Kryeministri, Zoran Zaev, është shprehur i bindur se shumica parlamentare është stabile, ndërsa vendimin e PLD-së që deputetët e saj të veprojnë të ndarë nga Koalicioni “Mundemi” në Kuvend, e ka cilësuar si e drejtë e tyre.
Megjithatë, sipas tij, nuk është zgjedhur koha e duhur për këtë veprim, pikërisht kur opozita po thotë se pushteti nuk ka shumicë, prandaj dhe e konsideron si goditje mbi LSDM-në.
“Ja edhe PLD-ja ka dy deputetë dhe dëshiron të veprojë e vetme dhe jo si pjesë e gjithë grupit parlamentar. Por, se nuk është koha e duhur, nuk është. Por, në këto rrethana, kur opozita thotë se mund të formojë shumicë, kurse pushteti thotë se ajo aspak nuk është e mundur, një veprim i tillë nga ana e PLD-së dërgon një mesazh të qartë, dëmtohet koalicioni apo veprimi i përbashkët i koalicionit. Përkatësisht u jep arsye gazetarëve, mediave dhe popullatës të pyesin: Hë, është kështu apo jo? Unë deklaroj se kam bashkëpunim të mirë. Por, pse ata tani duhet ta bëjnë këtë? Mund të prisnin 15 ditë apo një muaj. Kur tema aktuale do të kalojë? Unë besoj se ekziston shumica parlamentare dhe për kohë shumë të shkurt do ta dëshmojmë, ndoshta edhe me më tepër se 62 deputetë.”,- tha kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
Ndërkohë, VMRO-DPMNE sërish ka përsëritur qëndrimin se pushtetit i mungon shumica dhe se po punon për krijimin e shumicës së re parlamentare.
“Koha do të dëshmojë nëse ka shumicë parlamentare apo jo. Nëse shumica parlamentare është stabile, atëherë pse për katër javë me radhë kuvendi nuk mban seancë plenare, ndërsa përgjigja është logjike, sepse nuk mund të votojnë rendin e ditës pasi që nuk kanë shumicë. Atë që mund ta vërtetojë për momentin është se pushteti nuk e ka shumicën. Nëse do të ketë shumicë të re parlamentare, po punojmë rreth kësaj.”,- theksoi nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski.
PLD publikoi vendimin për veprim më vete të deputetëve të saj, Monika Zajkova dhe Bobi Mojsoski. Siç njoftuan nga kjo parti, një vendim të këtillë organet e partisë e kanë miratuar që para 7 muajve dhe sipas tyre ka të bëjë me prezantim më të mirë të vlerave liberale.
PLD si dhe deputetët e saj edhe më tej do të mbështesin Qeverinë, u deklaruan nga kjo parti. (TVM2)