Një 35 vjeçar nga Kosova është arrestuar nga policia kufitare në Ukrainë dhe pas arrestimi ai ka deklaruar se donte të shkonte në qytetin e Rivnes, në perëndim të Ukrainës–për të takuar të dashurën e tij.
Shqiptari me pasaportë kosovare ka hyrë ilegalisht në vend dhe synimi ishte të takonte një vajzë.
Kosovari e dha këtë deklaratë për Policinë Kufitare ukrainase, pasi u kap sot duke kaluar ilegalisht kufirin mes Rumanisë dhe Ukrainës.
Përmes një njoftimi zyrtar, Policia ukrainase ka thënë se bëhet fjalë për një 35-vjeçar kosovar, raporton Insajderi.
“Dëbora dhe rrethojat e kufirit nuk janë pengesë për një dashnor nga Kosova”, thuhet në njoftimin e Policisë Kufitare të Ukrainës. “Personi, i cili u përpoq të hyjë ilegalisht në territorin e Ukrainës duke anashkaluar pikën e kontrollit, u arrestua nga Rojet Kufitare të Departamentit Kosino”.
Policia Kufitare e Ukrainës ka njoftuar se 35-vjeçari me pasaportë nga Kosova u kishte thënë atyre pas arrestimit, se donte të hynte në Ukrainë për të takuar një vajzë që jeton në qytetin e Rivnes.
“Rojet kufitare ndaluan një shtetas të huaj 10 metra larg kufirit, teksa ai u përpoq ta kapërcente rrethojën bllokuese. Ai shpjegoi sjelljen e tij, duke thënë se donte të takohej në Ukrainë me një vajzë që jetonte në Rivne”, vazhdon njoftimi.
Siç njoftojnë autoritetet ukrainase, kosovari është ndaluar në një qendër të paraburgimit.