Përkujtesë:Prof. Dr. Fejzulla Shabani (09.IX.1959- 21.08.2014)

Nebi Dervishi

Përkujtesë

Prof. Dr. Fejzulla Shabani (09.IX.1959- 21.08.2014)

Me rastin e dy përvjetorëve:

  1. Me rastin e 65 vjetorit të lindjes dhe 
  2. 10 vjetorin e shkuarjes në amshim

Viti 2024 lidh dy skajet e jetës në një të përbashkët: 65 vjetorin e lindjes dhe dhjetëvjetorin e vdekjes të Prof. dr. Fejzulla Shabanit, nga Reçani i Gostivarit, historian, pedagogë, politikanë, profesor universitar mbrojtës i çështjes kombëtare, analist i mprehtë i problemeve diplomatike ndërkombëtare, veçanërisht i atyre të rajonit dhe mik i të gjithë atyre që e njihnin, familjar i mirë. Na iku pa u diktuar dhe papritmas në një moshë ende të re, kur kishte akoma për t’i dhënë historiografisë shqiptare, popullit dhe familjes së tij.

Jeta shpesh herë bënë të sajën, pa pyetur për dëshirat e njerëzve të shumtë që do të donin ta kishin pranë prof. Fejzën për shumë vite të tjera. Dhe ne tani nuk kemi ç’të bëjmë tjetër, veçse të shprehim dhimbje dhe respektin e thellë për shokun, mikun, kolegun, profesorin, studjuesin tonë të ikur para kohe.

Jeta e prof. Fejzulla Shabanit u shua papritmas më 21 gusht 2014,  nga një semundje kardiovaskulare në spitalin “Nënë tereza” në Tiranë. Pra, iku dhe na la edhe Prof Fejza (siç e thirrnim si në iso kolegët dhe studentët e tij)  dhe shkoi në botën e amshuar, atje ku shkuan vite më parë edhe studjuesit, profesorët të katedrës së historisë të USHT-së, si Prof. Dr. Masar Kodra, Prof. Dr Hysni Myzyri, Prof. Dr. Qamil Gaxha, Prof. Dr. Ali Vishko, prof. Dr.Daut Bislimi dhe Dr. Naim Fetahu dhe Prof. Dr. Naim Halimi, që të gjithë pedagogjë në UT(USHT), në katedrën e Historisë.

Vdekja e tij fizike e parakohëshme na trishtoi e na përloti. Rrinim shpesh në ndeje në Strugë, Vrutok, në Banjicë, Pogradec, në Tetovë, në Ishull-Lezhë, Gjakovë, Prizren, në Matkë, në Dibër e Mavrovë me shokë (Myrton, Shumin, Isakun, Nasirin, Zejnihun, prof.  Dautin, Prof .Vebiun, etj). Asnjëherë nuk pata dëgjuar të më flas e të na flas drejtpërdrejtë për vdekjen, siç nuk e pata dëgjuar ndonjëherë të më ankohej për jetën. Si pak kush, nga sa njoh unë, ai ishte kapur fort pas saj, pas bukurisë dhe gëzimit të jetës, pas endjeve dhe ëndërrave, pas vlerave të kësaj bote, e mbi të gjitha pas njerëzve e pas mirësisë njerëzore.

Dhe 55 vitet e profesor Fejzës u shtrinë në kohë të dallgëzuara të jetës dhe të historisë shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX dhe në dy dekadat e para të shek. XXI. Erdhi i ri në qytetin e Gostivarit. Profesor Fejzulla Shabani lindi më 09 shtator të vitit 1959 në fshatin Reçan të Gostivarit. Shkolln fillore dhe Gjimnazin e kreu në Gostivar. Në vitet 1979-1983 i vazhdoi studimet në Universitetin e Prishtinës, në Degën e Historisë. Pas një punë kërkimore e hulumtuese shkencore më 08.XII.1994 në Universitetin e Tiranës mbrojti me sukses temën e doktoraturës “SHQIPTARËT E MAQEDONISË GJATË LUFTRAVE BALLKANIKE 1912-13” dhe mori titullin doktor i shkencave historike.

Pas kryerjes së studimeve prof. Dr. Fejzulla Shabani deri në vititn 1996 ka punuar si pedagogë në shkollat fillore e të mesme të Gostivarit. Në vititn akademik 1995-96 u angazhua si pedagogë në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin Filozofik, Dega e Historisë, ku ka ligjëruar lëndët: Historia e Bizantit, Shkencat ndihëse të Historisë, Historia e Popullit Shqiptar III, Historinë e popujve të Ballkanit, Historinë e Diplomacisë etj, ndërsa në vitet 2006-2009 në Fakultetin Juridik të UT-së ka ligjëruar lëndën Historia e Shtetit dhe  së drejtës.

Gjithashtu nga vitit akademik 2003-2004 e deri sot, si ligjërues-bashkëpuntor i jashtëm-ligjëroi edhe në UEJL, në Fakultetin e Administrimit Publik dhe Shkencave Politike, lëndët: Historia e Civilizimit, Studime Evropiane, Politika Arsimore, si dhe në ciklin e dytë lëndët Historia e Diplomacisë dhe Historia e Marrdhënieve Ndërkombëtare, të cilat i ka ligjëruar edhe në USHT në ciklin e dytë. Profesor Fejzulla Shabani krahas angazhimeve në procesin mësimor-shkencor është marrë edhe me shumë aktivitete të tjera: është një nga themeluesit e Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni (1991); Nga 1991 ka organizuar një numër të madh konfereca, simpoziume, tribuna shkencore në shumë qytete si në Gostivar, Tetovë, Strugë, Dibër, Shkup e Prishtinë, ku kanë marrë pjesë studjues nga të gjitha trevat shqiptare dhe ku janë trajtuar tema me rëndësi për historinë e popullit shqiptar; Profesor Fejzullahu është pjesmarrës i më shumë konferecave shkencore si ato kombëtare, por edhe ndërkombëtare. Ka marrë pjesë në punime shkencore në konferenca që janë mbajtur në Tiranë, Prishtinë, Strugë, Shkup, Tetovë,Gostivar, Dibër, Manastir,si dhe në Osllo, Zagreb e Gjenevë.

Në vitet 1998-2001 ka qenë zv. Ministër i Arsimit, ndërsa në vitet 2001-2002 ka qenë Sekretar shtetëror në Ministrinë për  Punë dhe Politikë Sociale.

Ishte anëtar i këshillit redaktues i Revistës “Kërkime Historike” të SHHSHM, si dhe recensent e redaktor i shumë monografive;

Pas akreditimit të studimeve pasuniversitare në USHT, prof. Fejzullahu jo vetëm që ligjëronte, por me sukses i udhëhoqi në cilësinë e mentorit shumë student.

Në vitet 2007-2009 ka qenë anëtarë i Komisionit për Akreditimin e Programeve studimore pranë Ministrisë së Arsimit.

Në vitet 1996-1998 dhe 2007-2009 ka qenë anëtar i Senatit të UT-së gjegjësisht të USHT-së.

Në vitet 2008-2009 ka qenë Prorektor në USHT-përgjegjës i studimeve të magjistraturës;

Tërë këto vite Profesor Fejzullahu ka qenë present në mjetet elektronike dhe të shkruar, ku ka trajtuar çështje historike e kombëtare, si dhe ka publikuar rreth 100 punime dhe fejtone me peshë të padiskutueshme kombëtare.

Profesor Fejzulla Shabani ndërroi jetë në moshën 55 vjeçare në moshën më të mirë, kur tanimë kishte formuar karakterin e punëtorit shembullor të dijes, atëherë pra kur shkenca historiografike e diplomatike pritnin kontributin edhe më të madh në kurorëzimin e projekteve kombëtare.

Prirjet prej historian Prof. Fejzulla Shabani e provoi që në vitet e studimeve në Fakultetin Filozofik, Dega e Historisë, në Universitetin e Kosovës, duke u shquar në mesin e kolegëve të tij për interesimin dhe përkushtimin që iu qas studimit të historisë së popullit tonë, sidomos në trevat lindore shqiptare. 

Kjo qe arsyeja që Prof. Dr. Masar Kodra, njëri nga studjuesit e shquar të gjeneratës së vjetër të historianëve tanë në këto anë (Koha e Re dhe Bashkëkohore) ta udhëzoi, profin Fejzulla për të regjistruar studimet e doktoraturës në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Histori – Filologji, duke pasur mentor Prof. Dr. Hysni Myzyrin.

Me një angazhim përkushtues kërkimor e hulumtues, falë aftësive që kishte për të hyrë në zbërthimin dhe analizën e problemeve historike, të fenomeneve, ngjarjeve dhe personaliteteve,e për të ardhur kështu deri te rezultetet e dëshiruara, predispozita ose premise këto, që do të mundësojnë këtij studjuesi që të angazhohet pedagogë në UT – USHT që në vitet e para të themelimit.StrugaLajm

Profesor Fejzulla Shabani i dha historiografisë shqiptare një varg botimesh të veçanta, si: “Shqiptarët e Maqedonisë 1908-1913”, Tetovë 1996; “Organizimi, veprimtaria dhe formimi i Ballit Kombëtar në Maqedoni” (2004); “Litajt” – një histori e sakrificës” (1998); “Historia e Diplomacisë” (dispencë për student), Tetovë, 2010; Monografia “Reçani i Pollogut të Epërm” (bashkëautorsi me Prof. Nebi Dervishin), 2014; ”Historia për kl.e VII fillore (bashkëautorë), si dhe dhjetëra artikuj, portrete, material studimore, fejtone të botuara në shtypin e përditshëm dhe nëpër revista shkencore në Shkup Prishtinë e Tiranë.

Një meritë tjetër e prof. Fejzulla Shabanit është mbrojtja me sukses shembullor të disertacionit “Shqiptarët e Maqedonisë në vitet e Luftrave Ballkanike 1912-1913”, para komisionit 5 anëtarëshe në Tiranë më 1996, dhe mori gradën shkencore Doktor i shkencave historike.

Pas doktorimit Profesor Fejza përveç angazhimeve profesionale si pedagogë universitar i thelloi hulumtimet kërkimore-shkencore në fushën e dijes historiografike.

Prof. Dr. Fejzulla Shabani ka dhënë kontributin e tij të çmuar me pjesëmarrjen e tij në shumë simpoziume e konferenca shkencore, të organizuara brenda dhe jashtë vendit. Referatet dhe kumtesat e tij nëpër tubime nga problemet që i shtronte e i trajtonte kudo kanë ngjallur interes dhe janë pritur shumë mire nga studjuesit dhe historianët e paanshëm në këto tubime përcjellë me interes në sesione kombëtare dhe ndërkombëtare, si në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, në Gjenevë dhe në Osllo.

Në veprimtarinë e tij, Prof. Dr. Fejzulla Shabani ishte angazhuar edhe si hartues skenaresh, organizator e pjesëmarrës në cikle emisionesh e debate-biseda televizive për problemet e historisë së popullit shqiptar në trevat lindore, si dhe nga fusha e diplomacisë dhe historisë së popujve të Ballkanit gjatë shek. XIX e XX.

Kontributi i prof. Fejzulla Shabanit është edhe në drejtimin e projekteve të ndryshme shkencore që i kemi nisur e hartuar bashkërisht vite më parë. Ai ishte anëtar i devotshëm i grupit drejtues për Historinë e trevave lindore shqiptare nga antikiteti e deri sot, si dhe i Projektit “Enciklopedia shqiptare në Trevat lindore”, të dyja projekte këto që ngelën të papërfunduara në dorëshkrim.\

Mbi bazën e analizave shkencore dhe duke pasur qëndrim kritik ndaj ngjarjeve në shekujt XIX e XX, Profesor Fejza (kështu i pëlqene dhe i bëhej shumë qejfi kur e thirrnim ne kolegët e katedrës së Historisë) bënë spjegimin historic të dokumenteve, punë kjo që dëshmohet me anë të fakteve, duke demaskuar dhe duke hedhur poshtë si pseudoshkencë pikëpamjet dhe qëndrimet e historiografisë ekspansioniste të monarkive ballkanike lidhur me Shqipërinë etnike në këto shekuj dhe me shqiptarët, veçmas duke potencuar dhe duke vlersuar-drejtë rolin e masave dhe personaliteteve me peshë historike në luftrat shekullore për çlirimin kombëtar.

Puna e tij këmbëngulëse tërë këto vite që kemi punuar së bashku u shqua për nivel të lartë të analizave, për thellësi mendimi e interpretimi, për objektivitet shkencor dhe për vërtetësi historike. Në sajë të këtyre tipareve të punës së tij, në vititn 2012 mori titullin më të lartë shkencor profesor Ordinar i shkencave.

Të rrije pranë tij e të flisje me të, ishte jo vetëm kënaqësi, por në të njëjtën kohë ishte edhe frymëzim. Ishte nga ato burra që rrugëtonin me kujdes e nuk shkelnin në truall të pasigurtë, që marrin, e shqyrtojnë me imtësi të dhënat para se të ndërtojnë një teori, që nuk janë të prekur nga egoizmi, por as nga mania për të tjerrë e sajuar teza vetjake të brishta, atje ku janë dhënë spjegime të mbështetura në të vërtetën historike me fakte e dokumente të shkruara. 

Në tërë opusin e krijimtarisë së tij, Prof. Fejzulla Shabani ka shkruar gjithnjë thjeshtë e qartë me fuqi bindëse si studjues i vërtetë. Veprat shkencore të profesor Fejzës kanë sjellë pasurim e përparim cilësor në studimet historiografike shqipe dhe ballkanike. Dhe kjo veprimtari e tij në fushën e historiografisë shquhet si për gjërësinë e problemeve, ashtu edhe për frymën ndërtuese.

Prof. Dr. Fejzulla Shabani do të kujtohet gjithnjë si figura e intelektualit atdhetar, studjuesit model e objektiv, të guximshëm dhe këmbëngulës. Rasti i vdekjes (21 gusht 2014) ishte moment i fundit për t’i shprehur nderimin dhe mirënjohjen tonë për veprimtarinë e tij të palodhëshme e të dendur, si dhe për rrezatimin e saj këndellës në botën intelektuale shqiptare.

Ky moment pikëllimi është një rast i mirë për t’i shpalosur vlerat e vërteta e të amshueshme të pedagogut, historianit dhe studjuesit, për të ndjekur shembullin e tij e për të gjetur frymëzimin e krijimit te ato gurra të pastra duke gërmuar nëpër arkiva ku ruhen vlera të çmuara,që ushqyen dhe frymëzuan veprën e Profesor Fejzës, sepse këto vepra janë të mbështetura në gamën e gjërë të dokumenteve, të literaturës relevante, të burimeve arkivale dhe shtypit.

Profesor Fejzulla Shabani kishte natyrë të çelur, ishte bashkëbisedues, i këndshëm në tryeza të rastit dhe i disponuar për t’u mahnitur, i shoqërushëm, e i matur, i fjalës dhe i veprës dhe kategorik në bindjen e tij. Dhe për këtë Prof Fejza, me jetën modeste dhe vyrtytet e tij fisnike, të pastra e humane, do të përkujtohet me respekt të plotë ndër vite nga nxënësit, studentët, miqtë, shokët dhe bashkëpunëtorët, si dhe nga zonja Diana, djali Mallzim, vajzat e mrekullueshme, etj.

Vdekja e parakohëshme e profesor Dr. Fejzulla Shabanit akoma pa i mbuashur 55 vjet, ishte një humbje e madhe për shkencat albanologjike, e dëmtoi shumë historiografinë shqiptare, sepse kontributi i tij në këtë fushë të dijes do të ishte edhe më i madh.

 Më 21 gusht 2014, familja Shabani humbi bashkëshortin dhe prindin shembullor, ndërkaq Universiteti Shtetëror  i Tetovës dhe historiografia shqiptare nëpërgjithësi humbi pedagogun, dhe historianin e çmuar pasi studjues të tillë në mesin e shqiptarëve në trevat lindore i vijnë jo shepsh ose shumë rrallë.

Lavdi studjuesit e historianit, që prej sotit bëhet edhe vetë histori: i çmuar dhe i paharruar!

Përjetësisht do të mbetet në kujtesën tonë.

Strugë, Prof. Nebi Dervishi

10.08.2024

In : Aktuale

Loading...
loading...