Rritet numrin i atyre që duan të largohen nga Maqedonia

Sivjet, 5 për qind më shumë sesa vitin e kaluar, është rritur numri i qytetarëve që duan të braktisin Maqedoninë, tregon anketa e Barometrit Ballkanik, ndërsa theksohet se tendenca për t’u larguar nga vendi rritet nga viti në vit, shkruan gazeta KOHA. Kështu, nëse në vitin 2016, për të braktisur Maqedoninë ishin shprehur të gatshëm 40 për qind e të anketuarve, sivjet – kjo përqindje është për 5 më e madhe se e vitit të kaluar, apo edhe 10 për qind më shumë se sa në 2015, ku 35 për qind e qytetarëve të Maqedonisë ishin shprehur se janë gati ta lëshojnë vendin. Ndërkohë, edhe në Shqipëri të dhënat janë shqetësuese. Gjysma e shqiptarëve kanë marrë në konsideratë që të largohen dhe të punojnë jashtë vendit. Por, sipas anketimit që ka bërë Barometri i Ballkanit, ndërsa në Shqipëri tendenca për të ikur po rritet nga viti në vit, në Kosovë çuditërisht ka rënie.

Rezultatet e sondazhit treguan se gjatë vitit të kaluar 48 për qind e shqiptarëve dëshironin të iknin nga vendi, ndërsa këtë vit kjo kategori arriti në 50 %, ndërsa në Kosovë përqindja e atyre që do të dëshironin të braktisnin vendin ishte 48, sivjet sipas këtij anketimi kjo kategori ka rënë në 37 për qind, transmeton Monitor rezultatet e anketimit të Barometrit të Ballkanit. Shqiptarët bashkë me boshnjakët renditen të parët në rajon me dëshirën e lartë për lënë vendin. Por ndryshe nga Shqipëria, në Bosnje ritmi i dëshirës për të lënë vendin ka rënë në tre vitet e fundit. Në vitin 2015, 58% e boshnjakëve dëshironin të jetonin dhe punonin jashtë, ndërsa më 2017 duan të largohen 50%. Në Shqipëri në vitin 2015 donin të ikin jashtë vendit 38% e shqiptarëve, ndërsa në vitin 2017, 50 për qind e tyre duan të lënë vendin, ndërsa në Kosovë më 2015 donin të largoheshin 49 për qind e të anketuarve, kurse më 2017-37. Tendenca e shqiptarëve u rrit ndjeshëm pas heqjes së vizave. Udhëtimet në Evropë u bënë të zakonshme për të gjitha shtresat, ndaj në kërkim të një jetë më të mirë tendenca për të emigruar është rritur. Heqja e vizave ka pasur një efekt të ngjashëm edhe në rajon, por jo në të njëjtën masë si në vendin tonë. Shqipëria ka nivelin më të ulët te të ardhurave për frymë dhe është ndër vendet më të varfra në rajon. (koha.mk)StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...