëdha vendore të orientuara në eksport, kanë reaguar deri te Qeveria e re, për shkak se investitorët e huaj që fitojnë ndihmë shtetërore deri më 11 mijë euro për vend të ri pune, subvencione për trajnimin e kuadrove si dhe nuk paguajnë tatim në fitim, ua marrin punëtorët nga firmat e tyre, shkruan gazeta KOHA. Sipas drejtorëve të disa nga firmave më të mëdha vendore, të huajt nga njëra anë shfrytëzojnë subvencione, ndërsa nga ana tjetër marrin kuadër të gatshëm të trajnuar nga kompanitë vendore, duke vepruar në mënyrë jo të ndershme dhe jo fer. Andaj, biznesi vendor kërkon nga Qeveria e re të pengojë konkurrencën jolojale në tregun e punës, në mënyrë që kompanitë e subvencionuara do të punësojnë të papunë, që së paku 3 apo 6 muaj janë të paraqitur në Agjencinë e punësimit, duke kërkuar punë në mënyrë aktive.

Sipas analizës së revistës “Kapital”, për këtë çështje kanë paralajmëruar afaristë nga më shumë sektorë, por megjithatë problemi është më i theksuar në industrinë e përpunimit të metalit, të tekstilit dhe atë informatike. Afaristët kanë reaguar edhe përmes odave ekonomike që të alarmojnë qeverinë se marrëveshjet për ndihmë shtetërore, me një pjesë të investitorëve të huaj i diskriminojnë firmat vendore.

“Kompanitë e huaja që punojnë në zonat thjeshtë i “sulmojnë” kompanitë vendore dhe ua marrin kuadrin e trajnuar, për të cilin nuk paguajnë asnjë kontribut. Gjithashtu, shfrytëzojnë mjetet prej 2000 deri 11 mijë euro për në vend pune, shfrytëzojnë subvencione për trajnime, ndërsa marrin kuadër të trajnuar nga kompanitë vendore dhe në këtë mënyrë veprojnë në mënyrë jo fer dhe jo të ndershme në treg“, thotë për Kapital, drejtori i kompanisë Fakom, Zllatko Simonovski.

Sipas tij, në mënyrë urgjente nevojitet që të pengohet një praktikë e tillë, sidomos te marrëveshjet e nënshkruara nga Qeveria paraprake, për shkak se në këtë mënyrë ju shkaktohet dëm direkt kompanive vendore, që i nënshtrohen kushteve jo të barabarta gjatë investimeve dhe trajnimeve të kuadrove të tyre. Simonovski shton më tej se kompanitë e huaja shfrytëzojnë subvencione nga buxheti i shtetit, të cilin e mbushin kompanitë vendore, ndërsa shfrytëzuesit e subvencioneve –kompanitë e huaja aspak nuk marrin pjesë në mbushjen e arkës shtetërore.StrugaLajm

Ndryshe, me masat për mbështetje të eksportit, parashihet që ndërmarrjet që do të realizojnë rritje vjetore të eksportit prej së paku 5 për qind në raport me tre vitet e fundit, do të marrin mbështetje shtesë financiare prej 10 për qind për mbulim të shpenzimeve për realizim të rritjes, por jo më shumë se 3 për qind nga shtimi i eksportit.

Secila kompani, e cila do të hapë vende të reja të punës, do të mbështetet vetëm nëse jep rrogë më të lartë për 50 për qind të pagës minimum apo mbi 18.000 denarë, dhe atë 10 për qind prej neto vlerës së rrogës do t’i kthehet investuesit. Biznesi që do të japë rrogë më të madhe, edhe më tepër do të subvencionohet dhe atë deri 16 për qind nga vlera e rrogës. Secili që do të japë rrogë dyfish më të lartë se mesatarja e kuadrit me arsim të lartë, apo pagë mbi 45.000 denarë, do t’i kthehen 20 për qind të parave për rrogë. Investuesit e drejtpërdrejtë të huaj që do të furnizojnë mbi 10 për qind të inputeve prodhuese nga ndërmarrje vendore mbi mesataren e tre viteve të fundit, do t’u kthehet një për qind e vlerës së furnizimeve. Secila kompani që do të tregojë rritje në tre vitet e fundit dhe ulje të numrit e të punësuarve, do të mund të mbështetet me 10 për qind të vlerës së investimeve që i ka bërë në vitin paraprak nëse të ardhurat rriten në krahasim me tre vitet paraprake. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...