Sa larg Struga, sa afër McDonaldsi i Shkupit

Nga Enver ROBELLI

Shqiptarët në Maqedoni, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi meritojnë më shumë vëmendje mediale sidomos nga Prishtina.

Kur në fillim të majit 2015 në një lagje të Kumanovës u zhvillua një përleshje e ashpër mes një grupi shqiptarësh (disa prej tyre me dosje të trashë kriminale) dhe forcave të armatosura maqedonase, skena mediale e Prishtinës reagoi si pa krye. Luftë në Kumanovë? Të vrarë? Sërish konflikt i armatosur mes shqiptarëve dhe maqedonasve? «A ma jep numrin e ndonjë analisti në Shkup se ti i njeh krejt?» – kjo ka qenë njëra ndër pyetjet më të shpeshta me të cilat jam ballafaquar ato ditë. Redaktorë, kryeredaktorë, gazetarë reagonin si të hutuar përballë situatës. Kureshtja e publikut për të mësuar se çfarë po ngjan dhe paaftësia apo pamundësia e lajmëtarëve për të informuar publikun, rrallëherë ka qenë më e madhe se në fillim të majit 2015.

Kureshtja e publikut ishte e arsyeshme: ndoshta gati gjysma e Kumanovës me rrethinë ka lidhje të ngushta familjare me Gjilanin dhe Preshevën. Kufijtë i kanë ndarë këto rajone si thikë, por lidhjet nuk janë shkëputur. Si të shkëputen kur njëri ka dajën në Kumanovë, tjetri kushërinjtë në ndonjë fshat të rrethinës së Gjilanit.StrugaLajm

Edhe ngjarjet e së enjtes, kur një bandë maqedonasish sulmuan parlamentin dhe rrahën disa deputetë (maqedonas dhe shqiptarë), ngjallën habi nëpër redaksitë e Prishtinës. Lajmi se parlamenti në rrethana dramatike, nën zhurmën e deputetëve të VMRO-së, zgjodhi Talat Xhaferin kryetar të Kuvendit të Maqedonisë, u dha fillimisht me një indiferencë të theksuar. Por kur në parlament filloi të rrjedh gjak, gjithçka ndryshoi: mediat e Prishtinës nisën të kërkojnë një shteg për të depërtuar te informacioni. Nuk ofruan ndonjë gjë origjinale. U shndërruan në distributore të lajmeve të mediave shqiptare në Maqedoni. Një gjë e tillë nuk është e dënueshme, assesi, por shpalos ngathtësinë e shumë mediave kosovare si pasojë e mungesës së vëmendjes për ngjarjet në Maqedoni.

Me të drejtë thuhet se shqiptarët e Kosovës kanë një ndjeshmëri të madhe për shqiptarët në Maqedoni për shkak të luftës së fundit. Mijëra shqiptarë nga Mitrovica në Kamenicë gjetën strehim nga Kumanova në Strugë në vitin 1999. Por që nga atëherë shumë ujë ka rrjedhur nëpër Drinin e Bardhë dhe Drinin e Zi. Në fundjavët monotone të Prishtinës shumë familje zgjedhin të shkojnë në Shkup – në McDonalds (derisa u mbyll), ndërsa tani kosovarët vërshojnë kryesisht qendrat tregtare. Ose Burger Kingun famoz. Një fundjavë në Strugë? Të rrallë janë ata që marrin këtë rrugë. Pas hapjes së «Rrugës së Kombit» njerëzit marshojnë direkt përmes Prizrenit e Kukësit në Tiranë, «rruga e vjetër» nga Struga e Qafë Thana përmes Elbasanit në Tiranë ka mbetur vetëm kujtim nostalgjik.StrugaLajm

Pak a shumë e njëjta vlen edhe për gazetarët kosovarë. Të rrallë janë ata që «humbin» rrugën në viset shqiptare në Maqedoni. Më parë do të lexoni një reportazh nga Struga në gazetën aspak prestigjioze «Wiener Zeitung» se në mediat e Prishtinës. Bash tani do të ishte momenti që gazetarët të vërshonin komuna e fshatra të banuara me shqiptarë në Maqedoni, të shkruanin për hallet e tyre, për përditshmërinë, për jetën që pulson, për kërkesat e tyre, për format e diskriminimit. Por momenti ka qenë edhe më 2015. Ka qenë edhe më parë. Dhe është përherë. Zakonisht pas ngjarjeve të mëdha në Maqedoni në mediat kosovare (dhe të Tiranës) shfaqet një varg intervistash me politikanë të Tetovës dhe Shkupit. Është gjëja më e lehtë që mund të bëhet. Pyetje pa sherr, përgjigje plot retorikë boshe.

Jo vetëm shqiptarët në Maqedoni, por edhe ata në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi meritojnë më shumë vëmendje sidomos nga mediat në Prishtinë. Me dekada kryeqyteti i Kosovës ka qenë qendër arsimore dhe shoqërore për shumë shqiptarë nga Struga e Tetova deri në Ulqin. Me shpërbërjen e Jugosllavisë, vendosjen e kufijve të rinj, hapjen e universiteteve në Tetovë, shkëmbimi sidomos mes të rinjve ka rënë. Ndër të paktit që mbajnë kontakte janë profesorët e Prishtinës dhe Tiranës, që pasi ligjërojnë në 50 universitete të vendet e tyre shkojnë të ligjërojnë edhe në Tetovë. Dhe në çdo përvjetor të universiteteve në Tetovë, Prishtinë dhe Tiranë «karteli i ulemave akademikë» shpërndan tituj: sivjet ti mua më shpall doktor nderi në Tetovë, vitin tjetër unë ty në Tiranë dhe pastaj që të dy në Prishtinë. Ose e kundërta. Provincializëm me brirë.

As për këtë fenomen nuk do të gjeni një copë shkrim në mediat e Prishtinës dhe Tiranës. Siç nuk do të gjeni një portret të lexueshëm mbi kryetarin e ri të parlamentit të Maqedonisë. Një profil të lexueshëm të Zoran Zaevit. Një hulumtim pak më serioz, përtej paragjykimeve, të Lëvizjes Besa. Një bilanc të pjesëmarrjes në qeveri të Bashkimit Demokratik për Integrim. Meqë temat me karakter fetar polarizojnë më shumë, në mediat kosovare krijohet përshtypja se në pjesën shqiptare të Maqedonisë njerëzit nuk bëjnë gjë tjetër përveç se kalojnë ditën duke marrë avdes, duke u falur dhe duke i thurur lavde Rexhep Taip Erdoanit. Natyrisht që ka edhe të tillë dhe kjo po ndodh edhe për shkak se asnjë politikan i Prishtinës nuk ka më autoritet në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë, ndërkohë që Edi Rama i përdorë për parada patriotike, siç i përdorte edhe Sali Berisha dikur.

Por përtej kësaj ekziston një Maqedoni shqiptare krejt e zakonshme, me halle tokësore. Poetë që shkruajnë (ose kanë shkruar) poezi të bukura (edhe për Prishtinën). Profesoresha e profesorë universiteti në Shkup, që mund të shpjegojnë mirë se çfarë po ngjan në Maqedoni. Aktivistë të shoqërisë civile me horizont të gjerë. Për t’i njohur ata duhet shkuar në Shkup, në Tetovë, në Kërçovë, në Gostivar, në Manastir, madje edhe në Prilep. Rruga deri atje nganjëherë mund të jetë e mundimshme, sigurisht më e mundimshme se veprat gjigante gazetareske nga tavolina e punës në Prishtinë. Por rezultati do të jetë më i dobishëm. Këmbët, ka thënë një publicist italian, janë më të rëndësishme për një gazetar se pena.


Loading...
loading...