Tuneli që s’të shpie askund!

Shqiptarët edhe pas këtij referendumi kanë mundësi të ripozicionohen për kauza e platforma politike, duke përkufizuar qartë afinitetet e angazhimet konkrete, por jo edhe të bëhen palë me kundërshtarët e kurseve antiNATO e antiBE. Moska zyrtare është e interesuar jetësisht të dështojë referendumi, sepse vetëm ata e dinë se çka mund të përfitojnë në një situatë të tillë

Nga Emin AZEMI

Referendumi që pritet të mbahet më 30 shtator do t’i ketë edhe kundërshtarët e vet. Tani për tani VMRO dhe Aleanca për Shqiptarë janë deklaruar kundër. Janë edhe disa grupime kishtare dhe emigrantësh maqedonas, të cilëve nuk po iu pëlqen të deklarohen se “ a jeni për anëtërsim në BE dhe NATO, duke përkrahur Marrëveshjen për emrin në mes të Maqedonisë dhe Greqisë?”.
Referendumi është pjesë e një procesi të gjatë politik që lidhet me emrin e kontestuar të shtetit. Deri më tani të gjitha forcat politike në Maqedoni deklarativisht ishin angazhuar për tejkalimin e këtij kontesti dhe cila do prej tyre të vinte të zgjidhja finale, sërish do ti nënshtrohej referendumit. Asgjë përjashtuese dhe spekakolara spo ndodhë.Tani po gjenden alibira të ndryshme për ta bojkotuar referendumin, por në fakt bojkotohet një proces pak më i gjerë, pjesë e të cilit është edhe zgjidhja e shumë problemeve të hapura, që si gurë sizifi me dekada kanë qëndruar mbi gjithë qyetarët e këtij vendi.
Në takimet e liderëve, tash së fundmi, është biseduar edhe për referendumin, por qëndrimet nuk kanë qenë unike. Është spekuluar se lideri i VMRO-së ka kërkuar amnisti për ish funksionarët e partisë së tij, në kompensim të mbështetjes së refendumit. Por, ende asgjë zyrtare nuk ka dhe më së paku ka ndonjë sinjal se kryeminstri Zaev ka lëshuar pe në këtë drejtim.
Në anën tjetër, defekti i kësaj tryeze liderësh ishte përbërja paksa e çuditshme, ku vërehej mungesa e përfaqësuesve kryesorë të opozitës shqiptare. Futja e Kasamit në këtë tryezë, i ngjante më tepër dekorit, se sa ndonjë qëllimi fisnik, kurse lënia anash e Aleancës për Shqiptarët tregoi se ende kemi të bëjmë me recidivat e mendësive të vjetra politike, nga të cilat nuk po munden të lirohen as edhe politikanët (si Zaevi) që kursin e reformave e kishin nisur duke i luftuar pikërisht ato recidiva. Sado e gjerë të ishte kjo tryezë me ide e objektiva madhorë, ajo do të mbetet sërish e ngushtuar dhe cunguar nëse nuk e përfill vullnetin politik të një pjese të popullatës shqiptare, e përfaqësuar nga partia e Selës.
Tani vijmë te bojkotimi i referendumit. Shqiptarët në asnjë mënyrë nuk guxojnë të çojnë ujë në mullirin e VMRO-së, duke u bërë edhe ata pjesë e një skeme që synon rikthimin e kohës së sundimit të praktikave arbitrare e mafioze në politikbërje. Edhe Aleanca për Shqiptarë, si gjithë shqiptarët, ka vuajtur pasojat e atyre praktikave dhe ka qenë po kjo force politike që ka mbështetur të gjitha idetë dhe veprimet që ishin në favor të ndryshimit të klimës politike në vend. Tani, nëse referendumi shikohet jashtë këtij angazhimi dhe në kundërshtim me frymën e deritanishme pozitiviste, atëherë del se diçka nuk është në rregull me vlerësimet dhe analizat e këtij subjekti politik. Me fjalë të tjera, nuk mund ta luftosh tani Zaevin përmes referendumit, kur gjatë gjithë kohës ke qenë me të në mbështetje të reformave, madje edhe duke qenë pjesë e pushtetit të tij. Një parti opozitare serioze, qëndrimet e veta politike nuk i ndërton sipas sezoneve dhe tekeve, por sipas një kursi më afatgjatë pikëpamjesh e vendimesh thellësisht ndryshe nga politikat aktuale, të cilat inkorporohen pastaj në kuadër të një doktrine politike, me synime e objektiva të qarta veprimi.
Dalja apo mosdalja e shqiptarëve në këtë referendum nuk duhet të ketë kauzë partiake dhe më së paku çështje “kusuritjesh” politike pas një periudhë pararendëse inatesh e animozitetesh. Nëse paraprakisht janë bërë bashkë votat në Parlament për të rrëzuar një pushtet dhe për të votuar, pastaj, ligje e projekte që ishin në kursin e politikave reformuese të qeverisë aktuale, atëherë tingëllon jonormale kundërvënia përmes bojkotimit të referendumit të atyre përpjekjeve paraprake, që s’ishin asgjë tjetër pos një sjellje normale e një subjekti me përgjegjësi të lartë politike e qytetare.StrugaLajm

Kur prirja për rejting partiak mbisundon mbi pragmatizmin politik, zakonisht mund të ndodhë që të fitojë partia, por të humb kohezioni i ideve e veprime që ajo parti i ka kultivuar deri më tani dhe në këtë mënyrë skenës politike i shtohen grupime politike pa profil të qartë, por edhe të cilat shumë vonë e kanë kapur trenin e ndryshimeve të pretenduara radikale në këtë shoqëri. Kursi i ndryshimeve zakonisht fillohet shumë kohë para zgjedhjeve, e më së paku në mes të dy raundeve zgjedhore, e fare para ngjarjeve të rëndësishme, siç është ky referendum, që përcakton jo vetëm fatet e një shoqërie shumëkombëshe, por edhe kontekstet gjeopolitike. Të ftosh në bojkot të referendumit, në njërën anë, dhe të mos ofrosh kurrfarë alternative se cilat janë opsionet dhe zgjidhjet jashtë atij referendumi (që lidhen ekskluzivisht me çështjen e emrit dhe me marrëveshjen me Greqinë), në anën tjetër, paraqet një aventurë minatorësh që futen në tunel pa llampë. Ka ndodhur që aventurat e tilla të kenë njëfarë epilogu, por në fund ka rezultuar që tuneli është shpuar dhe ka nxjerrë një dalje që s’të shpie askund.StrugaLajm

VMRO, në anën tjetër, po tregohet edhe më ambicioze. Ajo po angazhohet që të rikthehemi në tunelin e saj, sepse vetëm në atë mënyrë sigurohet errësirë e mjaftueshme për të mos pa kontekstin e ndryshimeve rajonale. Çdo largim i Maqedonisë nga ndikimet pro-ruse e pro-serbe, në fakt është kundërvënie ndaj politikave të tuneleve të errëta, atje ku krerët e VMRO synojnë ta mbajnë të ardhmen e këtij vendi.
Shqiptarët edhe pas këtij referendumi kanë mundësi të ripozicionohen për kauza e platforma politike, duke përkufizuar qartë afinitetet e angazhimet konkrete, por jo edhe të bëhen palë me kundërshtarët e kurseve antiNATO e antiBE. Moska zyrtare është e interesuar jetësisht të dështojë referendumi, sepse vetëm ata e dinë se çka mund të përfitojnë në një situatë të tillë.
Ja edhe një pyetje rezervë për gjithë ata që kanë dilema rreth rëndësisë së këtij referendumi: “A jeni të interesuar të dështojë referendumi, sepse vetëm në këtë mënyrë i realizoni synimet e Moskës?”
Një pyetje kjo me shumë rreziqe. Por, me shanse reale që të refuzohet edhe si projeksion imagjinar. (koha.mk)


Loading...
loading...