Kamatat po rriten

Shkup, 11 shtator – Qytetarët e Maqedonisë akoma nuk mund të blejnë banesa me kredi me kushte të njëjta të kamatës për periudhë 10, 20 apo edhe  30 vjeçare të kthimit të borxhit në banka, shkruan gazeta KOHA. Me fjalë të tjera, shfrytëzuesit e kredive afatgjate në Maqedoni nuk paguajnë të njëjtat kamata në vitet e para të kthimit të kredisë në raport me periudhën e mëvonshme. Bankat në vend ofrojnë kamata fikse prej 3 për qind vetëm për tre vitet e para, ndërsa qytetarët më vonë paguajnë kamata dyfish më të shtrenjta.

Ekonomistët thonë se kamata në princip është çmimi që paguhet për shfrytëzimin e mjeteve të bankës dhe shprehet në përqindje. Kjo paraqet raportin e shumës së kamatës vjetore dhe shumës së kredisë. Lartësia e kamatës varet nga lloji i kredisë, periudha për të cilën jepet, oferta dhe kërkesa në treg si dhe rrisqet politike, siç janë anëtarësimi i vendit në NATO, fillimi i negociatave të një shteti për anëtarësim në BE, turbulencat dhe krizat politike që kalon një shtet, por edhe problemet potenciale etnike që fshihen nën qilim dhe që mund të sjellin jostabilitet në të ardhmen e kështu me radhë. Nga ana tjetër edhe përkundër ulje së konsiderueshme të kamatave të kredive banesore në raport me gati 10 për qind sa ishin më parë, si rrjedhojë e konkurrencës në sektorin e bankave, ato akoma janë të larta për standardin mesatar të qytetarëve në Maqedoni. Në ndërkohë bankat ofrojnë kushte më të volitshme për klientët lojal që pranojnë pagën në bankë të caktuar, ofrojnë kamata më të ulëta apo edhe lirime të caktuara për ato që kanë kursime tek to. Nga ana tjetër, për klientët pak ka rëndësi se në cilën bankë do të marrin rrogën dhe do të hyjnë në borxh. Ato përpiqen mirë të informohen dhe të zgjedhin bankën që sa më pak do të ngarkojë buxhetin e tyre familjar dhe zgjedhin bankën që ofron harxhime më të vogla. Ekonomistët sugjerojnë që gjatë aplikimit për kredi banesore të keni kujdes për afatin e periudhës fikse të shkallës së kamatës prej 3,5 ose më shumë për qind, shkallën e kamatës në periudhën fikse që duhet të jetë më e ulët se e konkurrencës, të mos ketë provizion për miratimin e kredisë, të mos ketë harxhime të tjera manipulative, banka të mos kërkojë pagesën e penaleve apo dëmit për shkak të pagesës më të hershme të kredisë, si dhe shkalla e kamatës pas kalimit të periudhës me kamatë fikse të jetë më e ulët se e konkurrencës. Aktualisht një nga ofertat më interesante në treg janë kreditë e Bankës së Ohrit me kamatë të fiksuar deri në vitin 2030, por që varet edhe nga llojet e ndryshme të klientëve si dhe për kreditë me ose pa sigurim jetësor. Kamata është fikse në periudhën e 3 viteve të para me shkallë prej 3.75 dhe 3.95 për qind, në periudhën prej vitit të katërt deri në atë të 13-të është 5.95 për qind, dhe është e ndryshueshme pas 13 viteve.StrugaLajm

Në Stopanska Banka, shkruan KOHA, kamatat banesore lëvizin prej 4 deri 4.8 për qind në tre vitet e para, dhe 6.17 deri 7.25  në periudhën e mbetur, në varësi se a e merrni pagën në këtë bankë dhe disa kushteve të tjera. Në Bankën Komerciale ofrohen lloje të ndryshme të kredisë, duke filluar prej ato me klauzolë devizore me kamatë që fillon me shkallë të kamatës prej 2.9 për qind në tre vitet e para, 4.85 në pesë vitet e para dhe deri në 6.65 për qind për periudhën e mbetur. Ekzistojnë edhe oferta të tjera nga kjo bankë, siç janë ato për kreditë banesore në denarë me shkallë të kamatës fikse prej 4.5 për qind në tre vitet e para dhe të kamatë të ndryshueshme prej 6.5 për qind në periudhën e mbetur të kthimit të kredisë. Në Tutunska Banka ka oferta që fillojnë prej 4 për qind kamatë në tre vitet e para dhe së paku 5.8 për qind në vitet e mbetura për pranuesit  e pagës përmes kësaj banke. Ekzistojnë edhe lloje të tjera të kredive në këtë bankë me kamatë fikse prej 3,8 për qind në tre vitet e para si dhe 4.8 për qind në vitin e katërt dhe të pestë dhe së paku 5.5 për qind për periudhën e mbetur të kthimit të kredisë. Ofertë joshës ofron edhe Silk Road Banka për pranuesit e pagës në këtë institucion financiar, me kamatë fikse prej 2.9 për qind në tre vitet e para dhe të ndryshueshme prej së paku 5.85 në periudhën e mbetur.StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...