Në pritje të Festës së Flamurit
Sulltani – Skëndërbeu apo Gjergji Ynë
Të rrosh apo të mos rrosh,- kjo është çështja!
Na është bërë zakon që në vigjilie të 28 Nëntorit, të komentojmë filmin “Nëntori i dytë” duke harruar atë të parin e vitit 1444. Sa më shumë që kujtojmë përvjetorin e vdekjes së kolosit tonë të madh, na shtohen dilemat:
- E njohëm Skënderbeun përmes humanistit Marin Barleti – bashkëkohanik të Gjergjit me veprën e tij letrare shkruar në latinisht;
- E njohëm edhe nga “Historia e Skënderbeut” të Nolit të madh;
- Lexuam dhe vargjet e Naimit poet;
- Recituam ndër vite edhe “Sulltanin” e Çajupit dhe Llongthelloit e sa e sa të tjerëve;
- Profesori i ndjerë Pjetër Janura na e dhuroi “Legjendën Krutane”, por erdhi viti famoz i diferencimeve 1981 dhe na u ndalua pagëzimi i fëmijëve me emrin Skënder, se “asoconte” në Skëndërbeun.
- … Dhe dilemat tona s’kanë të sosur,- ashtu si edhe etja për fron i ditëve tona. Na u shtuan “Skënderbe-të” në çdo mëhallë.
- S’ka gjë të keqe – por të ndajmë shapin nga sheqeri: të gjithë bostanat mund t’i mbajnë nën sqetull vetëm Sulltanët tanë partiak, qoftë edhe copën e mishit në ujë të hijes së qenit, shtrohet pyetja: edhe Sulltan edhe Skënderbe,- nuk shkon. Është si proverbi: edhe arnaut edhe turist – kurrsesi jo (istemes për interes). Sa mirë dikujt i tingëllon Çajupi:
- … “jam Sulltan mbret i vërtetë – shok të tjerë s’kam në jetë”…
Por mos i harroni o “sulltanët” tanë vargjet:
… kam frigë nga Skënderbeu – mos të dalë prap nga dheu…
***
Në një natë pa gjumë, sulltanëve tanë mbase shpesh u ndodh të kujtojnë vargjet e Migjenit:
“… fol gjel – rren apo nuk rren,
cila është fjala jote,
kur të dhemb e s’di ç’të dhemb,
do e s’di se ç’do!?…”
Ndaj lind dilema: duam Gjergjin, vuajmë për fëmijët që s’i pagëzuam Skënder (bea) apo Gjergj (Elez) Aliat e ditëve tona!?
Merre si ta marrësh, – të dy Gjergja, që nuk shkon për ata me “namaz” (me besë). Qe zgjidhja e Sollomonit:
- Lereni shqiponjën e mos ia ndërroni gjininë – është femër sipas normës gramatikore (shqiponj-a) për kompensim nuk u ka dalur keq sulltanëve tanë edhe me skifterin, që ka të njëjtën ngjyrë të pendave, qoftë edhe si daltonista- më zi se më zi.
Sa për mua, më mjafton vetëm ai i vitit 1403 – krutani i vërtetë, që u bë rob i sulltanit por që nuk ndërroi ngjyrën e pendlave (partiake), nuk pëlqeu fron, as u bë mbret ( i vetëshpallur) në krye të sulltanatit.
E ti i nderuar lexues, mbaj bindjet tua por mos humb shpresën, – mbase do të lindin edhe Gjergja të rinj në shekullin e ardhshëm. Kurrë s’i dihet, – kështu si shkojnë punët. Na mba shpresa për një Gjergj të vërtetë, si ai që luftoi me shpatë. Pas luftës së tretë (të atomit) vjen ajo e katërta me shigjeta siç e tha Ajnshtajni, – s’kemi përse të mos i besojmë, kur ishte aq i mençur e ne s’e kemi fatin si komb të kemi një të tillë nga soi ynë.
Prollog:
Kur i rrëfeva një shokut tim se çka po shkruaja, më tha:
O ngucakeq i pa ndreqshëm, të kam rixha, lëri lexuesit të qetë, mos i torturo me këto zhgaravina rebele. Ndaj, kërkoj ndjesë nëse ju mërzita, herave tjera s’jeni të detyruar të më lexoni. Secili bën atë që i pëlqen, ndërsa ai që shkruan, – atë që di ta bëjë (mirë apo keq) vlerësoni ju por mos harroni se:
- Gënjeshtra është gjithnjë një hap para së vërtetës ndaj bëni kujdes e mos i besoni!
- Mos folni vetëm në vetën e parë, lërini të tjerët të bëjnë vlerësimin tuaj!
- Mos u bëni narcizoida (të vetë pëlqyer) se s’pëlqeheni nga të tjerët…
Dhe fare në fund: ftoj lexuesit në meditim, është një ftesë për liri e jo për demagorgji dekoruar me ambalazhin e premtimeve boshe.
Gëzuar festat e Nëntorit të Parë 1444 dhe atë të Ismail Qemali, në Vlorën e 1912, Nëntorin e Dytë. Gëzuar!
Nëntor 2018
Tahir Hoda/Strugalajm.com