A po relativizohet censusi për referendumin?

Kryeministri Zaev dhe ministri Dimitrov kanë përkujtuar faktin se referendumi është konsultativ e jo i obligueshëm, me çka shihet një tendencë për ta relativizuar mosarritjen eventuale të censusit elektoral prej 50+1 për qind që duhet të dalin të votojnë. Ndërkaq, lideri i VMRO-së, Mickosvki assesi nuk beson se në referendum do të dalin mbi 900 mijë votues dhe që shumica prej tyre të votojnë “pro”

 

Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga mbajtja e referendumit, partitë në pushtet kanë filluar ti japin më shumë rëndësi Parlamentit ku dhe duhet të ndodhin ndryshimet kushtetuese lidhur me zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes për emrin me Greqinë. Gjatë fushatës mes pushtetit dhe opozitës, pati debat në distancë për të mirat dhe të këqijat, sipas kësaj të fundit, të Marrëveshjes me Greqinë, por jo edhe debat të mirëfilltë argumentues lidhur me referendumin. Kryeministri Zaev nuk iu përgjigj thirrjes së liderit të VMRO-së, Hristijan Mickovski, për një debat televiziv mes tyre me arsyetimin se lideri opozitar nuk ka qëndrim të qartë kundrejt referendumit, shkruan gazeta KOHA.
Së fundmi, kryeministri Zaev dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, kujtojnë faktin se referendumi është konsultativ e jo i obligueshëm, me çka shihet një tendencë për ta relativizuar mosarritjen eventuale të censusit elektoral prej 50+1 për qind që duhet të dalin të votojnë. Ndërkaq lideri i VMRO-së, Hristijan Mickovski assesi nuk beson se në referendum do të dalin mbi 900 mijë votues dhe që shumica prej tyre, të votojnë pro.
“Nëse kjo ndodhë, diçka që nuk e besoj, ai do të jetë vullnet i qytetarëve. Dhe unë nuk kam ndërmend të shkoj kundër tyre. Nuk mund të thoni se jeni demokrat dhe mos ta respektoni vullnetin e qytetarëve, por njëherësh dhe nëse nuk është i suksesshëm, atë ta respektojë pushteti”, tha të mërkurën Mickoski. Por në drejtim të ofrimit të liderit të opozitës, në shikim të parë për pjesëmarrje në referendum, por me qëllimin final që opozita të votojë ndryshimet kushtuese, kryeministri Zaev së fundmi tregohet më shumë operues dhe miqësor me kryetarin e VMRO-së.
“Ne u pajtuam me VMRO-DPMNE-në për thuajse gjithçka dhe ashtu vepruam. Unë do të dal më 30 shtator dhe do të votoj ‘për’. Duhet edhe liderët tjerë ta tregojnë qëndrimin e tyre. Nëse shumica e votave janë ‘kundër’, atëherë ne do ta shfuqizojmë Marrëveshjen me Greqinë, por nëse shumica janë ‘për’, atëherë ne duhet që t’i ndjekim udhëzimet që na i japin qytetarët”, tha Zaev. Kur jemi tek censusi, analisti politik Alajdin Demiri mendon se ajo është vështirë e realizueshme për disa fakte dhe rrethana. “Në referendum votohet kur nuk kemi regjistrim të popullsisë, kur Lista zgjedhore është e ngarkuar dhe kur qytetarët nuk jetojnë në Maqedoni. Këtë e di edhe LSDM edhe të tjerët, por referendumin konsultativ më shumë e bënë për ta shpërndarë përgjegjësinë te populli dhe për larje të vetëdijes së tyre politike. Këtu nuk bëhet fjalë për pushtet, por këtu do të dihet se realisht janë brenda Maqedonisë nëse nuk ka mbushje të kutive”, thotë Demiri. Siç cek ai, pavarësisht rezultatit të referendumit, politika do të zhvendoset në Parlament dhe po aty do të jetë ballafaqimi i vërtetë mes pushtetit dhe opozitës që nëse nuk na çojnë në ndryshime kushtuese, është e sigurt së do të na çojnë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“VMRO bënë një lojë shumë të pistë politike, duke mos u deklaruar për pjesëmarrje në referendum.. VMRO dëshiron të mbetemi me IRJM dhe të kthehet në pozitë politike për të marrë pushtetin. Kjo parti ka frikë të deklarohet kundër referendumit, për arsye se do të mund të zhbëhet nga lista e partive pro integrimeve euroatlantike”, thekson Demiri. Sipas tij, nëse shumica dërmuese deri në 90 për qind votojnë pro në referendum, edhe nëse nuk ka census, kjo mund të bëjë që VMRO të bëhet pjesë e ndryshimeve kushtuese. Në rast se votat “kundër” do të jenë në masë të konsiderueshme në referendum, VMRO mund të mos votojë për ndryshime kushtetuese dhe të kërkojë më këmbëngulje zgjedhje të parakohshme.
“Zgjedhje të parakohshme gjithsesi do të kemi, pasi që do të kemi realitet të ri politik dhe ato do ti kërkoj edhe vetë kryeministri Zaev në rast se ka sukses referendumi dhe kalojnë ndryshimet kushtuese. Këtë do ta bëjë edhe për të rritur shumicën parlamentare”, shprehet i sigurt Demiri. (koha.mk)StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...