Instituti Arbën Xhaferi: Si menaxhoi apo keqmenaxhoi qeveria aktuale me pandeminë!

Pjesë e shkëputur nga Raporti për 100 ditët e para të Qeverisë, punuar nga Instituti i Politikave Publike “Arbën Xhaferi”- Shkup

(Keq)Menaxhimi i pandemisë

Pandemia e shkaktuar nga virusi Covid-19 i vuri në sprovë kapacitetet e sistemit veçmë të brishtë të shëndetësisë. Në fillimet e pandemisë, Ministria e Shëndetësisë mori masa restriktive për të parandaluar shpërthimin e madh të virusit në vend, përdori karantinimin si masë dhe orën policore. Me numër të vogël të rasteve të të infektuarve me Covid-19, RMV përkohësisht ja doli që të mbajë situatën nën kontroll.

Në qeverinë e re, struktura udhëheqëse e Ministrisë së Shëndetësisë mbeti e njejtë edhe përkundër  përkeqësimit të gjendjes përtej parashikimeve fillestare, ku u tha që piku i pandemisë  do të jetë kur  numri i të infektuarve do të arrinte në 2,000. Situata aktuale flet për mungesë të kapaciteteve parashikuese dhe jokonsistencë në menaxhim të krizës shëndetësore, me ç’rast sot  RMV ështe vendi i parë në rajon dhe vendi i 8 në botë për vdekshmëri nga virusi Covid-19 dhe ka mbi 70.000 persona të infektuar. StrugaLajm

Edhe përkundër ndihmave nga Banka Botërore, Bashkimi Evropian dhe partnerëve tjerë ndërkombëtarë, në spitalet e vendit ende ndjehet mungesë e kapaciteteve të mjaftueshme për përballje efektive me pandeminë, ku në veçanti ndjehet mungesa e shtretërve, respiratorëve, dhe aparateve të tjera për funksionim normal të spitaleve. E gjithë kjo flet për keqmenaxhim të sistemit të shëndetësisë me vite të tëra si dhe mungesën e kapaciteteve për menaxhim efektiv të krizës.

Ministri i Shëndetësisë, në marrjen e mandatit siguroi se në vitin 2020 do të përcaktojë strategjinë 10 vjeçare për investimet në shëndetësi dhe se do të kërkojnë mbështetjen e Kuvendit për të njejtën. Megjithatë, nuk është vërejtur ndonjë hap konkret në këtë drejtim.StrugaLajm

Një problem tjetër i sistemit  shëndetësor që u vu në pah gjatë pandemisë është edhe mungesa e veturave të ndihmës së shpejtë. Në programin qeveritar ishte paraparë sjellja e 70 veturave të reja të ndihmës së shpejtë. Megjithatë, edhe përkundër urgjencës imanente për më shumë kapacitete gjatë kësaj kohe, nuk ka të dhëna për ndonjë hap konkret në këtë drejtim,  përveç donacionit individual të vetë kryeministrit në klinikën e Strumicës.

Përvec premtimit për rindërtim, zgjerim dhe pajisje (përfshirë stafin e nevojshëm) të klinikave spitalore në Tetovë, Manastir dhe Shtip, u premtua gjithashtu që këto qendra do të bëheshin më efikase dhe më të arritshme për qytetarët, përmes projektit  “Telemjekësia”, ku udhëton informacioni dhe jo pacienti, e që do të duheshte të lidhë Qendrën Klinike Universitare në Shkup me tre spitalet klinike në Manastir, Tetovë dhe Shtip. Sidoqoftë, nuk vërehet ndonjë progres i veçantë në drejtim të realizimit të këtyre premtimeve.

RMV vazhdon të mbetet në krizë të thellë shëndetësore në masë të madhe si pasojë e negliezhencës së vazhdueshme të sistemit shendetësor publik, gjë e cila u dëshmua me mungesën e kapaciteteve të mjaftueshme institucionale në përballjen me krizën e shkaktuar nga virusi Covid-19. 

In : Aktuale

Loading...
loading...