RINIA SHQIPTARE DHE POLITIKA

Ju vasha dhe djem të rinj shqiptarë, me rrugë të mbylluara nga politika dhe shoqëria pa kritere vlerësimi, bëhuni më të zëshëm, më kryengritës, hidhuni në garë, përballuni me betejat dhe sfidat e kohës, sepse konkurrenca e çon shoqërinë njerëzore përpara. Dhe, mos harroni, njeriu është qenie shoqërore, jo vetëm qenie individuale!

Njëri nga liderët e partive të para politike në Maqedoni, në periudhën e demokracisë, Lubço Georgievski, i lindur më 1966, në moshën 24 vjeçare u zgjodh lider i partisë OBRM-PDUKM, në vitin 1990. Një vit më vonë, u zgjodh edhe Nënkryetar shteti i Maqedonisë së pavarur, kurse në vitin 1998, si 32 vjeçar, është zgjedhur Kryeministër i Ish Republikës jugosllave të Maqedonisë.

Inxhinieri Branko Cërvenkovski, i lindur më 1962, në muajin prill 1991 është zgjedhur Kryetar i njërës nga partitë më të madha politike në Maqedoni, i LSDM, ndërsa në vitin 1992 është zgjedhur Kryeministër i Maqedonisë, në moshën 29 vjeçare, si njëri nga Kryeministrat më të ri i asaj periudhe në Evropë.

Të rinjve shqiptarë në këtë moshë, edhe sikur të kenë arritur rezultate të jashtëzakonshme në shkollim dhe përvojë në fushën e tyre profesionale apo në biznes, më të moshuarit nuk u japin mundësi dhe nuk ua hapin rrugën pë karrierë, sidomos në politikë. Më të moshuarit se ata, të ashtuquajturit baballarë të poltikës, nuk do t’ua besonin në këtë moshë as detyrën e një udhëheqësi në forumet rinore të partive të tyre. StrugaLajm

Për çfarë mund të jenë të rinjtë shqiptarë më të paaftë nga moshanikët e tyre joshqiptarë në Maqedoni, vetëm pse atyre u bëjnë hije individë të dështuar në profesion, ose njerëz pa asnjë profesion, të cilët përmes vegzave të agjenturave të fshehta, si mundësi e vetme për karrirë të dështakëve, shndërrohen në faktorë të pazëvendësueshëm në skenën politike në vend, dhe jo vetëm.

Ky le të jetë një apel qëllimmirë për të gjithë ata të gjeneratave më të moshuara që mund të reflektojnë, por edhe për vetë të rinjtë shqiptarë me të predispozita dhe arritura të jashtëzakonshme në fushat e tyre profesionale, që të bëhen më të zëshëm, më të depërtueshëm, më kryengritës, më këmbëngulës në atë që u takon, sepse kontributi i tyre sigurisht se është tepër i nevojshëm në interes të popullit që i takojnë dhe në shërbim të njerëzimit.

(6 shkurt 2019)

In : Aktuale

Loading...
loading...