BLENDI PETROL
Aktuale

Për gjashtë vite, 4000 maturantë më pak!

Në Maqedoni po bie në mënyrë permanente numri i nxënësve në shkollat e mesme dhe kjo vërtetohet edhe me numrin e atyre që në përfundim të këtij shkollimi japin provimet Maturës Shtetërore. Këtë vit ka 15.265 kandidatë apo rreth 1200 më pak se vitin e kaluar. Ndërkaq, ende më e thellë bëhet kjo rënie nëse i krahasojmë numrat me vitin 2012, kur në afatin e qershorit provimet e maturës shtetërore i kishin paraqitur rreth 19 mijë nxënës

Laura PAPRANIKU

Shkup, 9 qershor – Arsimi i mesëm i obligueshëm nga viti 2007, siç edhe pritej, rriti në mënyrë permanente numrin e nxënësve në këtë nivel shkollimi. Por kjo ndodhi vetëm për pak vite, deri në vitin shkollor 2010/2011, pra deri kur në këtë nivel shkollimi u përfshinë 100 për qind e popullatës nga 15 deri në 19 vjet, shkruan gazeta KOHA. Menjëherë pas kësaj filloi rënia, pasi numri i nxënësve që ndjekin shkollimin e mesëm në Maqedoni iu dorëzua dukurisë së rënies së përgjithshme të numrit të popullsisë së kësaj moshe e që është rezultat i faktorëve social e demografik, sikurse janë shkalla e natalitetit apo edhe migrimet e shumta.

Rënia e viteve të fundit, padyshim se është reflektuar edhe në numrin e nxënësve që kryejnë arsimin e mesëm dhe që ka tregues përkatës numrin e atyre që paraqesin provimet e Maturës Shtetërore. Dallimi në numrin e atyre që paraqesin Maturën Shtetërore është dukshëm i madh. Nga viti në vit, ai numër bie për rreth 1000 maturantë, herë më shumë e herë më pak, por që në harkun kohor nga 2012-ta deri vitin 2018, ka një rënie prej gati 4000 nxënës. Bazuar në të dhënat e Qendrës së Provimeve Shtetërore (QPSH), këtë vit provimet e Maturës Shtetërore i kanë paraqitur vetëm 15.256 maturantë, që afatin e qershor. Në harkun kohor prej gjashtë viteve, ky numër shënon rekordin rënie.

Është për rreth 1200 nxënës më pak edhe se numri i maturantëve të vitit të shkuar, nëse kemi parasysh faktin se për afatin e qershorit provimeve të Maturës Shtetërore 2017 iu nënshtruan 16.426 nxënës. Në vitin 2014 kishim 18.000 maturantë, ndërsa në vitin 2012, ai numër ishte në rreth 19.000 maturantë.

Ajo që nuk ka ndryshuar gjithë këto vite është dëshira për të mos iu nënshtruar verifikimit të dijeve nga lënda e matematikës. Këtë vit, vetëm 1926 nxënës kanë paraqitur këtë lëndë për provim mature, të tjerët (13.330) kanë zgjedhur gjuhët e huaja, kryesisht gjuhën angleze. Përveç provimet të gjuhës amtare, apo gjuhës në të cilën zhvillohet mësimi, në përfundim të arsimit të mesëm, nxënësit duhet t’ju nënshkruhen verifikimit të diejve edhe në dy lëndë të tjera të cilat mund ti zgjedhin nga lista përkatëse. Zgjedhja e parë bëhet mes matematikës dhe gjuhës së huaj që nxënësit e kanë ndjekur të plotë apo përgjatë gjithë viteve të shkollimit. Ndërsa zgjedhja e dytë bëhet mes historisë, fizikës, kimisë, biologjisë, filozofisë, estetikës dhe biznesit. Të tria këto provime kanë vlerësim ekstern, pra notat caktohen nga një Komision i jashtëm, i cili formohet nga ana e QSHP-së.

Është edhe një provim i katërt, por që nuk ka vlerësim ekstern dhe që vlerësohet nga një Komision brenda shkollës për Punën Projektuese.

Të shtunën, më 9 qershor, nxënësit do të japin provimet e gjuhës amtare, respektivisht të lëndës në të cilën kane zhvilluar mësimi. Për gjuhën dhe letërsinë maqedonase janë paraqitur 10.119 nxënës, për gjuhën dhe letërsinë shqipe 4474, për gjuhën turke 374 dhe anoj për gjuhën serbe, pasi paralelet e mesme në këtë gjuhë. Provimet e matematikës dhe të lëndës së tretë do të mbahen më 11 dhe 13 qershor. (koha.mk)

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button