Strugës po” merret fryma” nga deponitë
Derisa struganët me muaj presin zgjidhjen e problemit me deponinë e qytetit, dhe kur masat qeveritare që prej gjashtë muajsh assesi të bëhen realitet, qyteti vazhdon të ngulfatet nga shumë deponi të tjera me mbetje ndërtimore të cilat shihen në çdo cep. Një deponi e tillë tashmë ka filluar të paraqitet në dalje të Strugës, por pamje të tilla shihen edhe në lagjen turistike të Kalishtës. Mes Strugës dhe këtij vendi, ka dhjetëra deponi më të vogla, prej të cilave disa hyjnë edhe në vetë liqenin. Qytetarët vlerësojnë se kjo duhet të jetë prioritet i pushtetit të ri lokal në krye me Ramiz Merkon.
Disa banorë nga ana tjetër vlerësojnë se shërbimet e inspektimit duhet të jenë më shumë prezent në terren.
“Mendoj se kryetari i ri do t’i kushtoj vëmendje kësaj, që të ndahen mbetjet ndërtimore dhe mbeturinat tjera. Por, sipas meje duhet të bëhet një deponi rajonale. Duhet të ketë gjoba më të larta e jo kujt t’i kujtohet t’i hedh mbeturinat”.
“Kjo mund të rregullohet në një tjetër mënyrë. Çdo kund ka deponi. Nëse shkoni drejt Qaf Thanës, drejt Ohrit, gjithashtu ka. Me një punë të mirë të inspektorateve dhe organeve përkatëse kjo mund të rregullohet, nëse duan, e pse të mos duan kur kjo është në interes të qytetarëve”.
Ndërkohë, reagojnë edhe biznesmenët lokal. Ata thonë se deponitë e tilla nuk janë të mira për imazhin e Strugës, por edhe për sektorin e biznesit në këtë qytet.
Nga inspektorati komunal të Strugës thonë se pjesa më e madhe e deponive me mbetje ndërtimore kanë qenë në prona private. Me vështirësi është bërë vëzhgimi pasi shumë prej pronarëve të parcelave jetojnë jashtë vendit. Ndryshe, në territorin e komunës së Strugës janë regjistruar 39 deponi me mbetje ndërtimore nga gjithsej 74, sa edhe janë në mbarë rajonin. Merko thotë se në periudhën e ardhshme do të ndërmerren të gjitha masat për tejkalimin e këtij problemi./alsat-m