Uniformat e policisë: një hap i vogël për shqiptarët, por një kërcim gjigand i propagandës të BDI-së

Bekim Qoku

Gjuha shqipe, Skënderbeu dhe koncepti Besa në ligjërimin publik të Maqedonisë së Veriut janë shndërruar në nocione triviale, banale me një semantikë të pavlerë, boshe. Janë bërë dukuri tallava, një kiç i mirëfilltë politik e publik.

Vetëm një marrëdhënie zyrtare me një ent shtetëror, vetëm komunikimi zyrtar, vetëm një lëshim dokumenti zyrtar do të hidhte poshtë e do të demaskonte gjithë kacagjelosjen e BDI-së.

Ja një argument që është parashtruar disa herë:
Para ca ditësh një miku im ishte ftuar nga Gjykata e themelore e Strugës si dëshmitar në një proces gjyqësor. (Për ata që s’e dinë, Struga është komunë me shumicë shqiptare dhe drejtohet nga një shqiptar).StrugaLajm

Sidoqoftë, sapo filloi seanca gjyqësore, më tha ai, fjalën e mori gjykatësi shqiptar i rastit dhe na pyeti: “A mos ju duhet përkthyes?”
Pashë njëherë rreth e përqark dhe pyeta, tha: Kujt? Neve? Palët e atij procesi gjyqësor ishin:
Gjykatësi – shqiptar;
prokurori – shqiptar;
avokati mbrojtës – shqiptar;
proçesverbalisti – shqiptar;
dëshmitarët – të gjithë shqiptarë;

Por çfarë ndodh se? E tërë procedura edhe procesverbali i procesit mbahet dhe regjistrohen dhe arkivohen në gjuhën e vërtetë zyrtare, në maqedonisht, jo në atë të simboleve e të krekosjeve, jo në atë që e flasin 20% e popullsisë dhe që është e ndryshme nga maqedonishtja.StrugaLajm

Përkufizimi më i saktë hëpërhë është se gjuha shqipe në MV gjuhë e përkthyer. Ajo nuk është gjuhë zyrtare. Dokumentet zyrtare shkruhen në maqedonisht. Në raste të rralla në dy gjuhë, por gjuha e dytë si përkthim. Nuk ka dokument zyrtar nga institucionet e MV vetëm në gjuhën që e flasin 20 % e që është ndryshe nga maqedonishtja.

Tani, natyrisht se dikush do pohonte: po ngadalë bëhet këto punë. Ka gjithmonë më shumë për t’u bërë. Ku, në MV ngadalë? Aty ku je mbi 30% e popullsisë dhe ke bërë luftë për avancimin e shpejtë të barazisë dhe të drejtave? Aty ku përballë ke një komb hibrid, pa identitet e të zvargur? Aty ku je i rrethuar nga dy shtete shqiptare? Aty ku gjithë fqinjët kanë pretendime territoriale, kulturore, historike? Aty ngadalë?!

Në makroekonomi është koncepti i kostos oportune, që pak a shumë do të thotë, se çfarë do kishte qenë hipotetikisht në qoftë se të kaluarën do e kishin ndikuar tjerë faktorë. Përkthyer dhe interpretuar në rastin aktual politik këtu, do të thoshte, ku do të ishin shqiptarët e MV sot, çfarë të drejtash do të gëzonin, sa të barabartë do të ishin në raport me sllavët maqedonas në rast se partia politike BDI dhe Ali Ahmeti nuk do të ishin faktor ndikimi në skenën politike? Si do të ishin zhvilluar ngjarjet politike pa Ali Ahmetin? Me këto komponentë politik, etnik, historik, gjeografik, demografik, gjeostrategjik, etj. ku do ishin shqiptarët e MV sot pa z. Ahmeti dhe partinë e tij BDI?


Loading...
loading...