Maqedonia pa plan për ndalimin e braktisjes së vendit


Rinia nuk largohet vetëm për shkak të rrogave të ulëta dhe mungesës së punës, ata ikin për shkak se duan liri, duan ndryshime. Rinia nuk dëshiron të gjykohet dhe etiketohet nga popullata, e cila asgjë nuk bën, por çdo ditë qëndron para TV dhe ëndërron një punë shtetërore

Omer XHAFERI
Shkup, 8 janar – Maqedonia nuk ka asnjë dokument strategjik i cili ka për qëllim parandalimin dhe reduktimin e migrimit të personave të rinj nga vendi dhe tërheqjen e të rinjve të emigruar që të kthehen përsëri në vend. Kështu thotë hulumtimi i fundit i Qendrës për Hulumtime dhe Krijimin e Politikave, ku mes tjerash theksohet se 76 për qind e të rinjve synojnë largimin nga Maqedoni, shkruan gazeta KOHA. Të dhënat e grumbulluara konstatojnë se 90 për qind e të rinjve të anketuar nga mosha 15 deri 29 vjeçare shprehen se politikat ekzistuese për mbajtjen e të rinjve në vend janë joefikase. Ndër arsyet kryesore që nxisin të rinjtë të mendojnë për t’u larguar nga vendi, siç theksohet në këtë hulumtim, është cilësia e dobët e jetës në Republikën e Maqedonisë.
“Rinia nuk largohet vetëm për shkak të rrogave të ulëta dhe mungesës së punës, ata ikin për shkak se duan liri, duan ndryshime. Rinia nuk dëshiron të gjykohet dhe etiketohet nga popullata e cila asgjë nuk bën, por çdo ditë qëndron para TV dhe ëndërron një punë shtetërore. Neve na duhen menaxher që dinë të punojnë me popullatën e re. Po ashtu na nevojiten hapësira të mira për punë, respektivisht na duhet një sistem arsimor ku nuk do ta presim asistentin për katër orë radhazi vetëm për një nënshkrim apo ku libri i profesorit paguhet 50 euro vetëm se për ta marrë notën tek ai. Ne po largohemi edhe për shkak te stereotipeve dhe mungesës së perspektivës”, thotë një i anketuar i QHKP.
Në rekomandimet drejtuar institucioneve shtetërore se si ta parandalojnë ikjen e të rinjve nga QHKP, fillimisht propozojnë që duhet të bëhet sigurimi i të dhënave relevante statistikore për popullatën e re që jeton në Republikën e Maqedonisë dhe personat e rinj të cilët përkohësisht ose vazhdimisht qëndrojnë jashtë vendit, për arsye të ndryshme. Paralelisht ata thonë se duhet të zbatohet një fushatë për ndryshimin e stereotipave për profesione të ndryshme te fëmijët dhe prindërit me qëllim të vlerësimit më të madh të arsimit profesional.
Aplikimi i këshillimit të hershëm të karrierës në shkollat fillore, po ashtu rekomandojnë të jetë njëra prej masave kryesore e do të zbatohet në mënyrë të vazhdueshme dhe profesionale nga ana e personave profesional.
“Sigurimi i një buxheti përkatës për zbatimin e masave të planifikuara në Strategjinë kombëtare për të rinjtë 2016-2025, për funksionimin e këshillave lokale rinore dhe për realizimin e projekteve të drejtuara kah të rinjtë. Reforma e thellë dhe thelbësore në të gjitha nivelet e sistemit arsimor, në bazë të një analize themelore dhe një konsultimi me të gjitha palët e përfshira, me qëllim të zhvillimit të vizionit dhe aftësisë së adaptimit ndaj nevojave të tanishme dhe të ardhshme të tregut të punës”, rekomandojnë nga QHKP.
Profesori universitar, Ali Pajaziti, duke i komentuar publikimet e fundit për gatishmërinë e të rinjve për të ikur nga Maqedoni, thotë se nëse shteti dëshiron ti mbajë të rinj në vend, së pari duhet të krijojë një klimë psikologjike më pozitive, duke ofruar ‎mundësi për punësime, për vetë realizim ekonomik, për avancim, karrierë e kështu me radhë.
“Në ‎këtë drejtim, ‘më i miri, më cilësori i pari’ duhet të jetë parulla në punësime, ‎duhet të departizohet jeta sociale. Nuk mundet që militantët t’i mbushin vendet e ‎punës, ndërsa kampionët e gjeneratave të vrapojnë nga një sportel në tjetrin për ‎të gjetur punë. Klima politike e tendosur në mënyrë permanente duhet që të ‎bëhet histori e zeza e këtij vendi. Korrupsioni dhe të korruptuarit duhet që të ‎shmangen nga kursi i jetës. Nuk ka shpresa për të qëndruar në një vend ku në ‎çdo cep të presin si kurban, si bankomat parash, ku secili shikon xhepin për të ‎bërë kapital në mënyrë jolegjitime”, tha për KOHA, profesori Pajaziti. ‎Ai, në cilësinë e sociologut po ashtu e komentoi perceptimin e një pjesë të popullatës se me ikjen e një grupi të rinjsh, do të krijohen mundësi më të mira për ato që kanë vendosur të qëndrojnë në Maqedoni.
“Ikja e një grupi të madh në asnjë mënyrë nuk duhet që të shërbejë dhe të kuptohet si ‎shanse më të mira për ata që mbesin, sepse e dëmton konkurrencën, e largon ajkën dhe ‎neve na mbetet pjesa më e jocilësore, e pakualifikuar, e rinisë tonë. Ata që ikin krijojnë ‎edhe efektin domino, sot vëllai 1, nesër vëllai 2, sot fqiu nesër njeriu i shtëpisë tonë, ‎dje tetovarët e dibranët, sot shkupjanët e kumanovarët, kështu dita ditës do të tkurremi ‎në mënyrë permanente derisa të kemi një shtëpi me drita, e kate pa drita dhe pa njerëz”, deklaroi Pajaziti.
Ndryshe, përveç të rinjve, drejtë vendeve të perëndimit, por edhe më gjerë, viteve të fundit kanë emigruar një numër i konsiderueshëm i mjeshtërive me përvojë (hidraulik, elektricist, bojaxhi e shumë tjerë) . Mungesa e tyre në tregun vendas është evidente, saqë shumë kompani ballafaqohen me sfida serioze të ekzistimit apo mbylljes së bizneseve. (koha.mk)StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...