Situata politike në Strugë gjatë muajit maj 1941,sipas Riza Drinit

Më 28 maj 1941, Riza Drini, përmes një raporti të shkruar, e informonte ministrin Bushati për situatën politike në Strugë dhe rrethinë, për disponimin, por edhe shqetësimin e shqiptarëve të kësaj krahine, për kërkesën e parreshtur të shqiptarëve që të formohet administrata shqiptare në këtë rreth, për politikën represive e të padrejtë të Komandës së karabinierisë italiane ndaj popullsisë shqiptare dhe tolerancën e skajshme të kësaj komande ndaj elementeve bullgarofile….

Nga Qerim LITA

Menjëherë pas kapitullimit të Jugosllavisë Mbretërore (prill 1941), me dekret të ministrit të Punëve të Brendshme të Qeverisë shqiptare, Maliq bej Bushati, në Strugë u vendos intelektuali dhe nacionalisti i shquar shqiptar, Riza Drini, i cili asaj kohe mbante postin e prefektit të Shkodrës. Vendimi për shkurjen e R. Drinit në Strugë, lidhej ngushtë me situatën e atëhershme politike e të sigurisë në atë krahinë shqiptare, që vinte si rrjedhojë e fushatës dhe propagandës së komiteteve bullgaromadhe me qendër në Ohër. Një muaj më pas, përkatësisht më 28 maj 1941, Riza Drini, përmes një raporti të shkruar, e informonte ministrin Bushati për situatën politike në Strugë dhe rrethinë, për disponimin, por edhe shqetësimin e shqiptarëve të kësaj krahine, për kërkesën e parreshtur të shqiptarëve që të formohet administrata shqiptare në këtë rreth, për politikën represive e të padrejtë të Komandës së karabinierisë italiane ndaj popullsisë shqiptare dhe tolerancën e skajshme të kësaj komande ndaj elementeve bullgarofile, për origjinën shqiptare të disa familjeve ortodokse të Strugës, për përpjekjet e pareshtura të Sofjes që Struga me rrethinë të përfshihet brenda zonës pushtuese bullgare, për veprimtarinë e fshehtë të një komiteti bullgar në Strugë, për një plebishit eventual që mund të organizohej në këtë rreth dhe qëndrimin që duhet ta ketë Qeveria shqiptare ndaj të njëjtit, për gatishmërinë e shqiptarëve që Strugën t’ia bashkangjesin Shqipërisë etj. Raporti, ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit – Tiranë, në fondin, Ministria e Punëve të Brendshme (152), dosja1003. I njëjti botohet për herë të parë dhe në formë origjinale.Advertisements

* * *

“Shkelqesis së Tijë

  1. Maliq Bej Bushati

Ministër i P. Mbrendshme

Tiranë

Mbi gjendjen në Strugë e në katundet e rrethit paraqes raportin si vijon:

  1. Mbas lëshimit të qytetit t’Ohrit nga Ushtërit Italiane ka fillue nji shqetsim i madh në Popullin Shqiptar të vendit – si edhe ndër ata pak serb e kucovlleh – për fatin e Strugës e të rrethit t’saj. Ky shqetsim shtohet edhe ma tepër tue u pa lëvizja e bullgarëve, të cilët për dit përhapin lajme sensacionale tue thanë se së shpejti ushtërit bullgare do të vijnë të okupojnë edhe Strugën. Udhëtimi i lirë i oficeravet dhe ushtarëve bullgarë prej Ohri në Strugë, të cillët këtyne vizitavet të përditshme – qi bahen për qëllime politike – u japin nji pamje demonstrative tue këndue e brohorit, asht nji shkak tjetër që shton shqetësimin e Shqiptarvet, të cillët tue dasht të respektojnë porositë e autoriteteve ushtarake, janë abstenue nga manifestimet deri tash. Por mbasi vizitat e oficeravet dhe ushtarvet bullgarë po vazhdojnë dhe po marrin pamje demonstrative qi nuk mund të bahen, Shqiptarët kanë fillue me u përgjigj energjikisht.

Kështu nji ditë nji oficerë bullgar qi me qëllim ofenduese i tha nji shqiptari se, edhe në Sofje ka pak shqiptarë qi shesin bozë, aj u përgjegj se edhe në Tiranë, ka pak bullgarë qi shesin speca. Nji ushtari bullgar qi tregoj revolverin e vet, tue thanë se, ma në fund edhe me armë Struga do të merrej prej bullgarëvet, nji shqiptar u përgjegj se na jemi gati, ejani në daçi, se keni për të pa.

Mbi demarshet e mija pranë autoritetevet ushtarake, këta, tue pa damet morale qi na vijnë nga vizitat e përmenduna ma nalt, si edhe rezikun e incidenteve qi mund të lejnë, kan fillue me u tregue ma energjik, por asht nevoja qi këto vizita të ndalohen krejt, për nji kohë të caktueme, mbasi bahen vetëm me qëllime politike kundër Italis e kundër Shqipnis, dhe mund të shkaktojnë incidente të rezikshme. Z.Toger i karabineris të këtushme më siguroj se ka ba nji propozim të këtillë në komandën Superiore e ka kërkue autorizim. Ju lutem pra interesohuni pranë komandavet përkatëse që të epen urdhnat e duhuna sa ma shpejt.

Me gjithë shqetësimet qi përmenda, morali i Shqiptarvet asht shumë i naltë dhe, besnikia e tyne për SHQIPNIN asht totale. Këtë fakt e kam konstatue si në qytet ashtu edhe në shumë katunde qi i kam vizitue, ku jam pritë me brohoritje të mëdha për Mbretin…e SHQIPNIN e me lot gëzimi për lirin e rifitueme qi, edhe dy muej përpara pandehej se kishte me mbetë nji andërr e parealizueshme, për këta katundarë e bujq të thjesht, të cillët tash 29 vjet kan bart zgjedhën politike ma mizore të shekullit.

  1. Përpara pak ditësh me nji ceremoni të bukur asht inagurue zyra e Postelegrafës në STRUGË, punë qi ka prodhue nji kënaqësi e gëzim shumë të madh në popull. Por fakti qi pardje komandanti i ushtëris ka urdhnue ish nënprefektin serb, gjykatësit si edhe nanpunsat komunal qi të vazhdojnë në veprime qeveritare si ma përpara e në gjuhën serbe, ka ba përshtypjen ma të zezë qi mund të bahet. Populli nuk po kupton, se si më nji anë organizohet zyra e Postelegrefës Shqiptare e sesi n’anë tjetër urdhnohen nënprefekti e gjykatësi serb qi të vazhdojnë në veprim si ma përpara. Ska dyshim se kërkush nuk do t’u bindet. Këtyne ish zyrtarëvet serb qi, janë dëshmit e gjalla dhe të urrejtëshme të nji regjimi gjaksor.-

Populli kërkon me insistim organizimin e administratës Shqiptare nji orë e ma parë. Të paktën, tash për tash, tue emnue nënpunsa si zavendës. Kjo çështje si mund të çmohet ka nji randësi shumë të madhe e meriton të merret parasysh seriozisht e me urgjencë.-

III. Bullgarët kanë organizue komitetin Maqedhon me qendër në Shkup nji degë e fshehët e së cillës asht ngreh edhe në Strugë. Kam shti në dorë nji manifest të degës së këtushme të komitetit të përmendun, në të cilën grishen bullgarët për me u ba gati me i pritë ushtërit çliruse bullgare. Kjo asht nji vepër politike kundër gjendjes së soçme të vendit, me gjithë këtë, autoritetet nuk janë tue marrë ndonji masë dhe tolerancën – qi bullgarët e marrin për dobësi – po e teprojnë. Aktiviteti i bullgarëve deri tash ka konsistue në propagandën me fjalë e me manifesta për bashkimin e bullgarve e për përgaditjen e tyne për nji plebishit eventual. Bullgarët nuk janë krejt të bashkuem, as në Strugë as në rreth të saj, as n’Ohri. Serbt me politikën e tyne nacionale, partit me veprimet e veta të dasis, interesat personale, i kan përça mjaft bullgarët ndër vedi, në mënyrë qi ato nuk kanë nji drejtim politik të përbashkët.StrugaLajm

Mbas lajmevet krejt të sigurta qi kam marrë prej Ohri, atje për veç qi ka shumë asish qi flasin mirë për Jugosllavinë e vdekun, por ka nji grup mjaftë të fort qi asht kundër aneksionit të viseve të Makedonis Bullgaris. Ky grup tue u mbështet në eksperiencën politike të viteve të fundit mendon se aneksimi i Makedonis Bullgaris, asht kundër interesavet të bullgarëvet të Makedonis massi me këtë mënyrë, automatikisht formohet koalicioni i popujvet grek, serb, shqiptar, rumun e tjerë kundër bullgarëve dhe, si asht vërtetue dhe në të kaluemën kjo sjell përfundime tragjike për bullgarët. Dhe në fakt ndër këto vende të Makedonis, po të bahej sot nji plebishit, elementet serb, grek, kucovllesh, judhej etj., pa asnji dyshim do të votojshin në favor të Shqipnis e kundër Bullgaris, kundër Maqedonis autonome. Jo vetëm, por me rast të nji plebishiti për çashtjen e kazas (krahinës – Q.L.) së Strugës, mjaft bullgar mund të votojnë në favor të Shqipnis. Me gjith ket, shqiptarët nuk duhet të pranojnë zbatimin e plebishitit vetëm me problemin e Strugës, massi vende si Shkupi e tjerë, me shumicë popullsije shqiptare, janë zanë prej bullgarëve pa u marrë parasysh aspak parimi ethnik. Bullgarët kërkojnë zbatimin e parimit plebishitar atje ku ato pandehin se e fitojnë davan me votën e shumicës. Për pak ditë do të jem në gjendje me dhanë nji përgjigje në se në rast të nji plebishiti, bullgarët kishin për të pas fat fitimi apo jo. Por po e përsëris edhe nji herë, me pranue zbatimin e këtij parimi vetëm në problemin e Strugës, qi asht lirue vetëm me sakrificën e ushtris Italiane, ku bullgarët nuk kanë as shumicën, Strugën që në rilindjen Shqiptare ka dhanë nji kontributë të shënuem gjaku e veprash patriotike nëpër përpjekjet e Atdhetarvet Dr. THEMO, DERVISH HIMA, ABDULLAH GOJDRINI, BEKIR BAHUTA etj. do t’ishte nji gja e vajtushme për mos me thanë ndryshe.

Këtu po vijnë lajme se në Bullgarië, po punohet për të fitue edhe Strugën. N’Ohri, njerz qi vijnë prej Bullgarije mbajnë konferenca e fjalime e kërkojnë Strugën, por gjithë këto nuk janë, veçse shenja t’apetitit të shtuem të imperializmit bullgar, zhurmë që kishte me pushu me nji herë me shpalljen e dekretit t’aneksimit të Strugës, SHQIPNIS. E, atëherë me siguri kemi për të pa se shumë familje bullgarësh të Strugës, Matoff, Kavajeff, Plaku e tjerë kishin me u kujtue për origjinën e vet Shqiptare e kishin me bashkëpunue me ne plotësisht. Zati edhe tash, agjitacionin e bajnë vetëm pak njerës nga komitxhinjt e vjetër, dhe do të rij. Masa, si në qytet ashtu edhe ndër katunde rrin e qet, shikon punën e vet. Por edhe shumë bullgarë t’Ohrit kanë fillue të regretojnë largimin e ushtërivet Italiane, nga të cillat kanë pas shumë fitime në tregti, si po e pohojnë vet. E tash tregtia ka vdekun në Ohri, dhe ushtarët bullgarë qi pagujnë me leva e cila vlerën e ka të ulët në krahasim me paret tona, shpesh bahen objekt grindjesh me tregtarët e, qiten jashtë dyqanit për krahu, po nga dyqanxhit bullgarë.-

Kjo asht gjendja e vërtet, ndër këto vende sot.

Ju imponoj fort pra lajmroni ma nalt e punoni me shpejti qi Struga mos të bahet viktim e propagandës dhe e imperializmës bullgare. Mandej fusha e Strugës asht hamari shekullor qi ka ushqye malet e Mokres, Çermenikën e nji pjesë të maleve të Dibrës; popullsit e atyne maleve kanë një nevojë jetsore për fushën e Stugës qi deri me1912 ka qenë pazari i preferuem i tyne.

Populli i Strugës asht gati për çdo sakrificë për mprojtjen e vendit, për bashkimin e Strugës me Shqipnin dhe, syt e mendjen i ka drejtue në Tiranë, në Romë ku shpreson se qeveritarët t’onë do të dijnë të qëndrojnë kundër pretendimeve lakmiqare të imperializmit bullgar e, nuk do të pranojnë kuerr ta lëshojnë Strugën. Mbas Ohrit, me lëshue edhe Strugën, do të ishte një dobësi – më falni për shprehjen – nji turp, edhe do të do të ishte nji nga ato akte qi do t’i epte nji grusht të madhë prestigji. Tue pasë argumentat, arsyet ma të forta për vedi, me i lëshu rrugë zhurmës së paturp qi asht tue ba propaganda bullgare, nuk di se si kishte me mujt me u cilsue.

  1. Populli i këtushëm gjen shumë pengime për të udhtue jasht rrethit të vet; Komanda e Karabineris nuk ep leje-kalimi; e kjo pengesë po shkakton shumë pengime e paknaqsina ma tepër kur shqiptarët po shofin se ushtarë e civila, shumë bullgarë, e çdo ditë vijnë prej Sofie e vendeve tjera të Bullgaris e shëtisin lirisht në këto vende, kurse Shqiptarët nuk lejohen me shkue e me pa Tiranën, me udhtue në Shqipni, për të cilën kanë nji mall të zjart. As edhe nga Shqipnija nuk lejohet që të vijnë udhëtarë këndej, kështu shumë Struganë që janë instalue në Tiranë e gjetiu, kan kërkue leje-kalimi për me ardhë këtu, për me pa vend lindjen dhe fare fisin e vet, nuk janë lejue. Kjo mënyrë veprimi e Autoriteteve Italiane komentohet shumë keq e po ban përshtypje shumë të ligë. Udhtimi i lirë i Shqiptarvet ndër këto zona, nuk mund të jetë veçse në dobin e përbashkët të Italianëve e Shqiptarvet.
  2. Populli kërkon shkolla, kërkon libra, asht gati me i pague mësuesit vet.

Ju lutem pra qi të merret parasysh kjo nevojë e të dërgohen të paktën dhjetë mësues tash për tash si edhe 200-300 abetare e libra këndimi.

Këtu mund të vijnë mësuesa për me i kalue vakancat dhe mund të shërbejnë edhe për përhapjen e alfabetit t’onë.

  1. Partija këtu nuk ka asnji përfaqësues të sajnë. Të dërgohet të paktën nji sekretar politik si zavendës me nja dy shokë qi të dinë edhe Italisht. Të na dërgohen edhe flamur të mjaftueshëm Italiane e Shqiptare, të mëdhej e të vegjël: si edhe distintiva të G.L.A. në sasi të mjaft.

Tue pritë Urdhnat dhe instruksionet t’Ueja mbetem me shumë nderime.

Strugë, 28.5.1941-XIX Prefekti i Shkodrës

Riza Drini d.v.

P.S. Shqiptarët jan tue mbajt nji  dishiplinë të admirueshme. Me gjith qi  në reth nuk ka as nji Past Komandë  Karabineie: nuk asht baas nji ngjarje”.

In : Aktuale

Loading...
loading...