Rruga rajonale Dibër-Strugë e pasigurt

Banorët thonë se në vazhdimësi kanë kërkuar nga institucionet kompetente që në këtë aks rrugor të ketë trotuar e sidomos për nevojat e nxënësve të cilët për çdo ditë udhëtojnë me plot rreziqe në këtë rrugë. Ndërtimi i trotuareve mes këtyre dy fshatrave është një nevojë e patjetërsueshme

Vjollca SADIKU

Dibër, 5 janar – Në Komunën e Dibrës në disa fshatra që gjenden në afërsi të rrugës rajonale Dibër -Strugë, siguria e popullatës është në rrezik. Bëhet fjalë për fshatrat Xhepisht dhe Otishan të cilët për shkak të afërsisë së tyre kanë një komunikim të ndërsjellë por edhe shkollë të përbashkët në fshatin Xhepisht. Duke marrë parasysh nevojat e përditshme, ata janë të detyruar pasi nuk ka trotuar të ecin rrugës ku drejtpërdrejt u rrezikohet siguria në komunikacion. Për fat të keq deri tani ka patur edhe shumë aksidente pikërisht në këtë pjesë të rrugës. Banorët thonë se në vazhdimësi kanë kërkuar nga institucionet kompetente që në këtë aks rrugor të ketë trotuar e sidomos për nevojat e nxënësve të cilët për çdo ditë udhëtojnë me plot rreziqe në këtë rrugë.

Ndërtimi i trotuareve mes këtyre dy fshatrave është një nevojë e patjetërsueshme. Bashkësia lokale e fshatrave Xhepisht dhe Otishan kanë patur takime të shpeshta me pushtetin vendor në Dibër me qëllim që të tejkalohet problemi duke realizuar një projekt për ndërtimin e trotuarit mes dy fshatrave. Deri tani këto iniciativa nuk kanë tejkaluar këtë problem dhe kanë mbetur vetëm në letër. Këto ditë në seancë të këshillit të komunës Dibër përsëri është ngritur iniciativë për realizimin e një projekti për ndërtimin e trotuareve mes dy fshatrave në rrugën rajonale që lidh Dibrën me Strugën. Këto dy fshatra të komunës që janë larg Dibrës 12 kilometra vite me radhë ballafaqohen me problemin e sigurisë në komunikacion. Këshilltari Xhemail Çupi thekson se patjetër duhet të realizohet projekt për ndërtimin e trotuareve në këto fshatra. “Banorët dhe sidomos nxënësit për çdo ditë rrezikojnë jetën e tyre duke udhëtuar nga njëri në fshatin tjetër. Nxënësit e fshatit Otishan shkollohen në shkollën e vetme të të dy fshatrave që ndodhet në shkollën Xhepisht”, shton Çupi, ndërsa shton se komuna Dibër duhet patjetër ta tejkalon këtë projekt.StrugaLajm

Në lidhje me këtë problem kur është në pyetje siguria në komunikacion, përfaqësuesi i Sektorit për urbanizëm, Bekim Kërliu, thekson se komuna tanimë ka program për ndërtim, rikonstruim, rehabilitim dhe mirëmbajtje të rrugëve komunale edhe për vitin e ardhshëm. Por sipas tij, kjo rrugë është e karakterit rajonal prandaj duhet të ketë një marrëveshje mes komunës dhe pushtetit qendror. Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, poashtu thotë se problemi duhet të tejkalohet. “Edhe më parë por edhe tani kemi ndërmarr iniciativa për të ndërtuar trotuar në këtë pjesë të rrugës rajonale. Besoj se gjatë vitit të ardhshëm do të gjejmë gjuhë të përbashkët me ndërmarrjen shtetërore për mirëmbajtjen e rrugëve magjistrale dhe rajonale”, thotë Kryetari Duka.

Rruga Dibër-Strugë që kalon mes dy fshatrave ka një frekuencë shumë të madhe të automjeteve. Pikërisht në këtë aks rrugor në afërsi të fshatrave është edhe vendkalimi kufitar Xhepish-Trebisht mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Kjo do të thotë se frekuentimi i automjeteve është në përmasa të mëdha dhe udhëtimi i banorëve nga fshati në fshat paraqet problem meqë udhëtohet në rrugë dhe jo nëpër trotuare pasi ata mungojnë. Në këtë drejtim duhet theksuar edhe faktin se shpeshherë bagëtitë e dy fshatrave meqë nuk ka ndonjë rrugë sekondare, shfrytëzojnë rrugën rajonale. Shpeshherë pikërisht në këtë pjesë të rrugës situata është kaotike dhe rreziku i këmbësorëve por edhe i automjeteve është i madh. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...