Serbia kërcënon me dërgimin e 1 mijë forcave ushtarake në Kosovë

Ekipi i gazetarëve të Kallxo.com u sulmua paraditen e kësaj të premteje nga një grup njerëzish të maskuar në veri të Mitrovicës. Fatmirësisht gazetarët arritën të largohen pa lëndime. Incidenti është i fundit nga një seri ngjarjesh të dhunshme që kanë ndodhur në veri të Kosovës.


Një natë më parë, ndërsa patrullonte në Zveçan, polici Ekrem Neziri u qëllua me një plumb në gjoks. Patrulla ishte në lëvizje kur u sulmua nga persona të armatosur që udhëtonin me një Audi.


Në tri ditët e fundit, incidente të njëpasnjëshme ka pasur në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut. Të mërkurën u hodhën dy bomba shok në Lagjen e Boshnjakëve.

Incidentet nuk janë rastësi. Sa herë ka një mosmarrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit tensioni pasqyrohet në terren.

Pretendimet e serbëve të Kosovës

Në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – pritet të mbahen zgjedhjet lokale më 18 dhjetor. Serbët i braktisën institucionet pas konfliktit për targat.

Por Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë- kundërshton mbajtjen e tyre.

Si kusht për kthimin në institucione, serbët kanë nxjerrë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Përgjigjia nga qeveria e Kosovës është kategorike, sepse nuk mund të lejohet formimi i një asociacioni njëetnik.

Për këtë ka edhe mbështetjen e Beogradit.

Beogradi në prapaskenë

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Zveçla ka thënë se incidentet janë “organizuar e drejtuar nga profesionistë, të udhëhequr nga qeveria e Beogradit”. Ndërkohë nga Serbia ka ardhur një kërcënim direkt për luftë.

Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.

Petkoviq i bëri komentet mbrëmjen e së enjtes. Sipas tij pjesëtarë të forcave speciale ROSU “e kanë pushtuar dhe bllokuar” Mitrovicën e Veriut.StrugaLajm

“Rreth 300 deri në 500 policë, të armatosur rëndë dhe anëtarë të ROSU me pajisje ushtarake, kanë pushtuar veriun e Kosovës”, ka thënë Petkoviq në konferencë.

Përgjigjia ka ardhur sot nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sipas së cilës në territorin e Kosovës nuk do të ketë më kurrë policë dhe ushtarë të Serbisë.

“Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila i dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999”, ka thënë ajo përmes një postimi në Facebook.

Ndërkombëtarët pro shtyrjes së zgjedhjeve

Por mesazhet e faktorit ndërkombëtar këto ditë nuk kanë qenë në përkrahje të Kosovës. Bashkimi Europian e konsideron shumë serioze situatën sipas një prononcimi që ka marrë Evropa e Lirë. Por një zyrtar që foli në kushtet e anonimatit fajësoi të dyja palët për situatën.

“Kjo është natyrisht shumë serioze dhe është pikërisht rezultat i përshkallëzimit, të cilin po e shohim javëve të fundit. Është po ashtu vërejtje se si veprimet e të dyja anëve çojnë deri te kjo situatë” ka thënë zyrtari i BE-së në kushte anonimiteti.

Edhe Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se kjo nuk është koha e duhur për zgjedhje, duke mbajtur anën e pretendimit të Serbisë.

“Mendojmë se këto zgjedhje duhet të shtyhen derisa koha të jetë e duhur dhe kur mund të mbahen pa nxitur më shumë joqëndrueshmëri dhe dhunë”, tha Chollet.

Kurti: Ndërkombëtarët nuk bëhen dot ministra

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sqaroi se policia e Kosovës nuk ka përndjekur askënd në baza etnike, fetare, por vetëm në bazë të sjelljeve dhe veprimeve të tyre.

Por Kurti nuk e ka pritur mirë qëndrimin e ambasadorëve për shtyrjen e zgjedhjeve. Sipas tij, ata duhet të kuptojnë se nuk bëhen dot ministra të Kosovës.

“Por ju duhet ta kuptoni se ata presin që ne të jemi në nivel të detyrës në vendin tonë. Janë ambasadorët e QUINT-it, por ata nuk bëhen dot ministra. Ministra janë qytetarët e këtij vendi, aktualisht në Qeverinë tonë. Qeveritë vijnë e shkojnë, por shteti mbetet” ka thënë Kurti./Lapsi.al

In : Aktuale

Loading...
loading...