Zgjedhje në mars. Marrëveshje e “heshtur” mes partive

LSDM nga e shtuna fillon fushatë qytet më qytet dhe derë më derë, ndërsa Programi i ri do të jetë gati më së voni deri në mars. Hristijan Mickoski ka prezantuar bashkëpunëtorët strategjik të VMRO-së, ndërsa BDI vazhdon me Kuvendet zgjedhore në secilën Degë dhe Nëndegë. Opozita shqiptare gjithashtu kërkon zgjedhje të parakohshme. Sipas parashikimeve, votime do të kemi në mars, apo më së voni në prill

Vedat MEMEDALIU

Shkup, 4 tetor – Edhe pse nuk e thonë hapur, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë po përgatitet për zgjedhje të parakohshme parlamentare vitin e ardhshëm. Madje, në gjysmën e parë të vitit. Partia e kryeministrit Zoran Zaev që nga kjo javë do të fillojë me Strategjinë e re, konkretisht realizimin e tribunave në secilin komunë dhe takime fshat më fshat, apo siç shprehen në LSDM, takime “derë më derë” me qytetarët, me qëllim që të informohen nga afër me nevojat e tyre, por edhe për të sqaruar gjithë atë që kanë implementuar nga Programi zgjedhor i para tre viteve. Programi dhe Strategjia tashmë është gati, ndërsa fushata do të quhet “Në rrugë të drejtë”, derisa ngjyrat e fushatës do të jenë “kuq e bardhë”.

LSDM ME PROGRAM TË RI, BDI VIJON ZGJEDHJET E BRENDSHME

“Nga dita e shtunë do të nisin tribunat e mëdha në qytete dhe komuna, ndërsa njëkohësisht do të kemi edhe takime më të vogla derë më derë në fshatra. E gjithë kjo bëhet me qëllim që të njoftojmë qytetarët me projektet që kemi realizuar, por edhe të dëgjojmë nga ata se çfarë u nevojitet dhe të bëjmë revizion të punës dhe Programit që e kemi premtuar në kohën e zgjedhjeve”, thonë zyrtarë të lartë të LSDM-së. Të pyetur nëse LSDM po fillon fushatë përgatitore për zgjedhje të parakohshme, ata thonë se realisht, LSDM është për zgjedhje në tetor të vitit të ardhshëm, por se Strategjia e re do të jetë gati deri në mars të 2020-ës. Duket se marrja e datës për negociata më 17 tetor dhe anëtarësimi i plotë në NATO më së voni në janar, ka bërë që LSDM e Zaevit të ketë alibi shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në muajin e mars, apo më së voni në prill vitin e ardhshëm. Me këtë, thonë burime zyrtare të gazetës KOHA, LSDM do të mundohet të dëshmojë se rruga e Maqedonisë tashmë është e sigurt drejt Bashkimit Evropian.

Veç tribunave të mëdha dhe takimeve fshat më fshat, LSDM tashmë po përfundon edhe analizën e realizimit të premtimeve në secilën komunë, ndërsa për këtë është themeluar edhe Qendra e Analitikës në parti. “Analiza përfshin gjithë atë që është bërë dhe atë që duhet bërë, gjithmonë duke u nis nga programi zgjedhor”, thonë në LSDM, ndërsa shtojnë se Strategjia dhe Programi i ri që do të pasojë gjatë takimeve dhe tribunave, do të jetë ndryshe nga Programi i kaluar zgjedhor. Tribunat kryesore në qytete do t’i kryesojë kryetari i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe zyrtarët tjerë të partisë. “Me rëndësi është që të bëjmë presion te pushtetet lokale në atë që nuk kanë bërë dhe të ndihmojmë në zgjidhjen sa më të shpejtë të problemeve të qytetarëve. Ka dhe nga ata kryetarë komunash që kanë bërë punë edhe jashtë premtimeve dhe Programit, por ka edhe nga ata që kanë ngecur në realizimin e programit. Aplikacioni që kemi përgatitur na tregon saktë se kush ku ka ngecur me punë dhe kush ka bërë punë”, tregon Nikollovski. Në ndërkohë, edhe Bashkimi Demokratik për Integrim ka nis me përgatitje të strukturës për zgjedhje të parakohshme. Kuvendet zgjedhore të kësaj partie po vazhdojnë në secilën Degë dhe Nëndegë, ndërsa në pjesën më të madhe të strukturave lokale, BDI ka nis me ndryshime në udhëheqësi.

MICKOVSKI PUBLIKON EKIPIN STRATEGJIKStrugaLajm

Zgjedhje të parakohshme parlamentare ka kohë që kërkon VMRO e Hristijan Mickovski, si dhe opozita shqiptare. Dje, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se ka formuar ekip të ekspertëve, të cilët do t’i ndihmojnë  në krijimin e politikave. Ekipi përmban 16-të ekspertë, vendor dhe të huaj, të cilët Mickovski i prezantoi para gazetarëve. “Deri tani më shumë se 10.000 qytetarë e shprehën problemin e tyre. Ne do të ofrojmë zgjidhje për problemet. VMRO-DPMNE e ndjek kohën  dhe rrjedhat moderne,  në atë drejtim kam formuar ekip të bashkëpunëtorëve strategjik nga profesionistë të shquar, të cilët do të bëjnë përpjekje sepse Maqedonisë pas të gjitha humbjeve i nevojiten suksese. Ky ekip i cili do ta vë në dispozicion diturinë e tij për Rindërtim të Maqedonisë, do të riformatohet në periudhën që vijon”, tha Mickovski.

Në ekipin e bashkëpunëtorëve strategjik janë: profesoresha Gordana Siljanovska – bashkëpunëtore strategjike nga fusha e të drejtës dhe sistemit politik. Sashko Kadev – politika mjekësore dhe shëndetësore. Vlladimir Dukovski profesor në pension bashkëpunëtor strategjik për zhvillim teknologjik. Bashkëpunëtor strategjik për ekonomi është Hoze Karasko profesor i jashtëzakonshëm në Madrid, Spanjë, Igor Durlovski bashkëpunëtor strategjik në kulturë, Vllatko Gigov, shtetas i Zvicrës për bashkëpunëtor strategjik  për prodhime dhe mediume të reja dhe Janko Bazhdavela, nga Nju-Jorku.

Për pyetje nga fusha e sportit, bashkëpunëtori strategjik i VMRO-së është Borko Ristovski, për energjetikë Sanja Bozhinovska, Aka Mahmud nga fusha e  turizmit,  bashkëpronar   i grupacionit EREK. Për pyetje të punës profesori i jashtëzakonshëm Lazar Jovevski, për industrinë makinerike dhe ekologjinë Zoran Markov profesor i fakultetit makinerik. Për pronësi intelektuale profesori Goce Naumovski. Për biznes dhe strategji  organizuese profesori Goce Andreevski, për të drejtë  korporative Aleksandar Klimovski dhe për politikë bankare Kosta Mitrovski. Mickovski në konferencën për shtyp theksoi se vizioni i tij për vendin është që ai të shkojë përpara dhe se nevojitet rindërtim në çdo segment  të shoqërisë.

Zgjedhje të parakohshme ka kohë që kërkon edhe opozita shqiptare – Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA. Dy partitë kanë akuzuar pushtetin për dështim në ekonomi, siguri e politikë, ndërsa kanë përmendur skandalet, që siç thotë opozita, kanë filluar që me amnistinë e të akuzuarve për terrorizëm në rastin e 27 prillit e deri te rasti “Zhvatja”.

LIGJI I PËRZHINËS E KAP MUAJIN MARS-PRILL

Ligji i Përzhinës për zgjedhje të rregullta parlamentare parashikon që, 100 ditë para zgjedhjeve, të formohet Qeveri teknike, ndërsa për zgjedhje të parakohshme, Parlamenti nuk mund të shpërbëhet nën 50 ditë. Me këtë, matematika tregon se në muajin mars-prill, pushteti ka mjaftueshëm kohë për të shpallë zgjedhje të parakohshme. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...