Shqipëria dhe Maqedonia e V. dënojnë vendimin e Putinit për rajonet ukrainase

Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë dënuar të hënën, 21 shkurt, vendimin e presidentit rus, Vladimir Putin, për të njohur rajonet lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, si entitete të pavarura.

Ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka thënë se ky vendim përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar, sovranitetit dhe integritetit të Ukrainës, si dhe marrëveshjeve të Minskut që lidhen me lindjen e Ukrainës.

“Shqipëria është e bashkuar me partnerët dhe aleatët në mbështetje të Ukrainës”, ka thënë ajo përmes një postimi në Twitter.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se Maqedonia e Veriut rithekson mbështetjen e saj të qartë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, ka thënë se Kroacia dënon vendimin e Rusisë për të njohur pavarësinë e rajoneve Donetsk dhe Luhansk, vendim që sipas tij shkel ligjin ndërkombëtar.

“Bashkë me partnerët e BE-së, ne shprehim solidaritetin tonë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyi dhe popullin ukrainas”.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar të hënën dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve ukrainase, Donetsk dhe Luhansk, të cilat kontrollohen pjesërisht nga separatistët e mbështetur nga Moska.StrugaLajmStrugaLajm

Rreth vendimit për të njohur këto rajone është informuar lideri francez, Emmanuel Macron dhe ai gjerman, Olaf Scholz, është thënë në deklaratën e Kremlinit.

Putin e ka nisur fjalimin e tij para kombit duke diskutuar për historinë dhe duke thënë se Ukraina moderne është “krijuar” nga Rusia.

Ndërkohë që Putin ka pasur adresimin, agjencitë ndërkombëtare të lajmeve kanë cituar trupat qeveritare të Ukrainës të kenë thënë se në vijën e parë të frontit në lindje të Ukrainës, janë rritur të shtënat me armë të rënda nga separatistët.StrugaLajm

Putin ka bërë supozime gjatë fjalimit – pa ofruar të dhëna – se Ukraina po synon të ketë armë bërthamore, se gjuha ruse është margjinalizuar në Ukrainë dhe se ka plane të paspecifikuara për të eliminuar Kishën Ortodokse Ruse atje.

Ai ka thënë se Ukraina është “kukull e regjimit” të udhëhequr nga fuqitë e huaja dhe e mbushur me klane të oligarkëve.

Presidenti rus po ashtu ka thënë se NATO-ja ka “injoruar plotësisht” kërkesat e Moskës për siguri, në të cilat është përfshirë edhe ajo që Ukraina të mos bëhet pjesë e aleancës dhe për heqjen e armëve të NATO-s dhe pajisjeve tjera nga shtetet e Evropës Qendrore dhe asaj Lindore.

Putin ka nënshkruar dokumentet dhe i ka kërkuar Parlamentit rus që të ratifikojë vendimin sa më shpejt që është e mundur.

Ai e ka përfunduar fjalimin e tij duke thënë se “jam i sigurt se do të kem mbështetjen e popullit rus”.

Kjo gjë mund të jetë vendimtare për Evropën, teksa Kievi dhe liderët e Perëndimit paralajmërojnë se një sulm ushtarak rus ndaj Ukrainës mund të ndodhë shpejt.

Perëndimi thotë që më shumë se 150,000 trupa ruse gjenden afër kufirit të Ukrainës.

Presidenti amerikan, Joe Biden, do të lëshojë një urdhër ekzekutiv që do të ndalojë “investimet e reja, tregtinë dhe financimin e personave amerikanë nga dhe drejt” dy rajoneve në lindje të Ukrainës./REL

In : Aktuale

Loading...
loading...