NGA OHRI E DERI TE SPAK-U

Dukej se diku jashtë syve të opinionit, PDSH-ja e brengosur për pozicionin e “partnerit të vet strategjik” – VMRO-DPMNE, sikur kishte dhënë pajtim para lehtësuesve dhe diplomatëve që preambula e paraparë në Marrëveshjen e Ohrit, e bazuar në konceptin ekskluzivisht qytetar, të pësojë ndryshime. Po ashtu edhe disa formulime që kishin të bëjnë me bashkësitë fetare. Dukej se truve të vegjël iu lejua të vlerësojnë se sa të mëdha qenkan ëndrrat tona!

Shkruan: Mersel BILALLI, Gostivar

Pas pavarësimit të shtetit, vite me radhë, politika maqedonase me kokëfortësi vazhdoi të ngulte këmbë në filozofinë monoetnike të shtetit dhe të shoqërisë si tërësi, me disa ndryshime simbolike për të “drejtat e pakicave”, gjë që realisht ishte shkelje mbi të “drejtat e fituara” paraprakisht nga Jugosllavia socialiste. Ideologjia nacionaliste, që ishte vazhdimisht në shpërthim, barazinë natyrore me popullin shqiptar sikur e perceptonte me një logjikë të çuditshme – “ju jeni të lirë vetëm si të prangosur!”. Ndërkaq politikanët dhe udhëheqësit e asaj kohe në vazhdimësi aktronin se janë të pafuqishëm nga valët e urrejtjes ekzistuese, të cilat në çdo segment insistonin që shqiptarët të trajtohen si element i huaj, i padëshiruar, madje edhe i rrezikshëm për shtetin. Sikur asaj kohe të testohej opinion maqedonas për shqiptarët, që atëherë do të dihej se çka është pandemia e vërtetë. Por, mentale.

Mungesa e qasjes burrështetase (pos Tupurkoskit, që preferonte njëfarë marrëveshje historike me shqiptarët), bëri që gjendja të dramatizohet dukshëm, duke u harxhuar gjithë energjia në mbajtjen e njëfarë paqeje të brishtë në kohën kur rajonin e kishte përfshirë flaka. Shumë kontradikta të padefinuara në marrëdhëniet mes popujve u shndërruan në mosdurim dhe urrejtje të thella ndëretnike. Thjesht, ishte çështje kohe se kur do shpërthejë gjendja përbrenda këtij shteti. Pas përfundimit të konfliktit në Kosovë, dihej se ishte çështje e zgjedhjes së momentit për atë se kur do shpërthejë konflikti edhe këtu. Realisht, koalicioni i atëhershëm VMRO-PDSH, sikur bëri ca hapa relaksues në marrëdhëniet ndëretnike, por nga ana tjetër i hapi dyert e mëdha për korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe kjo bëri që bashkësia ndërkombëtare të mos ndërmarrë edhe aq hapa rigorozë për parandalimin e konfliktit.

Konflikti i vitit 2001 në Maqedoni ishte i rrezikshëm për shumë faktorë, jo vetëm për shkak të rrethanave gjeopolitike rajonale dhe më gjerë, por edhe për shkak të asaj se iniciatorët e konfliktit nuk kishin një plan politik dhe qëllime të qarta. Pozicionet e tyre rrotulloheshin nga bashkimi kombëtar e deri te të drejtat njerëzore. Por, është fakt se edhe kreu i atëhershëm i shtetit s’dinte se si të menaxhojë me situatën. Menjëherë pas shpërthimit të konfliktit u pa se në shtet s’ka potencial të brendshëm për menaxhim racional me situatën. Përkundrazi, faktori i hutuar maqedonas, me logjikën e një liliputi, vazhdonte që ta shpjegojë konfliktin me teori të ndryshme të konspiracionit e të urrejtjes ose me argumente që i demonizonin shqiptarët, madje duke e nxitur akoma më shumë luftën përmes argumenteve folklorike, të pakuptimta, si për shqiptarët, ashtu edhe për faktorin ndërkombëtar. Ndërkohë, partitë shqiptare dhanë disa iniciativa që kishin të bëjnë me atë se si duhej organizuar shteti dhe pushteti në kushte të pluralitetit etnik.  Këtu duhet theksuar se duke u ndërlidhur në shumë akte, që paraprakisht ishin shtruar nga partitë shqiptare dhe deputetët e tyre në parlamentin e Maqedonisë, potencohej se kjo duhej bërë që të eliminohej masa kritike për shpërthimin e një konflikti të brendshëm ushtarak edhe në këtë pjesë të Ballkanit të nxehtë. Pra, disa herë pala shqiptare paraprakisht kishte insistuar në një marrëveshje të domosdoshme historike ndërmjet dy bashkësive më të mëdha etnike në shtet, duke insistuar në nevojën e domosdoshme që shteti të ndërtohet mbi baza të një marrëveshjeje të përbashkët, ku në mënyrë precize do të garantoheshin shumë mekanizma funksionalë për një shtet të drejtë multietnik. Por, reagimet ishin të formës – “kur s’keni përgjigje, vriteni atë që ka pyetur!”.

Kishte mospajtime edhe për ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar në ndërprerjen e konfliktit dhe jorastësisht ndërmjetësuesit në bisedime u emëruan si “lehtësues”. Bisedimet ishin të vështira pasi te pala maqedonase dominonte bindja se konflikti i vitit 2001 ishte fryt i një komploti të jashtëm, se ushtetuta fare s’duhej ndryshuar, se shqiptarët janë mercenarë për do interesa të huaja, se në këtë konflikt gjoja ishin të përzier edhe elemente islamike (madje për këtë qëllim u patën vrarë 7 emigrantë pakistanezë). Në këso rrethana dhe dyshime u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, të cilën e përcollën obstruksione të shumta gjatë interpretimit dhe implementimit.StrugaLajm

Marrëveshjen e Ohrit, pos pjesës së përgjithshme e përbëjnë edhe tre anekse – 1) për amendamentet kushtetuese; 2) për ndryshimet në legjislacion; 3) për implementim dhe për masat e ndërtimit të besimit. Marrëveshja e Ohrit promovoi zhvillimin harmonik të shoqërisë qytetare, duke respektuar njëkohësisht edhe të drejtat kolektive, identitetin etnik dhe interesat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Marrëveshja në fjalë parashihte edhe miratimin e disa ligjeve që kishin të bëjnë me avancimin e gjuhës shqipe, të drejtave kulturore, participimit në organet dhe struktura të shtetit, avancimin e pushtetit lokal etj. Disa nga këto segmente edhe pas 20 vjetësh akoma nuk gjejnë përdorim të plotë. Modeli i Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, që potencohej si bazë për pushtet lokal më të avancuar, edhe sot akoma mbetet larg realizimit, gjë që reflektohet drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik.

Marrëveshja parashihte vendosje të procedurave të veçanta kuvendore për çështjet që kishin të bëjnë me aspektet etnike, pastaj vijonte procedura për zgjedhjen e organeve të caktuara, procedura dhe kuota etnike në disa organe, siç janë Gjykata Kushtetuese, Këshilli Gjyqësor, Komitetin për Bashkësitë Etnike, Ombudsmani etj.StrugaLajm

Disa javë para hapjes së procedurës për ndryshimin e kushtetutës, ndër kuluare sikur filluan të qarkullojnë fjalë se disa pjesë të aneksit që kishin të bëjë me ndryshimet kushtetuese do të “pësonin do ndryshime simbolike”. Dukej se diku jashtë syve të opinionit, PDSH-ja e brengosur për pozicionin e “partnerit të vet strategjik” – VMRO-DPMNE, sikur kishte dhënë pajtim para lehtësuesve dhe diplomatëve që preambula e paraparë në Marrëveshjen e Ohrit, e bazuar në konceptin ekskluzivisht qytetar, të pësojë ndryshime. Po ashtu edhe disa formulime që kishin të bëjnë me bashkësitë fetare. Dukej se truve të vegjël iu lejua të vlerësojnë se sa të mëdha qenkan ëndrrat tona! Afati përfundimtar i implementimeve legjislative dhe praktike ka qenë viti 2004, kurse akoma sot e kësaj dite disa çështje mbeten të parealizuara.

Gjatë mandateve të Nikolla Gruevskit, Marrëveshja ndeshej me interpretime restriktive, madje ai i bojkotonte përvjetorët e saj. Për habi, këtë sikur aspak s’e kundërshtonte BDI-ja, ndoshta e kapur diku! Sot në opinionin maqedonas vazhdon të mbizotërojë bindja se Marrëveshja e Ohrit është diçka tejet maksimale, madje mbi standardet evropiane, dhe se ky dokument është i pandryshueshëm dhe se çdo ndryshim eventual shpie në federalizim, andaj trajtohet si e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë “shtetit të tyre”. Andaj, në këso rrethanash, si çështje pak më pragmatike mbeten interpretimet afirmative të saj nëse për atë ka klimë politike. Formulimi “bashkësi etnike që përbën së paku 20 për qind të popullatës” mbetet një sintagmë ofenduese për shqiptarët, në kohën kur për bashkëvendësit çështjet identitare me grekët dhe bullgarët konsiderohen si elemente të shenjta.

Në dimension të përgjithshëm, Marrëveshja e Ohrit në masë të madhe kënaqi vetëm do interesa partiake dhe grupore, e kurrsesi edhe kombëtare. Shkelja e merito-sistemit, si vlerë universale e shteteve të civilizuara, krijoi diskriminim të thellë brenda vet entitetit shqiptar, duke i ndarë ata në votues partiakë-qeveritarë, të cilët mund të pranoheshin në punë e avancoheshin, shpesh pa dije elementare, kurse në anën tjetër thellë diskriminoheshin jopartiakë edhe kur ishin tejet meritor. Mungesa e merito-sistemit dhe masovizimi i korrupsionit shkaktoi stagnim të përgjithshëm zhvillimor dhe shpërngulje masive të shqiptarëve nga vendi, me çka prezenca rezidente e tyre tanimë ka rënë dukshëm nën 20-përqindëshin. Kjo gjë e ka dëmtuar seriozisht ekzistencën dhe perspektivën shqiptare në Maqedoni të Veriut.

Trishtuese janë analizat e demografëve se në pjesën perëndimore të shtetit shpërngulja e popullatës shqiptare ka kaluar gjysmën – në rajonin e Strugës – 52%, të Zajazit – 59%, të Pollogut – 54%, të Sarajit – 31%, të Shkupit – 24%, të Likovës – 56%.  Ky është tmerr i paparë ndër shekuj! Por, çdo gjë e ka pikën e vlimit, të cilën tani për tani e eliminojnë me truqe – “kryeministri shqiptar”, “koalicionet parazgjedhore”, “gjelbërimi” dhe shumë mjegulla të tjera të zeza për të shpëtuar do ujqër të zi. Në gjykata sollën gjykatës që drejtësisë i mëshuan çekan. Por, këtu si duket mungon truri opozitar për neutralizim të këtyre lojërave. Ndërkaq pushtetit vazhdimisht i konvenon të durojë një grusht keqpërdoruesish në këmbim të eksodit historik. Politika e sëmurë di ta shndërrojë atdheun në spital mendor.

Tani kemi ambient diç më të mire se më parë, por s’kemi më rini e ardhmëri. Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), për nga zhvillimi, na ka ranguar në vendet e fundit në botë në shoqëri me Mozambikun, Kolumbinë, Nigerinë dhe Papua Guineja e Re etj. I vetmi progres është shënuar në sferën e lirisë se mediumeve, me çka për fat u patëm shkëputur nga Afganistani, Eritreja, Azerbajxhani etj.

Tani, si duket, ndoshta si shpëtim kombëtar ose si vepër historike e patriotike, na mbetet në rend të parë të formojmë “SPAK-un” tonë (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përdoret për t’iu referuar Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si edhe Njësisë së Pavarur Hetimore, ndryshe e quajtur edhe Byroja Kombëtare e Hetimit) për Maqedoninë e Veriut, e cila gjë shpresoj se shpejti do të ndodhë. Së paku do të shpëtohej ajo pak që na ka mbetur. Gjerë atëherë do t’i ngjasojmë një kopshti zoologjik të çuditshëm, ku të pafajshmit mbeten brenda kafazit.


Loading...
loading...