Rrogë sa për gjevrek e jogurt!

Vetëm për ta ngrënë mëngjesin – një të riu i duhen 35 denarë për një gjevrek dhe një jogurt, një kafe 90 denarë, drekë dhe darkë me bukë, marule, salsiçe dhe vezë – kushtojnë 260 denarë. Pra vetëm për ushqim kostoja ditore është 385 denarë. Nëse mesatarisht shpenzohen rreth 400 denarë në ditë, kjo do të thotë se një të riut i duhen 12.000 denarë në muaj vetëm për ushqim. Asnjë “ëmbëlsirë”, pa tarifa shtesë për produktet higjienike dhe pa jetë sociale. Në “arkë” kanë mbetur edhe 100 euro – për rrymë, ujë, internet, telefon dhe ngrohje të shtëpisë

Zenel MIFTARI

Shkup, 30 maj – Pas marrëveshjes mes Qeverisë, sindikatës së punëtorëve dhe të punëdhënëseve, për rritjen e pagës minimale, rreth 80.000 qytetarë tashmë marrin rreth 50 euro më shumë nga ajo që kanë marrë më herët. Por nga rroga minimale dhe papunësia – një nga grupet më të prekura janë të rinjtë, ku shkalla e papunësisë së të cilëve mbetet e lartë. Sipas statistikave të Entit Shtetëror të Statistikave rreth 30 për qind e të rinjve të aftë për punë janë të pa punë. Sipas përllogaritjeve mujore, jetesa me pagën minimale për një të ri është e vështirë. Vetëm për ta ngrënë mëngjesin – një të riu i duhen 35 denarë për një gjevrek dhe një jogurt, një kafe 90 denarë, drekë dhe darkë me bukë, marule, salsiçe dhe vezë – kushtojnë 260 denarë. Pra vetëm për ushqim kostoja ditore është 385 denarë. Nëse mesatarisht shpenzohen rreth 400 denarë në ditë, kjo do të thotë se një të riut i duhen 12.000 denarë në muaj vetëm për ushqim. Asnjë “ëmbëlsirë”, pa tarifa shtesë për produktet higjienike dhe pa jetë sociale. Në “arkë” kanë mbetur edhe 100 euro – për rrymë, ujë, internet, telefon dhe ngrohje të shtëpisë.

Të rinjtë thonë se rritja e pagës minimale është vetëm sa për t’i hedhur hi syve të të rinjve dhe aspak nuk është zgjidhje e problemit të tyre. Ata gjithashtu thonë se çmimet e të gjitha shërbimeve janë rritur tej mase dhe një pagë mujore 18.000 denarë nuk mjafton. Ndërkohë jetesa më e vështirë është bërë për ata të rinj të cilët punojnë në Shkup, ndërsa jetojnë në qytet nga të cilat vijnë.StrugaLajm

Sipas Bojan Petrovski, kryetar i Shoqatës për Politika dhe Aktivizëm, të rinjtë nuk do t’i vërejnë përfitimet e rritjes së pagës minimale nëse e kthejnë një pjesë të parave përsëri te punëdhënësi. Ai thotë se institucionet duhet të funksionojnë edhe të qëndrojnë në mbrojtje të punëtorit, në këtë rast të rinjve që punojnë në masë ilegalisht, të padeklaruar, pa sigurime shëndetësore dhe pensionale dhe të lënë plotësisht nën mëshirën e shefit të tyre. “Të mos harrojmë, të rinjtë ishin një nga grupet më të rrezikuara të qytetarëve gjatë pandemisë me virusin korona. Një numër i madh i të rinjve kanë humbur vendet e tyre të punës dhe çdo ditë e më shumë gjatë këtyre dy viteve po jetojnë në margjina të jetesës. Nevojat elementare të një të riu në vendin donë siç janë aktivitetet kulturore, sportive, udhëtime apo shkollimi i mëtutjeshëm, pushimet verore dhe dimërore, nuk mund të ‘plotësohen’ as me këto 18.000 denarë”, deklaron Petrovski.

Kristina Ampeva nga “Glasen Tekstilec” thotë se ndryshimet e reja në ligjin për pagën minimale nuk ofrojnë zgjidhje sistematike, por vetëm maskojnë situatën aktuale dhe pasojat e një rritjeje të tillë të subvencionuar të pagës minimale do t’i paguajë sërish punonjësi. Ajo e vuri në dukje Malin e Zi si shembull pozitiv ku nga fillimi i vitit 2022, paga minimale u ngrit në 450 euro. “Mali i Zi ka hequr dorë nga taksat, por ka përdorur një taksë progresive për ata që kanë, për t’u dhënë atyre që nuk kanë. U shpjeguan metodat dhe qëllimet dhe është një program që mund ta zbatonim edhe në Maqedoni”, shton Ampeva. Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, kanë deklaruar se qasja e Qeverisë është serioze dhe e cila në bazë të analizave dhe kalkulimeve të mëparshme financiare ka harmonizuar qëndrimet e saj me sindikatat dhe punëdhënësit. “Analiza e bërë nga ekspertë eminentë dhe mbi bazën e së cilës LSM bazoi iniciativën e saj për rritjen e pagës minimale, tregoi se rritja e pagës minimale rrit produktivitetin e punës dhe kështu punëdhënësit do të jenë të kënaqur sepse do të rrisin prodhimin në kompani dhe e gjithë kjo do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit tonë. Ndërkohë që edhe ky është përkushtimi dhe synimi i Qeverisë, për të ofruar kushte ekonomike për një standard më të mirë të qytetarëve”, thonë nga LSM.

In : Aktuale

Loading...
loading...