REFLEKTIM PËRSHËNDETËS ME STUDENTËT DHE KOLEGËT E “UNIVERZITETIT NËNË TEREZA”

Aziz Pollozhani


Njeriu gjatë jetës kalon në disa faza dhe përjeton momente të ndryshme. Ato më të veçantat lënë mbresa të pashlyeshme në kujtesën tonë përgjatë gjithë jetës. Pa dashur që këtu të paraqes jetëshkrimin tim, tani, në përmbyllje të angazhimit aktiv dhe në prag të pensionimit tim do të desha të ndaj me ju përjetimet e mia nga më të fresktat, dhe për mua, më kuptimplotat.
Këtë aspekt të përjetimeve të mia dua ta ndaj me ju sepse lidhet me marrjen e një përgjegjësie të madhe dhe jo të lehtë në fazën e fundit të aktivitetit tim profesional dhe shoqëror. Kjo ka të bëjë me Themelimin e Univeistetit në Gjuhën Shqipe në Shkup, në kryeqendrën e Vendit, ëndrra ime dhe e shumë shokëve të mij që në kohët tona studentore.
Barra e kësaj përgjegjësie më shtohej gjithnjë e më tepër që nga fillimi i përpilimit të projektit për themelimin e Universitetit Nënë Tereza në Shkup. Këtë barrë e ndjeja sepse isha i vetëdijshëm se kjo nuk ishte vetëm ëndrra ime, nuk ishte vetëm dëshira ime, por ishte ëndrra dhe dëshira e shumë kujt para meje, si dhe e shumë bashkëkohësve.
Para se gjithash ishte nevojë egzistenciale e gjeneratave të reja, e fëmijëve të Çairit dhe Gazibabës, të Sarajit dhe Haraçinës, të Karshijakës dhe Karadakut të Kumanoves e Likovës, Jabllanicës e Buzalkovës, të Zhitoshës dhe Cërnilishtes dhe e shumë nxënësve të tjerë që ëndërronin një jetë më të mirë.
Kisha besimin e plot se ëndrrat kaq legjitime dhe kaq të dlira të këtyre gjeneratave si dhe të prindërve të tyre do të më shtonin fuqinë që të tejkalojmë vështirësitë dhe që do ti bindim edhe skeptikët jo të paktë na atë kohë dhe indiferentët, për vlerën dhe nevojën e kësaj nisme, SE DO T’IA DILNIM.
Dita më saktë nata ,ora 22 e 24 Dhjetorit e vitit 2015 është dita historike kur Kuvendi i Maqedonisë së Veriut aprovoi Ligjin për Themelimin e Universitetit publik ,,Nënë Tereza,, në Shkup.
Pas tejkalimit të procedurave përkatëse në 27 Tetor të vitit 2016, Universiteti filloi me punë me një staf fillestar pedagogësh dhe administratorësh vullnetar që nuk ishin së bashku më shumë se pesëdhjetë, dhe me 126 studentë të regjistruar në vitin e parë.
Sot , para se të hedh hapin në një fazë të re të jetës time, e para që më bjen në mend të kujtoj janë ato momente të punës me pasion të pashembullt nga ata që unë i quaj ,, THEMELUES,,: të punësuarit e parë të këtij tempulli të diturisë, që i bën vetes vendin e nderuar në historinë e Univeristeit Nënë Tereza. Duke shprehur falenderim për të gjithë ata dhe ato, falenderim të posaçëm dua të përcjell edhe për studentët e parë dhe të gjithë studentët tjerë që vit pas viti u shtuan dhe zbukuruan hapësirat e studimit dhe laboratoret e UNT-së, dhe që vazhdojnë të mbushin rrugët e Shkupit për çdo ditë.
Do të isha i padrejtë nëse nuk do të falenderoja edhe kolegët dhe koleget tjerë të stafit pedagogjik dhe të atij administrativ që për çdo vit na u bashkangjitën dhe vazhdojnë të kontribuojnë në fuqizimin dhe konsolidimin e gjithëmbarshëm të Universitetit.
Universitetet publike janë institucione komplekse ku gatuhet interesi madhor publik, arsimi supëror dhe kërkimi shkencor si faktor themelor për një zhvillim të gjithëmbarshëm social, ekonomik dhe kulturor.
Së këndejmi është e kuptueshme që sado e flaktë të jetë dëshira dhe angazhimi personal apo grupor, për jetësimin e tij duhet një angazhim dhe mbështetje nga shumë faktor përkatës. Këtu kam parasysh institucionet shtetërore dhe ato lokale si dhe miqtë e dashamirët e shumtë të arsimit, ato individ, dhe sidomos prindërit e studentëve tanë, që na besuan shkollimin e fëmijëve të tyre. Të gjithë këta duhet llogaritur si miq të Universitetit dhe nuk duhet harruar kurrë duke u mbetur gjithmonë falenderues për kontributin e tyre.
Gjatë kësaj periudhe gati dhjetë vjeçare që nga fillet e aktiviteteve themeluese të Universitetit, do të dëshiroja që të shpalos me ju edhe disa përshtypje që janë rezultat i një observimi që kam bërë gjatë kësaj kohë mbi veprimtarinë e Universitetit në relacion me studentët.
Ky vështrim observues për mua kishte rëndësi jo që të verifikoj nevojën për hapjen ” edhe të një universitetit” ?!?, sikurse që dëshironin ta zbehnin rëndësinë e tij disa qarqe të caktuara, por për të dokumentuar peshën reale dhe efeket që do të arrihen nga ky Universitet që filloi punën në Shkup.
Anketa e realizuar me studentët tanë që në vitin e dytë pas hapjes na dha një rezultat sa dëshpërues po aq edhe motivues dhe shpresëdhënës. Rrjedhimisht gjetjet treguan se mbi 70% e studentëve paraqitnin gjeneratën e parë që po regjistrohej në shkollimin universitar, që ishte një e dhënë dëshpëruese që jepte një pasqyrë për statusin social të shqiptarëve dhe për perspektivën e gjeneratave të reja , por ishte edhe motivuese shpresëdhënëse njëkohësisht.
Shpresa rrezatonte pikërisht nga fakti se Universiteti Nënë Tereza po ju ofronte, dhe do vazhdonte të ju ofronte mundësi për studim pikërisht disa gjeneratave që ndoshta pa të nuk do të kishin pasur qasje në arsim të lartë, qoftë për shkaqe shoqërore, tradicionale, apo ekonomike.
Do të ishte absolutisht e pa pranushme dhe shumë e dëmshme për perspektivat ekonomike, kulturore dhe shoqërore të vendit që popullata shqiptare e kryeqyteteit dhe vendeve që gravitojnë rreth tij, të jetë pjesa me më pak qasje në arsim të lartë mes shqiptarëve rrjedhimish edhe më pak e arsimuar. Pasojat negative të një situate të tillë do të binin jo vetëm mbi këtë pjesë të popullatës shqiptare por edhe mbi gjithë popullatën e Maqedonisë së Veriut dhe mbi vetë shtetin.
Gjatë kësaj periudhe duke pasur nderin të jem në krye të Universitetit për gjashtë vjet, njëherit edhe si pedagog ku kisha kontakt direkt me studentët edhe pas kësaj periudhe, kisha kënaqësinë të ligjëroj dhe të bashkëbisedoj me studentë dhe plot studente të reja që me qëndrimin e tyre, seriozitetin dhe edukatën familiare, rrezatonin mirësi. Kurse në sytë e tyre mund ta dalloje dëshirën për të ditur, lumturinë që janë studentë dhe që po shkollohen.
Padyshim që numri i madh i studenteve të reja ishte mesazhi më kuptimplotë jo vetëm i arsyeshmërisë për hapjen e Universitetit , por konfirmonte edhe dëmin e madh shoqëror që është bërë në të kaluarën duke mos lejuar hapjen që më herët të Universitetit në gjuhën shqipe në Shkup. Jam i sigurt që po të kishte ndodhur ky hap më herët edhe problemet tona tani do të ishin më të vogja kurse sfidat më lehtë të përballushme.
Observimi jonë poashtu konstatoi se një pjesë e konsiderushme e studentëve tanë, me siguri të shtyrë edhe nga nevoja sociale e familjes, të vetëdijshëm për ngritjen individuale të tyre në shkollim , duke mos dashur që për këtë të dëmtojnë familjen ose pjestarët tjerë të familjes, ato me shumë zell krahas studimit edhe punonin. Nga ajo që unë munda të vë re, mund të konfirmoj që ato ishin edhe ndër studentët më të mirë, më të përkushtuar. Prandaj unë duke e parë këtë ,,fenomen,, i admiroja duke vlerësuar shumë këtë sakrificë.
Por ky fenomen domosdo ngre edhe kërkesën legjitime për politik-bërësit që të krijojnë skema adekuate mbështetëse finaciare më efikase për studentë të tillë , për familjet e tyre, që në këtë mënyrë të mos sakrifikohet nxënia e tyre për shkak të nevojës për të punuar gjatë kohës që janë studentë, sidomos gjatë dy viteve të para të studimit,kur puna e tyre nuk është e lidhur me fushën e studimit.
Janë politikat e mira ato që përfundimisht mund të ndihmojnë studentët ku edhe profesorët kanë rolin e tyre në gjetjen e një barazpeshe për të mundësuar shkollimin sa më cilësor , duke mbështetur formësimin e tyre me kompetencat e duhura që mundëson zhvillimin e individëve në atë nivel të tillë që ata fitojnë besimin e bashkëqytetarëve, punëdhënësve, dhe institucioneve. Ky besim është vendimtar për fatin e zhvillimit të universiteteve që do të rrezultojë edhe me zhvillimin e ekonomisë, demokracisë dhe të shtetit.
Përfundimisht, arsimi i mirëfilltë, në të gjitha nivelet, mbetet një nga shtyllat kryesore të një shoqërie të shëndoshë që është bazamenti i mirqenjes aq të dëshiruar edhe këtu.
Të kota do ngelin thirjet dhe pritjet për ndalimin e migrimit të gjeneratave të reja nëse në hapin e parë për ta realizaur këtë qëllim nuk vendohet arsimi , cilësia e arsimit, sistemi jonë arsimor. Në këto rrethana, puna është edhe një faktor që ndërton karakterin e studentit dhe e përgatit atë për sfidat e jetës. Jo më kot studime të ndryshme konstatojnë se Univerisiteti do të duhet të rimendojë rolin dhe të rishikojë metodologjinë e studimit në kushtet e reja.
Universitetet nuk duhet të mbesin vetëm ,,shkolla ku duhet të përsërisin njohuritë, por ato duhet të ngrihen në ,,inkubatorët e përgatitjes të studentëve për jetën ,, Sepse sikurse ka shkruar njëri ndër reformatorët më në zë i arsimit De Vaj(John Dewey) “..edukimi është vetë jeta.”
Globalizimi dhe dinamika e ndryshimeve për çdo ditë po konfimon këtë këtë nevojë të gjenaratave të reja.
Të nderuar koleg dhe kolege; pedagog dhe bashkpunëtorë të administratës,
Të dashur student,
Ndarjet gjithmonë janë të dhimbshme dhe ngjallin emocione, dhe unë nuk mund të jem përjashtim, sidomos kur shikoj mbrapa por edhe kur u shoh Juve , kolegë dhe studentë, shoh Universitetin që po rritet dhe zbukurohet për çdo ditë.
Nuk ka se si të mos ndjehem i plotësuar dhe krenar për atë që bëmë bashkë, për atë që ju do vazhdoni ta bëni edhe më tutje dhe për atë që në mendimet e mija, Universiteti dhe Ju do të ngelni gjithmonë.
I Juaji,
Azis K PollozhaniStrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...