Zaev: Çfarëdo qoftë ndryshimi në Kushtetutë nuk është garanci e qëndrueshme për Greqinë
Ndryshimi për çfarëdo qoftë në sistemin juridik të Maqedonisë nuk do të thotë garanci e qëndrueshme për Greqinë, sepse gjithçka që ndryshohet mund të kthehet mbrapa, deklaroi kryeministri Zoran Zaev, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për kërkesën e Athinës për ndryshimin e Kushtetutës si garanci për zgjidhje eventuale të kontestit për emrin.
“Është shumë me rëndësi ta praktikojmë atë që e mbarë bota e di, ndërsa kjo është praktikë e njohur ndërkombëtare të zgjidhjes së kontesteve të tilla dhe atëherë mbetet përgjithmonë. Jam i bindur se përmes qasjeve të këtilla, duke u kujdesur sa është me rëndësi për qytetarët e Greqisë dhe të Maqedonisë, mundemi edhe ta gjejmë zgjidhjen e kontestit që e kemi me Greqinë”, tha Zaev pas seancës së sotme për rastin “Mitmarrje” në Gjykatën Penale.
Lidhur me shkrimet e “Katimerinit” për arritjen e pajtueshmërisë në tre kapitujt, kryeministri theksoi se është e mbyllur çështja me irredentizmin, me hapat që i ka bërë Maqedonia, gjegjësisht me ndryshimin e emrave të autostradës në “Miqësia” dhe të aeroportit në Shkup.
“Është biseduar edhe për të ardhmen, pas marrëveshjes së mundshme, të formohen grupe të punës të cilët do t’i kontrollojnë tekstet shkollore nga të dyja palët që mos të mbetet gjurmë e pakëndshme te brezat e ri që të kultivojnë miqësi në vend të armiqësisë”, deklaroi kryeministri Zaev.