Zanafilla ilire e flamurit më të bukur në botë

Nga Arlinda CANAJ

Flamuri shqiptar është simboli i shqiptarëve kudo ku janë. Ai është kthyer në një emblemë të dashurisë për kombin, një dashuri dhe krenari vet-identifikuese. Në mënyrë të veçantë është kthyer në modë dhe në të gjitha manifestimet kombëtare, festa, ndeshje futbolli shpaloset i bukur dhe krenar. Dhe pa dyshim ai është simboli kryesor i të gjithë politikanëve. Betimi përpara flamurit përbën aktin më solemn dhe ngjall emocione të jashtëzakonshme. Po cila është zanafilla dhe historia e këtij flamuri që i shtyu kaq shumë patriotë të japin jetën për të, që i shtyu shumë heronj të sakrifikojnë gjithçka që ai të valëvitej i lirë në truallin shqiptar. Një ëndërr e madhe gjeneratash dhe krenarie.

FLAMURI I KOSTANDINIT

Zanafilla e flamurit shqiptar daton që në kohën e Kostandinit të Madh. Siç dihet iliri i famshëm krijoi Kostandinopojën dhe flamurin e tij me shqiponjë dykrenore. Flamuri i Kostandinit me shqiponjë u përhap në gjithë Ballkanin. U përdor shumë shekuj më vonë nga Skënderbeu për të treguar se ai e kishte origjinën para vendosjes së osmanëve në truallin shqiptar. Elementi identifikues i flamurit tonë është shqiponja.StrugaLajmStrugaLajm

Sipas profesor Kasem Biçakut në historinë e lashtë ka qenë shumë i përhapur totemizmi. Që nuk ishte gjë tjetër veç adhurimi ndaj kafshëve dhe shpendëve, duke i konsideruar ato si perëndi. Luani dhe shqiponja janë konsideruar si bashkudhëtare e perëndive dhe vetë perëndi. Ndaj në të gjitha heraldikat e lashta këto dy simbole janë përdorur më tepër. Sipas profesor Biçakut shqiponja dy krenare është përdorur për herë të parë nga perandori iliro shqiptar, Kostandini. Duke qenë se ai krijoi dy qendra administrative Romën dhe Kostandinopojën, shqiponja kishte dy kokë se simbolizonte këto dy kryeqendra të botës së atëhershme.

Pikërisht tek ky perandor gjejnë fillesën e tyre heraldikat e Ballkanit. Kur në pushtet erdhi Justiniani I, u bë bashkimi i dy kishave dhe si simbol i përbashkët kishtar u bë shqiponja dy krenore, ndaj pikërisht në këtë kohë e gjejmë si simbol të përdorur nëpër të gjitha kishat e Shqipërisë dhe Ballkanit. Profesor Biçaku thekson se dhe në heraldikat e famshme të principatave të Mesjetës, shqiponjën e përdorën familjet sundimtare shqiptare si Kastriotët, Arianitët, Muzakajt, Topiajt, Gjurashët etj sepse ata kishin një arsye të fortë, ishin pasardhës të ilirëve. Në rrjedhat e kohës shqiponja do merrte forma të ndryshme ku ndikuan ndryshimet qeveritare, partiake, lokale etj. Ai do të standartizohej vetëm më 28 Nëntor 1912 kur u krijua Qeveria e parë shqiptare.StrugaLajm

SI E SHPËTOI KRISTO FRASHËRI FLAMURIN KOMBËTAR

Gjatë gjithë historisë shqiptare, me qeveritë e vëna në krye është kërkuar të ndryshojnë dhe simbolet tona kombëtare. Një marrëzi e tillë mund të ndodhte dhe me rënien e komunizmit në Shqipëri. Politikanët e asaj kohe bënë përpjekje të shumta për ndryshimin e flamurit tonë kombëtar. Pati shumë mendime që shqiponja në flamur të mos i kishte krahët e hapur por të mbyllur, t’i kishte vertikalë etj. I gjithë qëllimi ishte se ndryshimet në flamur i kishte bërë diktatori Enver Hoxha.

U vendos nga parlamentarët që të ftohej në seancë një historian dhe u zgjodh Kristo Frashëri. Në vitin 1992, sipas studiuesit të njohur Aurel Plasari, historiani Frashëri solli një sërë argumentesh historike, juridike dhe politike të shoqëruara me ilustrime dhe burime dokumentare, kundër propozimit për ndryshimin e figurës së shqiponjës në flamurin tonë kombëtar. Ja cilat ishin argumentet e këtij historiani me vlerë: “Flamuri kombëtar me shqiponjë dykrenore me krahë të hapur nuk ishte caktuar nga Enver Hoxha më 1946, por nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës më 1912, në të cilin morën pjesë përfaqësues nga të gjitha viset shqiptare, nga Preveza deri në Mitrovicë. Si rrjedhim flamurin kombëtar mund ta ndryshonte një tjetër kuvend mbarëkombëtar. Kuvendi i Shqipërisë kishte të drejtë të caktonte vetëm flamurin e Republikës së Shqipërisë, i cili nuk do të ishte flamuri kombëtar, por vetëm flamuri i shtetit shqiptar.

Kështu shqiptarët do të kishin dy flamurë. Shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi nuk mund të hiqnin dorë nga flamuri kombëtar, i cili njihej si flamuri i Skënderbeut, për të përdorur flamurin e Republikës së Shqipërisë. Do të ndodhte kështu një përçarje midis pjesëtarëve të kombit shqiptar. Argument tjetër: me flamurin që ishte në përdorim shqiptarët kishin zhvilluar deri atëherë luftërat e tyre çlirimtare kundër zgjedhës osmane, veprimtarinë e qeverisë së Ismail Qemalit, luftën çlirimtare të Vlorës, Kongresin patriotik të Lushnjës. Atë flamur kishte Shqipëria në kohën e monarkisë së mbretit Zog. Me atë flamur kishin luftuar jo vetëm partizanët, por edhe çetat balliste e legaliste. Me atë flamur zhvilloheshin demonstratat në Kosovë kundër zgjedhës serbe etj. Dhe argumenti i fundit: me ndryshimin e flamurit do të krijohej në rrafshin ndërkombëtar përshtypja se shqiptarët e ndryshojnë flamurin sa herë ndryshojnë regjimin, gjë që nuk e bëri as Enver Hoxha, i cili pretendonte se me fitoren e Luftës Nacionalçlirimtare dhe vendosjen e “pushtetit popullor” fillonte një epokë e re në historinë e Shqipërisë”. Në përfundim Kuvendi i Shqipërisë nuk e miratoi propozimin për ndryshimin e shqiponjës në flamurin kombëtar. Dhe në fakt kjo ishte gjëja më e mençur që mund të bëhej. Sigurisht që u hoq ylli nga flamuri dhe u ruajt flamuri origjinal i plakut të Vlorës.


Loading...
loading...