Ish-kryeministri Ramush Haradinaj thotë t’i ketë telefonuar Albin Kurit për ta uruar për zgjedhjen në postin e të parit të qeverisë. Thotë se kanë zhvilluar një bisedë korrekte.
“I kam telefonuar dje kryeministrit Kurti dhe e kam uruar. Ishte një bisedë e shkurtë por korrekte duke i uruar sukses për besimin që ka marrë, për punët që e presin”, tha Haradinaj i cili po qëndron në SHBA.
Por Haradinaj nuk pret shumë nga qeveria e re, të cilën thotë se e presin shumë punë.
“Është lajm i mirë që kemi qeverinë e re për shkak se ka shumë aspekte buxhetore dhe aspektet tjera me rëndësi e veçanërisht për liberalizimin e vizave, pra në mars jemi në agjendë. Gjermania dhe Kroacia kanë bërë shumë punë të mirë, shpresoj që do të jemi në agjendë për liberalizim’, theksoi Haradinaj.
“Unë e di që koncepti qeverisës i z.Kurti është mashtrim. Fatkeqësisht kanë me u zhgënjy qytetarët shumë me ketë qeveri, me kryeministrin Kurti sepse është koncept mashtrues”, theksoi ai.
Haradinaj u dorëhoq nga posti i të parit të qeverisë më 19 korrik 2019 duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, pas të cilave Haradinaj nuk doli fitues.