Jo kazinosë në shtëpitë tona: Lagjja në Strugë ngrihet kundër hapjes së Kazinosë

Banorët e lagjes së njohur si “Ish-Struzhanka”(Partizanska) në Strugë kanë ngritur zërin siç thonë në mbrojtje të sigurisë dhe mirëqenies së familjeve të tyre. Me kurajë dhe vendosmëri, ata kundërshtojnë fuqishëm hapjen e një kazinoje në godinën banesore ku jetojnë shkruan strugalajm. Tubimi i mbajtur para banesës ishte një shprehje e qartë e shqetësimit të përbashkët për ndikimet negative që një biznes i tillë mund të ketë mbi komunitetin e tyre.

Në emër të banorëve, Flori Xhila, Arif Hajredini, Dritan Jonuzi dhe Ibrahim Halidovic theksuan se kazinoja nuk ka vend në një lagje ku jetojnë fëmijë dhe familje. Ata nënvizuan se kjo ndërhyrje do të dëmtojë mjedisin e qetë që banorët kanë ndërtuar dhe nuk do të lejojnë që fëmijët e tyre të rriten përballë një kazinoje, e cila do të shfaqej para tyre që në fillim të ditës.

Banorët janë të vendosur të vazhdojnë përpjekjet e tyre në çdo instancë të nevojshme, duke mbrojtur interesat e komunitetit dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Atyre u duhet një mjedis i sigurt dhe i shëndetshëm, jo një hapësirë që rrezikon paqen e familjeve dhe e kthen lagjen e tyre në një zonë me rreziqe të shtuara sociale.StrugaLajm

Me solidaritet dhe forcë të përbashkët, banorët e lagjes “Ish-Struzhanka” tregojnë se nuk do të ndalen derisa të fitojnë këtë betejë për të mbajtur larg kazinonë dhe për të mbrojtur komunitetin e tyre.(Strugalajm.com)

In : Aktuale

Loading...
loading...