OPOZITA:Merko “mbyllet” në shtëpi / Mbi dy muaj nuk shkon në punë

Për më shumë se dy muaj Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko nuk është parë në objektin e kësaj komune dhe nuk ka qënë prezent në zyrën e tij për ta kryer detyrën për të cilën është votuar në zgjedhje. Merko është mbyllur në shtëpinë e tij në qytet që prej fillimit të pandemisë, ndërsa nuk merr pjesë as në mbledhjet e Shtabit Emergjent apo të Krizës, të krijuar për tu përballur me koronavirusin, ku ai është edhe kryetar. Mbledhjet e Shtabit i drejton shpesh një i punësuar në administratën komunale, ndërsa takimet dhe aktivitetet e ndryshme gjatë kësaj kohe i kanë realizuar administratori komunal, Dashmir Nasufi dhe në disa raste Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellës dhe Kanalizime”, Jeton Shaqiri. Nga Komuna e Strugës, dje pas rreth dy muajsh publikuan një fotografi të Merkos në një mbledhje të Shtabit Emergjent, ndërsa siç mëson in7, takimi ka zgjatur disa minuta e më pas Merko ështe larguar sërish.

Arsyet e mungesës së Merkos në punë tani për tani janë të panjohura, pasi askush nga Komuna e Strugës nuk i përgjigjet zyrtarisht pyetjeve tona. I pakapshëm ka qënë edhe vetë Merko, ndërsa siç mëson in7 edhe për nënshkrime dokumentash, të punësuarit ja dërgojnë atij në shtëpi. Gjatë këtij mandati, Merko ka bërë mungesa të shumta në vendin e punës, ndërsa sipas disa të punësuarve më të vjetër në komunë, që kanë punuar me të edhe në mandatet e para, kjo gjë nuk është normale.

Ky mandat i Merkos në krye të komunës është karakterizuar me probleme të shumta për të. Shumica personale, kërcënime për jetën, sulm fizik në objektin e komunës, thyerje xhamash brenda komunës e ngjarje të ngjashme.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se problemet e shumta me personat që u ka premtuar çudira në zgjedhje e kanë detyruar Merkon që gjatë këtij mandati të punojë më shumë prej shtëpie. Nga kjo parti tregojnë se edhe para pandemisë, Merko nuk ka shkuar në punë me javë e me muaj.

“Nuk është shembull i mirë për qytetarët, që njeriu i parë që duhet ta menaxhojë situatën me pandeminë në territorin e komunës, të mbyllet brenda në shtëpi. Asnjë mbledhje të Shtabit Emergjent nuk e ka zhvilluar vetë, por ka deleguar të punësuar në administratën lokale. I kemi thënë edhe më herët. Qytetarët e kanë votuar që të jetë në krye të detyrës dhe jo të mbyllet në shtëpi. Nëse nuk është i aftë për ta kryer detyrën, le të dorëhiqet”, thotë për in7, Emin Kupa, koordinator i grupit të këshilltarëve të Aleancës për Shqiptarët në Strugë.StrugaLajm

Ndërkaq nga partia opozitare maqedonase, VMRO – DPMNE, përveç mungesës së Merkos në opinion, kanë kritika edhe për mënyrën se si u krijua Shtabi Emergjent apo i Krizës. Sipas tyre, Shtabi të Krizës mund të themelojë dhe votojë vetëm Këshilli i Komunës së Strugës. Deri sot, thonë nga VMRO-ja e Strugës, asgjë e tillë nuk ka ardhur në Këshill. Kjo parti në seancën e fundit të Këshillit kishte propozuar një sërë masash për lehtësimin e situatës gjatë pandemisë, por Kryetari i Këshillit ua kishte refuzuar.

“Është qesharake. Kryetari i Këshillit i refuzoi propozimet tona dhe nuk i vuri në rend dite me arsyetimin se për to, më parë duhet të deklarohet Shtabi i Krizës. Nga ana tjetër Shtabin e Krizës e themelon Këshilli. Këshilli i Komunës së Strugës deri tani nuk ka themeluar Shtab të Krizës”, thotë për in7, këshilltari Alen Dereban nga VMRO-DPMNE.

Në territorin e Komunës së Strugës që nga fillimi i pandemisë, me koronavirus janë infektuar gjithsej 67 persona, ndërsa betejën me virusin e kanë humbur 14 prej tyre.

In : Aktuale

Loading...
loading...