Struga, gati planin e kulturës për pesë vjet

Rreth 85 mijë euro është fondi që Bashkësia Evropiane ka vënë në dispozicion për zhvillimin e kulturës në tre komuna, ato të Strugës, Qendrës në Shkup dhe Strumicës, shkruan gazeta KOHA. Prezantimi i aktiviteteve dhe i planeve strategjike të komunave për kulturën gjatë pesë viteve të ardhshme janë bërë si pjesë e projektit “Pjesëmarrja civile për demokracinë lokale. BE i financon këto projekte, me qëllim që të ndryshohet politika dhe kultura e një shoqërie, nëpërmjet grantistëve komunal, të cilët janë realizues të këtyre projekteve”, ka thënë përfaqësuesi i Delegacionit të BE, Nikolla Bertolini. Sesa e rëndësishme është kultura në mirëqenien e shoqërisë dhe zhvillimin e shteteve, ai e ka përkufizuar me thënien e themeluesit të BE, Zhan Mone, që “Nëse duhet të bëj diçka, duhet t’ia nis nga kultura”.

“Ky është një projekt mjaft i mirë, pasi që afron shoqërinë civile me institucionet, si një instrument mjaft i mirë për përkrahjen e dialogut dhe bashkëpunimit mes qytetarëve dhe autoritetet. Me këtë bashkëpunim besoj se nuk është e vështirë që të hartohen politika përfshirëse, nga vetë qytetarët dhe që i përgjigjen nevojave të tyre, dhe jo politika që hartohen në një zyrë në Qeveri”, është shprehur Bertolini. Struga është një prej tre komunave që e ka ndërtuar strategjinë në kulturë për pesë vitet e ardhshme. Tre projektet e para të realizuara gjatë këtij viti janë Muzeu “Via Kandavia” në Livadhi, si destinacion për turizëm kulturore, si edhe dy projekte të tjera –  Struga, qytet kreativ dhe Etnikumet bashkërisht janë respektim i vlerave kulturore.

“Tre komunave në Maqedoni iu mundësua që përmes një procesi participues të hartojnë strategjitë lokale për kulturën, sektor ky që mundëson ndërtimin e linqeve të mirëkuptimit, dhe tejkalimin e hendeqeve dhe barrierave që janë rrënjosur për vite me radhë, si në aspektin, etnik, gjinor,religjioze, partiake e të tjera… Të shpresojmë se këto strategji të hartuara nga komunat dhe gjithë kjo punë e bërë deri tani të mos shkojë kot, duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme lokale dhe ndryshimin e funksionarëve nëpër komuna”, tha Fani Karanfillova-Panovska, drejtore e Fondacionit Shoqëri e Hapur.

Ministri i Kulturës, Robert Allagjozovski i ka bërë thirrje sektorit civil, artistëve të pavarur, krijuesve, komunave…, që të bëhen pjesë e reformave dhe hartimit të strategjisë për kulturën 2018-2022. Allagjozovski ka premtuar një e erë të re në raportet mes shoqatave, komunave dhe institucionit që ai drejton.

“Përfshirja e deritanishme e sektorit joqeveritar ka qenë më shumë se formale. Sugjerimet, vërejtjet  e tyre nuk janë marrë parasysh, madje në rastet kur bashkëpunimi i tyre kishte tone kritike në lidhje më propozimet nga ana e institucioneve shtetërore, ndiqej nga diskreditimi, etiketimi ndaj të gjithë atyre që guxonin të kishin qëndrim kritik, madje kishte edhe raste kur formoheshin organizata paralele që zëvendësonin lojtarët e vërtetë në terren. Ne dëshirojmë ta tejkalojmë këtë barrierë dhe mund të them se dyert e ministrisë do të jenë të hapura për bashkëpunim me të gjitha organizatat, artistët e pavarur, që mund të ndihmojnë në krijimin e strategjive në kulturë”, ka thënë ministri. (koha.mk)