Plotë 8 orë para celularit

Hulumtimi i fundit i përgatitur nga Projekti Evropian për Hulumtime në shkolla për alkool dhe droga tjera (ESPAD) tregon se nxënësit e shkollave të mesme në Maqedoni, të moshës 16 vjeçare plotë 8 orë në ditë qëndrojnë para celularëve apo kompjuterit, shkruan gazeta KOHA. Në hulumtimin e kryer nga ESPAD, ku janë përfshirë mbi 50 shkolla të mesme në Maqedoni, anketa e zhvilluar me nxënës të shkollave të mesme rezulton se të rinjtë e Maqedonisë të moshës 16 vjeç e mbajnë primatin “të varur” nga interneti jo vetëm nga të rinjtë e vendeve të rajonit, por edhe pa konkurrencë janë krahasuar edhe me vendet e Evropës. Sipas këtij hulumtimi, 16-vjeçarët kryesisht merren me tre aktivitete apo më së shumti kohën e lirë e harxhojnë në internet, sport dhe shoqërim me shokë. Koha e lirë, thuhet në rezultatet e anketës, më së shumti harxhohet duke luajtur lojëra kompjuterike, si dhe dalje në mbrëmje me shokët në diskoteka dhe kafene, ndërsa një përqindje shumë e vogël e nxënësve të shkollave të mesme në mënyrë aktive lexojnë libra. “Pothuajse 71.4 për qind e nxënësve të anketuar janë shprehur se kohën e lirë më së shumti e kalojnë para kompjuterit, 46.6 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se dalin të shëtisin me shokët, 43.4 për qind kanë deklaruar se merren në mënyrë aktive me sport, ndërsa lojëra kompjuterike luajnë 28.9 për qind. Brengosë fakti i cili rezulton se çdo i pesti nxënës i shkollave të mesme harxhon 8 orë në ditë në internet, siç janë rrjetet sociale apo duke luajtur lojëra kompjuterike apo lojëra në celularë”, thuhet në hulumtimin e ESPAD, përcjell KOHA. Në kohën kur interneti dhe uebfaqet e tjera digjitale po bëhen burimi kryesor nga dhe lexojnë të rinjtë, anketa e ESPAD-it tregon se vetëm 3.3 për qind e nxënësve të anketuar kanë deklaruar se aspak nuk përdorin internetin. “Vetëm 3.3 për qind e nxënësve të anketuar në 50 shkollat e mesme në gjithë Maqedoninë kanë deklaruar se nuk përdorin internetin, 5.5 për qind janë shprehur se nuk merren me asnjë lloj sporti, ndërsa 13.8 për qind janë përgjigjur se aspak nuk dalin me shokët natën për t’u argëtuar në ndonjë lokal nate apo kafene”. Në pyetjen se sa lexoni libra gjatë kohës së lirë, 13.8 për qind e nxënësve të anketuar kanë dhënë përgjigje se nuk lexojnë fare libra. “Përveç që anketa rezulton se qëndrojnë plotë 8 orë në internet, nxënësit e shkollave të mesme shumë pak lexojnë libra kur kanë kohë të lirë. Rreth 27 për qind e nxënësve të anketuar janë përgjigjur se njëherë apo dy herë brenda muajit lexojnë libra, 25.1 për qind sa për argëtim lexojnë disa herë libër brenda vitit, 22.1 për qind lexojnë libër të paktën njëherë në javë, 12.4 për qind lexojnë për çdo ditë, ndërsa 13.8 për qind e nxënësve janë përgjigjur se fare nuk lexojnë libra”, thuhet në hulumtimin ESPAD-it.

StrugaLajm
In : Aktuale

Loading...
loading...