Letër profesor Iqmet Kicës: Veleshta, Struga dhe tërë shqiptaria duhet të krenohet me ju (Foto)

Shkruan:
Dr. Bexhet Asani / Strugalajm.comStrugaLajm


LETËR PROFESOR IQMET KICËS
I dashur profesor Iqmet!
Gëzuar dhe për shumë vjet festën kombëtare 7 Marsin ditën e mësuesit! Ju keni punuar plotë dyzetë vjet në arsim, dyzetë vjet keni mbajtur ditarin në duar. Dyzetë vjet keni bërë historinë e arsimit në trevën e Strugës dhe më gjerë. Ju e keni kryer me nder punën e mësimdhënësit. Dhe për këtë krenohemi ne, duhet të krenoheni dhe ju. Rrugëtimi juaj dyzetë vjeçar nuk ka qenë i shtruar me lule! Ne e dimë këtë. Ju dhe kolegët tuaj kaluat nëpër shumë peripeci, nuk e dimë ku e gjetët gjithë atë energji!? Më falë që po të kujtoj motnë e shkuar siç do të thoshte Jeronim de Rada ynë i madh! Por këto gjëra duhet të dihen për të kaluarën tuaj sa të vështirë po aq të ndritur. Gjeneratat e ardhshme duhet të njohin të kaluarën e arsimit shqiptar në ish Jugosllavi. Aq më tepër duhet të dinë për arsimin “eksperimental” në trevën e Strugës! StrugaLajm

Po ta marrim me radhë, unë e di se kjo që do t’ u shkruaj tani, nuk ju kujtohet, ashtu siç nuk më kujtohen ngjarjet e vogla me ish nxënësit e mi. Ishim në vit të dytë ne atëherë, në gjimnazin “Vëllezërit Miladinovci” të Strugës, klasa numëronte tridhjetë e tetë nxënës, tepër me të vërtetë tepër, po nuk numëronte vetëm klasa jonë aq nxënës, atë numër nxënëshish pothuaj e kishin të gjitha klasat ku ju mbanit mësim. Në një bisedë të lirë gjatë pushimit, ramë në “konflikt” mendimesh pasi kishim vënë hartën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi dërrasën e zezë, në orën e gjeografisë, punë fëmijësh po kujtimet që ngelin! Shoqja e klasës sime Nezahati, në bisedë e sipër tha se Detroiti është qytet në Amerikë, unë si njohës “i mirë” i Amerikës meqë i kisha dy vëllezër në Amerikë, e kundërshtoja: qytet me emër të tillë nuk ka në Amerikë. Jo ka, jo s’ ka! Biseda jonë kishte arritur kulmin! Të dy e kërkonim Detroitin nëpër hartë po s’ e gjenim dot!
Ora e mësimit të gjeografisë filloi. Nezahatit nuk iu durua, pasi mori jeje ua bëri pyetjen, në kishte qytet me emrin Detroit në Amerikë apo jo, sepse unë dhe Bexheti po shtyhemi për këtë!? Ju qeshët, dhe na nxorët te dërrasa para hartës. Ti si thua e pyetët Nezahatin? Unë them ka qytet me emrin Detroit në Amerikë. Pastaj ma parashtruat pyetje dhe mua: Përgjigjja ime ishte jo, nuk ka qytet me emër të tillë në Amerikë! Atëherë qetë – qetë u afruat te harta e Amerikës dhe na treguar se ku gjendej qyteti i Detroitit. Shoqja e klasës filloi të lëvdërohet. Ajo kishte të drejtë.
Nuk harrohen dot edhe orët e realizuara në natyrë ditëve të ngrohta e plotë aromë të pranverës. Ju realizuat disa orë të suksesshme, gjë që nuk mund ta bënte çdo pedagog.
Vitet tetëdhjetë ishin vitet më të hidhura të jetës suaj. Filloi diferencimi i tmerrshëm. Filluan paralelet e përziera. Po lexuesit duhet t’ ia sqaroj se ç’ ishin këto paralele të përziera!? Me paralele të përzier kuptojmë: tridhjetë nxënës shqiptarë në klasë dhe një nxënës maqedonas, mësimi duhej të zhvillohej në gjuhën maqedonase..! Absurditet i kohës apo jo!? Kjo nuk paraqiste problem për ju sepse që prej kohësh kishit ligjëruar edhe në gjuhën maqedonase te paralelet maqdonase. Nxënësit maqedonas kishin respekt të veçantë për punën tuaj të palodhur dhe flisnin me admirim për ju.
Absurditetet e kohës nuk kishin të sosur. Juve pedagogëve ua ndaluan të flisnit edhe në gjuhën e nënës. Jo vetëm me nxënës që nuk duhej të flisnit në shqipen tuaj hyjnore por edhe me kolegët shqiptarë në mes veti! – Abe Iqmet shto prajsh? – Eve odam na ças! Kujtime të hidhura. E tmerrshme! Këto vuajtje gjeneratat e sotme as nuk i kuptojnë e as nuk duan t’ i dëgjojnë! A ka më keq se të të mohojë njeri gjuhën e nënës!? Po juve nuk ua mohonin vetëm kolegët tuaj, por ua mohonte aparati shtetëror ish jugosllav. Diferencimi i pedagogëve të shkollës së mesme bënte kërdi. Zi e më zi flisnin për ju dhe shokët tuaj. Një koleg i juaji kujton: -Profesoresha Lubicë villte vrer kundër kolegëve të saj shqiptarë, Iqmet Kica i tha: – Smrdish od omraza! (Qelbesh nga urrejtja!). Profesor Iqmeti ia mbylli gojën si me tutkall! Nuk foli më Lubica mbeti si e dh…rë! O të lumtë goja o Iqmet! Mirë ia bëre se nuk durohej kjo shtrigë! – kishte klithur kolegu jot Axhem. I nderuar profesor Iqmet, të sulmoje atë kohë profesoreshë Lubicën ishte guxim, trimëri, çmenduri sepse shkoje, o në burg, o në shtëpi..!
Më falë profesor që të zgjova këto kujtime të hidhura të të kaluarës! Por po nuk u shkruan këto gjëra jo vetëm të hidhura por shumë të tmerrshme, do t’ i zërë pluhuri i harresës dhe mundi juaj, guximi, krenaria do të shkonin kot! Veleshta, Struga dhe tërë shqoptaria duhet të krenohet me ju dhe punën tuaj fisnike. Buzë liqenit do ta ngremë një dolli si gjithmonë për shëndetin tuaj!
E ç ‘ të them tjetër? Nga zemra ju uroj shëndet dhe jetë të gjatë!

In : Aktuale

Loading...
loading...