LUTFI PESOÇANI- I MBIJETUARI I MASAKRËS SË PESOÇANIT

Aziz Pollozhani

Nga libri ,, RREZE DRITE- mbi qiellin e Ohrit,, (II)( në shtyp)

LUTFI PESOÇANI- I MBIJETUARI I MASAKRËS SË PESOÇANITStrugaLajm

Aeroplani në linjën ajrore Zyrih-Ohër po bënte gjysëmharkun e fundit mbi liqenin e Ohrit për tu ulur në aeroportin e Ohrit. Ishte ditë e pjesës së dytë të muajit qershor me qiell të kaltërt gati pa asnjë re. Sa më shumë që i afroheshim sipërfaqes së liqenit, shkëqlimi nga reflektimi i diellit shtohej. Unë duke qënë pranë dritares kisha mundësinë që të shoh jo vetëm sipërfaqen mahnitëse të liqenit por edhe tërësinë e sipërfaqes së tij me brigjet rreth e përqark. Unë këtë pejsazh e kisha parë edhe herë tjera dhe atë nga pozita të ndryshme si nga aeroplani si nga brigjet e liqenit, dhe nga maja e ndonjërës nga malet përreth. Kur ishim të rinj, bashkë me shokë, dilnim për të mledhur çaj në këto male, nga Galiçica, nga Karaormanit në veri, dhe nga mali i Belicës në perëndim.
Kësaj here, kjo pamje më mbushi me mallëngjim. Ndoshta kjo ndjenjë u zgjua për shkak se unë nuk kisha ardhur në shtëpi një kohë më të gjatë nga Zyrihu (Zvicër) ku isha në një qëndrim për specializim në klinikën universitare të këtij qyteti.
Aeroplani së shpejti u ul me elegancë në sipërfaqen e asfaltit dhe shpejt u futëm në objektin e aeroportit sikur të frikësuar nga shkëlqimi i fortë i diellit me të cilin ne nuk ishim adaptuar. Udhëtarët u radhitën duke pritur kontrollin e pasaportave që i verifikonte një polic trupmadh me moshë mesatare. Papritur u ndërpre ritmi i lëvizjes së radhës. Dëgjoj zërin e policit që kishte qëndruar para një udhëtari që vinte nga Zvicra. Meqë unë isha vetëm dy-tre hapa më pas po e ndiqja dialogun mes policit dhe udhëtarit.
-Si quhesh? – pyet poilici, duke pa njëherë në faqen e pasaportës ku ai lexonte identitetin e udhëtarit dhe pastaj suksesisvisht e shihte atë në fytyrë.
-Besim Ademi- i përgjigjet udhëtari
-Prej ku je? – vazhdoi me kureshtje polici
-Nga Pesoçani, e ke të shkruar aty- u përgjigj udhëtari.
-Nuk është e mundur….si është e mundur, jo bre..!! .me zë të ngritur dhe mjaft i mllefosur, bërtiti polici duke bërë që të gjithë udhëtarët të fillojnë ta shohin atë me kureshtje por edhe me shqetësim. Fytyrat e udhëtarëve sikur me një zë dukej sikur po pyesnin “Çbëhet, pse po na vonon në këtë vapë këtu brenda?”
-Si ka mundësi? Besim! Shqiptar të jetë prej Pesoçani hm..? Ai është fshat maqedon, shpërtheu polici!
-Po, shqiptar jam dhe jetoj në Pesoçan! Çfarë problemi ka?- ia ktheu pak i nervozuar edhe udhëtari.
-Po atje nuk ka shqiptar, të gjithë janë maqedon- ia ktheu polici.
-Për këtë shko pyeti pleqtë në shtëpi, ata të tregojnë dhe do ta marrish vesht këtë punë, po ti aj mos na vono në këtë vapë.
Fjalët e fundita e lanë policin pa fjalë dhe ai gojëhapur ia vulosi pasaportën dhe kolona e udhëtarëve vazhdoi të lëvizë. Udhëtarët më të moshuar, me siguri e dinin arsyen e kësaj skene, ndërsa më të rinjtë jo të gjithë mund ta dinin historinë dhe ngjarjet tragjike në fshatin Pesoçan në fillimin e shekullit të kaluar.
Unë historinë e dhimbshme të Masakrës së Pesoçanit, e pata dëgjuar nga fqinji ynë xha Lutfiu (Pesoçani), i cili ishte një nga fëmijët e mbijetuar të masakrës në vitin 1920. Kjo masakër në fshatin shqiptar qe kryer nga serbët nën flamurin e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, e cila ishte krijuar menjëherë pas mbarimit të Konferencës së Versajës.
Që kur isha në shkollën e mesme, jo rrallë vinte te ne xha Lutfiu. Një ditë prej ditëve, nuk e di se si kishte filluar biseda mes atij dhe babait tim, por unë e dëgjova Xha Lutfiun duke folur me lot në sy. Ai ishte duke kujtuar atë ditë të tmerrshme kur, bashkë me të gjithë burrat e tjerë, i kishin vrarë edhe babanë dhe xhaxhallarët e tij. Ai me ndërprerje të fjalëve tregonte se si i kishin vrarë fshatarët dhe pastaj i kishin hedhur në bunarin e fshatit deri sa ishte mbushur plot. Ai i kujtonte edhe emrat gati të gjithë të vrarëve atë ditë. Pastaj ushtarët serbë ia kishin vënë flakën fshatit kurse, nënat me fëmijët e vegjël që kishin mbetur, ishin shpërndarë nëpër fshatrat ku kishin ndonjë të afërm (në fshatrat e Strugës të Koroshishtit, Livadhisë, dhe Dollogozhdës). Pjesa më e madhe u vendosën në Ohër dhe Strugë ku edhe sot e mbajnë këtë mbiemër.
Fatkeqësisht, për historinë tragjike të këtij fshati kam përshtypjen që dihet shumë pak edhe pse ai përjetoji tri masakra me radhë, dhe atë më 1912, 1913 dhe ajo e fundit më 1920, nga ana e serbëve. Masakra e parë dhe e dytë ishte bërë për t’u hakmarrë pas Luftës së Petrinjës për shkak të rezistencës që bënë shqiptarët ndaj pushtimit serb në Luftën e Parë Balkanike. Këtë fat e patën edhe disa fashtra tjerë ku digjeshin shtëpitë dhe pronat e familjarëve që kishin marrë pjesë ose kishin ndihmuar mbrojtjen e vatanit në Petrinë.
Një numër i madh i familjeve, ndër ta edhe familja e jonë (gjyshi i tim eti), atëherë ishin detyruar të largohen për në Shqipëri. Ata qëndruan tre vite në Elbasan dhe Berat. U kthyen pas shpaljes së “kralit” për amnestimin e të ikurve pas luftërave balkanike. Por, në Pesoçan rrallë kush u kthye. Më vonë, trashëgimtarët e familjeve të masakruara, pas shumë peripecive patën marrë disa prona. Ndër ta ishte edhe Besim Ademi që edhepse punonte në Zvicër, aty kishte ndërtuar shtëpi dhe vinte për pushime. Por, ashtu sikurse polici, tragjeditë e Pesoçanit rrallë kush i njihte. Pse?!
Shqiptarët, si për shumë ngjarje tjera, edhe për këtë ngjarje të rrallë tragjike e kanë kuptuar nga bisedat në qarqe familjare dhe nga pjesëtarë të familjeve të Pesoçanit që u shpërndanë në rrethin e Strugës dhe në Ohër. Ata, në shumicën e rasteve, e mbanin mbiemrin Pesoçani ose populli i njihte me atë mbiemër. Dhimbja për djemtë dhe burrat e Pesoçanit në anët tona ndjehet edhe sot nga popullata. Por, kjo ngjarje nuk u bë asnjëherë çështje e vlerësimit institucional as edhe të përmendet si sakrificë ose si ngjarje tragjike në tekstet e shkollave, dhe as që u bë objekt hulumtimi për qartësimin e shkaqeve, apo të identifikohen emrat e martirëve e viktimave që u masakruan në Pesoçan.
Kjo ngjarje, që padyshim nuk është e vetmja që ka ndodhur mes dy luftërave botërore, ka fatin e shumë ngjarjeve të tilla të ngjashme, që në këtë periudhë i ka bërë ushtria serbe si okupator i ri që mori Maqedoninë si trofe nga luftërat Balkanike dhe që mbeti e tillë edhe pas Luftës së Parë Botërore. Kjo padyshim u bë si rezulat i parimit të motçëm se “fituesi e shkruan historinë”. Por, kjo qasje vazhdoi edhe në kohën e sistemit socialist që ishte ideologjikisht antitezë (e kundërta) i sistemit paraprak. Për këtë çështje, si dhe për ngjarje tjera tragjike që i shkaktoi Monarkia serbe, respektivisht jugosllave, edhe sistemi socialist nuk e ndryshoi qasjen.
Historia zyrtare komuniste afirmoi bëmat, krimet dhe personalitetet të ndryshëm, duke potencuar në mënyrë të njëanshme disa protagonistë të lëvizjes balliste si dhe krimet që në këtë periudhë dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore u bënë nga fashistët dhe nazistët qofshin ato bullgar ose gjerman. Kjo nuk do të thotë se nuk duhej evidentuar dhe dënuar krimet ndaj popullatës të pafajshme nga kushdo që janë bërë, por për të patur pasqyrë më të qartë mbi të kaluarën dhe për të qënë ajo e plotë, është dashur që të hulumtohen dhe tu jepet trajtim i njëjtë të gjitha viktimat e pafajshme pa marrë parasysh se kush i ka kryer.
Interesi i klasës politike në pushtet ,si në atë të Mbretërisë Jugosllave poashtu edhe në kohën e sistemit komunist, impononte qasje të njëanshme, jo të plotë e ngjarjeve të së kaluarës. Kjo qasje joshkencore kuptohet që ishte në funksion të ideologjisë respektive të pushteteve. Shoqëritë e hapura krijuan mundësi për një qasje tjetër. Tani kërkimet shkencore e ndjejn për borxh ndaj vetë shkencës së historisë por edhe ndaj qytetarëve që të rishikojnë këtë të kaluar nga një këndvështrim shkencor, trajtim të drejtë të trashëgimisë arkivore por edhe ato që ende mund të sigurohen nga kujtesa e e njerëzve për ngjarjet jo aq të largëta në kohë.
Zbulimi i të vërtetës historike dhe respektimi i të gjitha viktimave të pafajshme, sikuse janë edhe viktimat e masakrës së Pesoçanit, është obligim njerëzor, është borxhi i gjeneratave të reja për ta zbardhur si ngjarje dhe për ta gjetur formën adekuate për ti respektuar ato viktima të pafajshme ashtu siç do të duhej të trajtohen të gjitha ngjartjet dhe viktimat e pafajshme kush do qofshin ata dhe pa marrë parasysh se kush i ka bërë.

In : Aktuale

Loading...
loading...