Vetëfundosja me BESË-Xhelal Neziri

Xhelal NEZIRI

Si Vetëvendosjes, ashtu edhe BESË-s u ndodh një çarje në të njëjtën kohë. Është në fakt një tentim për të ndërruar kryetarët e partive, jo nëpërmjet procedurave të rregullta statutore, por nëpërmjet aktiviteteve që më tepër u ngjajnë puçeve.

Kultura e puçeve është e panjohur në historinë politike të shqiptarëve. Edhe pse kishte periudha turbulente, asnjë lider i LDK-sëapo i PDK-së në Kosovë, i PDSH-së apo i PPD-së në Maqedoni, i PD-së apo i PS-së në Shqipëri – nuk u zgjodh jashtë kongresit, sado mangësi të kishte pasur ai.

Të mos futemi në konspiracione, por t’u kthehemi problemeve reale dhe të dukshme të Vetëvendosjes dhe Besës të cilat brenda natës, dashurinë vëllazërore midis anëtarëve e kthyen në urrejtje më armiqësore. Te të dyja partitë kemi një lloj tentimi për të zgjedhur kryetarin e partisë nëpërmjet një “procedure të shkurtuar”, pa mos respektuar kongresin si organ më të lartë të partisë.

Vetëvendosja përgatitej ta rikthejë ish-kryetarin Albin Kurti në pozitën që e kishte në themelimin e subjektit, ndërkohë që Besa ta shkarkojë kryetarin aktual Bilall Kasami. E gjithë kjo në prag të kongreseve të caktuara nga të dyja subjektet.

Por, pse i gjithë ky shpejtim dhe pse në formë puçi?

Ka disa arsye për këtë:StrugaLajm

E para, të dyja subjektet janë të përbëra nga fraksione me pikëpamje të ndryshme për politikën, të cilat i bën të jenë në luftë të vazhdueshme. Ata bile kanë vizione të ndryshme se cilat vlera duhet t’i absorbojmë apo mënjanojmë si shoqëri. Të bashkuar i ka mbajtur vetëm “rreziku nga armiku politik i pamposhtur”, që në Kosovë është parë te PDK-ja kurse në Maqedoni te BDI-ja. Ngritjet e tyre në zgjedhjet e fundit në raport me partitë e vjetra, në fakt zhbënë hijen e rëndë të “armikut të pamposhtur” por ngjallën fantazmat e armiqësive të vjetra.

E dyta, suspendimi i të gjitha organeve partiake dhe imponimi i nevojës për të pasur një prijës “baba” për të cilin nuk vlen statuti i partisë, ka shkaktuar reagime te pjesa tjetër. Kjo nga shkaku se asnjëri nga pretendentët për “baba” të partisë nuk kanë pasur një qasje të njëjtë ndaj të gjithë “fëmijëve” njëlloj. Pra, nga një grup është imponuar “baba” një figurë që për grupin tjetër është parë si “njerk”.

E treta, strategjia e gabuar me “kryetarë të përkohshëm” duket se u ka kushtuar shumë që të dyja partive. Në vitin 2015, Kurti u tërhoq nga gara për mandat të dytë duke përkrahur Visar Ymerin si kandidat koncensual. Nuk dihet nëse plani i Kurtit ka qenë që të “pushojë” një mandat me qëllim që të rikthehet në kohën kur partia të jetë rritur mjaftueshëm për të fituar pozitën e kryeministrit, pasi statusi i partisë nuk lejon që një kryetar të ketë më shumë se dy mandate. Por, duket se Ymeri është përkrahur si “kryetar i përkohshëm” me qëllim që t’ia lirojë vendin Kurtit në momentin kur ai do të vendosë të rikthehet në krye. Njëjtë ishte edhe rasti i Kasamit, i cili dukej si një kryetar vetëm për të startuar subjektin e që më pastaj do të vijë “lideri i vërtetë”.

E katërta, mungesa e kapacitetit demokratik në raport me kritikat në opinion i bënë funksionarët dhe anëtarët e këtyre partive të jenë të dëgjueshëm ndaj strukturave udhëheqëse deri në atë masë saqë të mos guxojnë të thonë mendimin e tyre lirshëm edhe brenda forumeve partiake. Përdorimi i trollave dhe portaleve false për të linçuar ata që nuk mendonin si këto parti, në fakt ishte vetëm demonstrim i “fuqisë” për strukturën se çfarë mund ta gjejë nëse guxon të thotë diçka kundër liderëve. Këto metoda, në thelb antidemokratike pasi cenonin seriozisht fjalën e lirë, tani përdoren si mjet shkatërrues në luftën e brendshme të fraksioneve.


Loading...
loading...