Aktuale

Ziadin Sela:Shqipen, ose e braktis Qeverinë

Takimi i fundit të liderëve të partive politike shqiptare ka kaluar në frymën e diskutimit se ndërkombëtarët po bëjnë presion që Ligji për gjuhët të shtyhet për miratim pas zgjedhjeve lokale. Diskutimi për përdorimin e shqipes ka përfunduar pa ndonjë qëndrim unik se si ky ligj duhet të miratohet. Njëri nga tre partnerët e koalicionit qeveritar, kryetari i LR-PDSH-së Zijadin Sela, deklaron për gazetën KOHA se nëse Ligji për gjuhën shqipe nuk kalon brenda njëqind ditëshit të të Qeverisë, partia e tij do të dalë nga koalicioni qeveritar. “Ndonëse e kam thënë më herët, por edhe tani e përsëris se nëse Ligji për gjuhën shqipe nuk do të miratohet saktë brenda njëqind ditëve që kur u zgjodh Qeveria, ne do të braktisim koalicion qeveritar. Tjetër unë nuk kam ç’të shtojë për momentin”, theksoi Zijadin Sela, kryetar i LR-PDSH-së.

Ndërkaq, sa i përket zërave në opinion se mund të ndodhë kompromis me draft-ligjin e dakoduar më herët në lidhje me përdorimin e shqipes në uniformat në polici dhe ushtri dhe në monedha, gazeta KOHA nga burime që dëshirojnë të mbetet anonime merr vesh se në këtë drejtim BDI dhe ASH- janë marrë vesh me LSDM-në se ai draft nuk do të pësojë ndryshime. Por, duke marrë për bazë të kaluarën kur shumë premtime të partive shqiptare janë realizuar pjesërisht, kësaj radhe është shtuar frika se mund të bëhen kompromise, duke u fshehur prapa ndërkombëtarëve. Frika në këtë rast është edhe më reale, pasi në lojë forcat politike e përdorin komisarin Johanes Han dhe dërgimin e draft ligji për gjuhën shqipe për mendim në Komisionin e Venecias.

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti pas takimit me Ziadin Selën, Vesel Memedin, Gëzim Ostrenin dhe Luan Tresin nga PDSH, tha se çështja e Ligjit të gjuhëve ende po diskutohet dhe është shtruar për debat. Nga PDSH, e cila të mërkurën i’u bashkëngjit tryezës së përbashkët të partive shqiptare, ende nuk kanë qëndrim zyrtar për gjuhën shqipe, përveç asaj që tha Luan Tresi të martën, se do të mbështesin çdo iniciativë që vjen nga institucionet qeveritare e që është në të mirën e shqiptarëve. Por se a do të insistojnë që ligji për gjuhët të miratohet para zgjedhjeve lokaleve si kusht për të qenë pjesë e qeverisë apo të mbështesin atë pa qenë pjesë e saj, zyrtarë të lartë të PDSH-së thonë prerëb për gazetën KOHA se nuk do të jene pjesë e Qeverisë. Se a do të mbështesin dhe në cilat forma dhe se çfarë qëndrimi do të kenë për gjuhën shqipe, zyrtarë të lartë të PDSH-së thonë se shumë shpejtë do të dalin më një strategji të tyren edhe për këtë çështje. “E sigurt është vetëm ajo që ne nuk do të jemi pjesë e Qeverisë, por se për të gjitha çështjet e hapura, ne shumë shpejtë do të dalim më një strategji tonën politike, të cilën do t’ua parashtrojmë partive që janë pjesë e qeverisë”, thonë për KOHA zyrtarë të lartë të PDSH-së.

Ndërkaq, nga LSDM anëtari kryesisë Stefan Bogoev, thotë se gjatë këtij vikendi do të diskutohen shumë gjëra në parti dhe se për gjuhën shqipe do të shohin çka do të referojë kryeministri Zoran Zaev. “Besoj se gjatë vikendit do të dimë diçka, do të mblidhemi në parti për të diskutuar shumë çështje, ndërsa sa i përket gjuhës shqipe jemi në pritje çka do të na thotë lideri Zoran Zaev’’, thekson Bogoev. Nga Lëvizja BESA presin nëse do të lëvizin partitë në pushtet brenda korrikut. Nëse s’ka ndonjë iniciativë, Lëvizja BESA paralajmëronse do të del me propozim të vetin për zgjidhjen e çështje së gjuhës shqipe. “Do të presim partitë që janë në qeveri deri në fund të korrikut, nëse kanë propozim do të kemi qëndrim dhe mund të japim vërejtje apo të propozojmë diçka. Nëse nuk ka lëvizje në muajin gusht, do të dalim me propozimin tonë për zgjidhjen e çështjes së gjuhës shqipe. Me sa duket nuk ka vullnet nga të gjitha partitë në pushtet të miratojnë ligjin për gjuhët para lokaleve dhe kjo flet për një hipokrizi të partive shqiptare në radhë të parë dhe më pas edhe të LSDM-së që gojën e ka plotë reforma, kurse këndej për një të drejtë elementare kalkulon me zgjedhjet lokale”, thonë deputetë të BESËS për gazetën KOHA.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

 
Back to top button