Arsimi, ky kancer i yni

15 veçarët e Maqedonisë janë më të paaftët për lexim. Praktikisht po vjen një brez analfabetësh funksional. Jemi duke jetuar me kancer, më të rëndin, të cilin shoqëria mund ta shërojë, por nëse jo atëherë do të vazhdojmë të vegjetojmë si popull e shoqëri në agoni konstante dhe të tjerët do të sundojnë. Kam frikë se edhe vite të tëra nuk do të vijë shërimi, nëse tani nuk bëhet ndërhyrja, në të kundërt do të ndodhë hataja: Asimilimi dhe zhdukja

 

Nga Nazim RASHIDI

Benjamin Perks, është përfaqësuesi i UNICEF-it në Maqedoni, Fondi për fëmijë i OKB-së i cili ka për qëllim që të ndihmojë fëmijët në nevojë, por dhe të ndërtojë politika zhvillimore për vendet në zhvillim.  Z. Perks publikoi në profilet e tij në rrjetet sociale një grafikë për performancën e sistemeve edukative të vendeve të rajonit për vitet 2000-2015. Kjo performancë bën matjen në kategorinë më të thjeshtë të saj, sipas aftësive të leximit të nxënësve.

Pra edhe një herë: duke u bazuar në aftësinë e leximit të nxënësve është bërë matja e aftësisë së sistemit arsimor. E përsëris këtë sepse rezultati është vrastar e kancerogjen për Maqedoninë, por dhe për gjithë shqiptarët në rajon, nëse mund të sjellim një konkluzion të tillë. Çfarë thonë këto rezultate? Maqedonia në gjithë këto vite ka rënie në aftësimin e nxënësve. Nga viti 2000, kur ka qenë e parafundit, mes Shqipërisë, Serbisë dhe Malit të zi, në 2015 ka dalë e fundit.

Ka qenë para Shqipërisë dhe është i vetmi vend që ka rënie konstante duke marrë më pak pikë sipas vlerësimit që është bërë bazuar në aftësinë e nxënësve.  Sipas grafikës, në 2015, aftësi më të mirë për të lexuar në rajon kanë pasur nxënësit serb, pastaj malazezë, ata të Shqipërisë dhe në fund të Maqedonisë. Por tragjedia në të gjitha rastet është se të gjithë vendet e rajonit janë poshtë mesatares të OECD-së, Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, në të cilën bëjnë pjesë, thënë në terme më të përgjithshme, vendet më të zhvilluara në botë.

Një tabelë e thjeshtë e cila të ngjall tmerr dhe të kall datën, sepse tregon një fatkeqësi të madhe që vjen. Për veç se vendet tona dhe sidomos Maqedonia është aktualisht prapa shumë vendeve, kjo do të thotë se edhe brezat që vinë do të mbesin edhe më prapa, sepse zhvillimi arsimor ka rënie.  Veç imagjinoni, bëhet fjalë për një indeks që mat veç aftësitë e nxënësve për të lexuar.

E dini si interpretohet kjo? Që praktikisht kemi nxënës analfabetë, analfabetë jofunksional është termi më i saktë. Kjo do të thotë se një numër i madh i 15 vjeçarëve njohin shkronjat, por njohuritë e tyre janë të pa mjaftueshme për përdorimin e shkrim leximit në përditshmëri apo për të kryer punë për çka, në botën e sotme kërkohet më shumë se sa njohja e shkronjave.  Analfabetizmi funksional përshkruhet thjeshtë si lexim i ngadalshëm dhe paaftësi për të përdorur tekste të ndryshme, se libra jo e jo, për nevoja të caktuara.  Në fakt mbase dhe nuk do duhej një studim i tillë të ngjallë tmerr, se sot kemi rrjetet sociale si pasqyrë të këtij realiteti, ku sheh se në ç’mënyrë shprehen njerëzit. Sa gabime drejtshkrimore, jo lapsuse të thjeshta të cilat i ndodhin të gjithëve, duke më përfshirë dhe mua, por gabime konceptuale të mos dijes se si shkruhet një fjalë e caktuar apo dhimbja ime e madhe se ku vihet “ë” dhe ku jo në fund të fjalës.

Duke mos përmendur gabimin konstant mes “ç”-së dhe “q”-së dhe këto jo vetëm tek të rinjtë por në disa raste edhe tek persona publik apo edhe më dhimbshëm tek përfaqësues universitar.  Gjendja është alarmante. Nuk e di si të shprehet ky panik, se deri ku ka arrirë degjenerimi. Dhe fatkeqësia është se nuk është kjo gjendje vetëm tek arsimi fillor.StrugaLajm

Ja çfarë lajmi më zunë sytë para pak ditësh:

“…në Universitetin Bujqësor të Tiranës ka profesorë me diploma false dhe me mesatare 5.7. Por, skandali shtrihet më gjerë. Gazeta Tema ka mësuar disa fakte edhe më skandaloze të qena prezente në Universitetin e Vlorës. Burime të gazetës pranë Ministrisë së Arsimit bëjnë me dije se pas një kontrolli, rezulton se në këtë Universitet janë të paktën dy profesorë, që kanë mbaruar edhe Doktoraturën, të cilët nuk kanë bërë shkollën e mesme. Jo vetëm kaq, por disa të tjerë janë me mesatare 5, gjë që është e paligjshme, ndërsa disa të tjerë japin mësim jashtë profilit të tyre”.

Siç e shihni, lajmi ka të bëjë me zhvillime në Shqipëri, por e dimë se të njëjta gjëra nuk është se ndodhin dhe këtu. Kjo situatë ma kujtoi atë shprehjen: “ta dija sa i lehtë ishte universiteti, do ta kisha mbaruar shkollën e mesme”. Dhe kemi dëgjuar për plot mite të situatave të ngjashme dhe te ne, por situata as nuk është për shaka e as për të qeshur. Në fakt duhet qarë, sepse krim më të madh dhe gjenocid më të madh, apo dhe vetëvrasje më të madhe masive nuk e di a është bërë.

Fillimisht nuk e kuptoj se me çfarë mendje dhe lehtësie, dhe me thoni sa të doni naiv, nuk e kuptoj se me çfarë lehtësie një person, mashtron dhe manipulon breza të tërë, duke i lënë të pa aftë përjetësisht nxënësit. Nuk mund ta kuptoj, e nuk mund ta kuptoj se si ndodh ta bindin veten se mund të bëhen mësues, arsimtarë e profesorë duke e ditur se s’dinë gjë. Se një njeri i ditur e di se dija është e pafundme.  Nuk e di ku gjendet guximi dhe më shumë kush i mbron këta vrasës të shoqërisë e kombit dhe asnjë nuk mban përgjegjësi.  Fjalët kam përshtypje se janë të tepërta më. Koha është për veprim.

Ministri i Arsimit, Arbër Ademi tha se po shtyn reformat. Shumë mirë. Ja një ide: Veting i plotë për të gjithë. Nga mësuesit e deri tek akademikët. Veting jo vetëm për diploma fallso, por edhe për punimet shkencore.  Të dalin me emër dhe mbiemër se kush ka bërë gjymtimin mbase më të madh të zhvillimit shoqëror dhe të shkruhen në të gjitha tabelat e shkollave e universiteteve që të mbahen mend me breza të tërë dhe që turpi mos ju dalë më vite.  Ky nuk është një propozim sa për një shkrim, apo dhe sa për të ngritur një çështje, ky duhet marrë si një veprim më patriotik i mundshëm. Nëse ka mbetur një fije dashurie kombëtare e atdhetare e para gjë që duhet bërë është asgjësimi i atyre që lejojnë dhe atyre që përhapin injorancë.

Jemi duke jetuar me kancer, më të rëndin, të cilin shoqëria mund ta shërojë, por nëse jo atëherë do të vazhdojmë të vegjetojmë si popull e shoqëri në agoni konstante dhe të tjerët do të sundojnë. Kam frikë se edhe vite të tëra nuk do të vijë shërimi, nëse tani nuk bëhet ndërhyrja, në të kundërt do të ndodhë hataja: asimilimi dhe zhdukja. Edhe këto fjalë, nuk janë sa për të ngritur panik. Veç një popull i pa ditur e i pa lexuar vdes e zhduket. Veç një shoqëri që se njeh vetveten shkrihet. Dhe veç vini re se sa lehtësisht mpihen influencat dhe tendencat jo tipike për shoqërinë e kombin tonë. Të gjitha bazën e kanë te mos dija. Prandaj, të gjithë me radhë, ju që keni në dorë pushtetin, nëse nuk ndërmerrini gjë, atëherë ju jeni fajtorët e zhdukjes kolektive.

Por ka një rrethanë lehtësuese, nëse injoranca sundon, atëherë s’do ketë kush t’ju fajësojë. Veç kjo ju shpëton. Por uroj që ky mos të jetë qëllimi, për mosveprimet që mund të pasojnë!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

In : Aktuale

Loading...
loading...