Matura në maj, testimi ekstern në qershor

Kontrolli i jashtëm i njohurive që fitojnë nxënësit në shkollat e Maqedonisë pavarësisht kontesteve dhe debatit të vazhdueshëm që bëhet në këtë drejtim, pritet të realizohet përmes të njëjtave forma edhe këtë vit, shkruan gazeta KOHA. Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) do të bëjë vlerësimin e jashtëm të njohurive të nxënësve për vitin shkollor 2016/2017 përmes provimeve të maturës shtetërore, të cilat vlerësohen nga jashtë shkollës, si dhe përmes testimeve eksterne të nxënësve. Vlerësimi ekstern, në fakt ka nisur në muajin shkurt, kur edhe u realizua testimi ekstren i maturantëve të këtij viti, ndërsa për pjesën e mbetur vlerësimi do të nis në muajin maj me provimet e maturantëve dhe do të vazhdojë më pas me testimin ekstern të nxënësve nga klasa e gjashtë e arsimit fillor deri vitin e parafundit të arsimit të mesëm.

Këtë vit matura shtetërore do të fillon më 27 maj me provimet e gjuhës amtare, respektivisht maqedonishtes, shqipes dhe turqishtes në bazë të gjuhës në të cilën nxënësit kanë ndjekur mësimin. Këta janë provime të detyrueshme, pa të drejt zgjedhje, ndërsa provimet e dyta të detyrueshme por me mundësi zgjedhje mes anglishtes dhe matematikës do të mbahen në datat 10 dhe 12 qershor. Maturantët pra, duhet të përcaktohen patjetër për ndonjërën prej këtyre dy lëndëve të cilat janë pjesë e lëndëve të detyrueshme të maturës shtetërore, përderisa për provimin e tretë gama e zgjedhjeve është më e madhe: kimi, fizikë, biologji,histori dhe filozofi. Provimi në njërin prej këtyre lëndëve do të organizohet në datën 14 qershor. Të gjitha këta data janë për afatin e qershorit, ndërsa matura shtetërore 2017 do të ketë edhe afat të dytë i cili do të organizohet nga 14 deri 17 gushti. Risia e këtij viti është se testimi ekstern është shtyrë në kohë. Pra, nuk do të testohen nxënësit e klasave të katërta dhe të pesta si deri vitin e kaluar, por me eksternen do të startohet nga klasa e gjashtë, ndërsa tani e tutje notat e marra nga ky lloj vlerësimi do të shënohen në një diplomë shoqëruese (suplement diplome) dhe jo në diplomën ku shënohen të gjitha notat e lëndëve të atij viti. Në bazë të kalendarit të punës të shkollave të mesme për vitin 2016/2017, maturantët iu nënshtruan vlerësimit ekstern dy muaj më parë, ndërkaq për nxënësit tjerë të shkollave të mesme testim ekstern është caktuar të zhvillohet nga 5 deri 9 qershori. Ata që për arsye të qëndrueshme nuk do të mund ti nënshtrohen procesit të verifikimit të njohurive përmes testimit ekstern në muajin qershor do të mund ta bëjnë këtë në periudhën nga 18 deri 21 gushti. Rezultatet e testimit (në dy lëndë që caktohen sipas një zgjedhje rastësore) do të dalin një javë pas testimit, ndërsa MASH pretendon se këtë proces e organizon për të kontrolluar objektivitetin e notimit të nxënësve nga ana e mësimdhënësve. Nuk do të ketë dënime, fal marrëveshjes së arritur dy vjet më parë Sindikatë e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Ndërkohë shkollat e mesme janë në fazën e prezantimit të projekteve që kanë realizuar maturantët dhe që vlerësohen nga vetë profesorët e lëndës. Prezantimi ka nis më 15 mars dhe do të vazhdojë deri në datën 26 të këtij muaji.StrugaLajmStrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...