Në Maqedoninë e Veriut sot filloi fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 15 korrikut.
Në këto zgjedhje konkurrojnë 15 subjekte politike me 1578 kandidatë për deputetë 120 vendet e Kuvendit republikan, përcjell INA.
LSDM së bashku me partnerët e koalicionit do nis fushatën nga Stumica me slloganin tashmë të njohur “Mundemi – Edhe më shumë, Edhe më mirë”. Në kuadër të këtij koalicioni është edhe Lëvizja BESA, ndërsa programi i këtij koalicioni bazohet në planin e përtërirjes ekonomike, shëndetësia si dhe zhvillimi.
Koalicioni “Ripërtëritja e Maqedonisë” e udhëhequr nga VMRO-DPMNE do të fillojnë fushatën nga Ohri, ndërsa sllogani i kësaj partie do të jetë “Më shumë”, që janë të fokusuar në ripërtëritje e ekonomisë, shëndetësisë, etj.
BDI fushatën do ta nis nga Prespa, ndërsa sllogani i kësaj partie është “Erdhi koha për Kryeministrin e parë shqiptar”.
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa fushatën do ta fillojnë nga shtabi i tyre qendror në Çarshinë e SHkupit, ku do të shpaloset platforma partiake, ndërsa sllogani i këtij koalicioni është “Tani është koha”.
PDSH vendosi të përfaqësohet me sloganin “Po vjen vera nga dera”, ndërsa tubimin e saj e fillon në Tetovë me shpalosjen e platformës partiake.
Koncepti maqedonas në këto zgjedhje do të garojë me slloganin “Shansi i fundit”.
Fushata do të zgjas për 20 ditë, ndërsa partitë politike do të evitojnë tubimet e mëdha si dhe takimet derë më derë me qytetarët, për shkak të situatës me pandeminë e koronavirusit. (INA)