Letër e një lideri drejtuar elektoratit…

Lebit Murtishi

Militantë e militante të dashura!- dita e
madhe e ndryshimeve historike po afrohet.
Atë ditë të shenjtë, u pres me mall te kutitë
e votimit; atë ditë presim fitoren e madhe
për ju të gjithë së pari, po edhe për hallat e
tezet tuaja të vdekura, të cilave do t’u nisim
nga lutje xheneti, poqese vijnë të votojnë si
herave tjera!
Kam nderin t’u paraqes letërnjoftimin tim
përpara zgjedhjeve për ndryshime. Së pari
duhet të njiheni me të vërtetat historike që
i ka shkruar sipas takatit të vet partia jonë
kundërshtare, domethënë armiqësore…Sa
për fillim, duhet të dini që, përveç tjerash,
edhe esat pashanë e vrava unë…Në fakt, ai
vdiq nga ethet e miut, por meqënëse partia
ime dha kontributin më të madh për rritjen e
minjëve të gjerizit, këtë nder vendosi të ma
atribuojë mua, pasi fitoi tenderin publik për
blerje-shitjen e ngjarjeve historike…Avni
Rrustemi as që ka ekzistuar fare; ky emër e
ky mbiemër është pseudonimi që zgjodhi
partia për mua, përpara së të bëhesha i pari
i saj. Që domethënë, qyshkur kullosja bagëtitë
e i bija fyellit me një birë nëpër fushat e gjëra
me lule dhe nën hijen e lisave të lartë të
pyjeve të Atdheut. Edhe këto fjalët që m’i
vodhi një poet refugjat nga Stambolli, ju
betohem për ideal të partisë, që janë puro
të miat!-madje më shumë se 24 karatë, siç
dërdëllis ai vëllai im opozitar. Seee, meqë
erdhi fjala për opozitën, le ta dijë mileti
edhe këtë të vërtetë, e kam fjalën të mos
mërzitet se bëjmë hatanë kur shajmë njëri-
tjetrin Ne e dimë që jemi të një gjaku –
më falni, desha të them të një zanati, dhe po
erdhi puna për mbrojtjen e idealeve që
na bashkojnë, ne jemi një grusht të gjithë…
Rroftë partia që na i hapi hundët kaq shumë,
sa të dallojmë nga çdo distancë erën e
gazrave të padronëve…

I ,,juaji” gjer në vdekje…StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...